E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria si Aneks

Nga Baton Haxhiu

Ditën e mërkurë OKB do të sjellë edhe një dokument të ri për Kosovën, atë për të cilin është diskutuar gjatë, gjashtëpikëshin e famshëm dhe katërpikëshin e qeverisë së Kosovës, i cili ka hyrë me vonesë në dokumentin kryesor, më shumë si kënaqje politike për kosovarët se sa mund të ketë ndonjë peshë juridike të veçantë.

Ky dokument, i cili tashmë ka marrë formën përfundimtare të tij, esencialisht nuk ka ndryshuar asgjë. Atij i është shtuar edhe pjesa e dokumentit të prodhuar nga qeveria e Kosovës. Por këtë radhë si aneks i dokumentit kryesor.

Ata që dinë mirë vlefshmërinë e kontratës, e kanë të qartë se baza e dokumentit kontraktual është krejtësisht në kontratë. Aty janë edhe pasojat juridike, të cilat përcaktojnë sjelljet e palëve kontraktuese.

Aneks - kontrata është ngjitje e pjesës kryesore që të shumtën e herëve nuk i vjen radha të aplikohet dhe mbetet vetëm si garanci e veçantë, e cila regjistrohet në gjuhën juridike zakonisht me fjalën ‘nëse’…

Nëse asgjë nuk shkon sipas kontratës, atëherë aneksi i saj mund të përdoret si argument juridik për palët që nuk respektojnë marrëveshjen sipas kontratës bazike.

Tash, kur dihet se çfarë do të ketë në dokumentin e Nju-Jorkut, d.m.th., asgjë e re nga ajo që dihet, do të ishte mirë të sqarojmë disa nga pikat e një letërkëmbimi të botuar në gazetën “Express” (Kosovë), të ditës së hënë.

Janë disa ngjarje të vogla që shënojnë kthesa të rëndësishme në jetën politike. Së fundi doli në publik edhe thjeshtësia e komunikimit për gjëra krejtësisht serioze, ndërmjet dy njerëzve kryesorë të OKB. Njërit që kishte qëndruar në Beograd dhe kishte marrë rrugën për Nju-Jork për të planifikuar atë që kishte parë dhe shefit të zyrës së OKB në Prishtinë.

Një letër e mbushur me cinizëm ndaj shefes së zyrës amerikane dhe pjesa tjetër, përmbajtësore, që përmblidhte një gjendje reale të asaj që shihej në terrenin politik. Letërkëmbimi i dy njerëzve kryesorë për Kosovën tregonte se ne po hynim në një fazë të re të ekzistencës. Në anën tjetër, ne ishim larg së vërtetës që po ndodhte. Një rrëshqitje e rëndë kishte ndodhur në atë letërkëmbim. Emri i Tina Kaidanow dhe Hajredin Kuçit lakoheshin bukur pashije ose më mirë thënë, lakoheshin keq, duke e shpalosur të vërtetën e komunikimit për dokumentin, për të cilin qeveria thoshte se nuk e ka pasur në dorë, kurse për zonjën Kaidanow, që kishte garantuar se ajo do të ishte e fundit që do të vendoste se si do të dukej dokumenti.

Ne letërkëmbim thuhej qartë se Kuçi ka qenë në dijeni dhe ka shprehur një pajtim të heshtur për atë që propozohej.

Për shkak se neve na mungon parapërgatitja e duhur dhe aftësia e nevojshme gjykuese, sepse këtyre gjërave nuk iu japim rëndësinë e duhur dhe i prekim me zemër të lehtë, duke mos ditur se ato janë gjërat që mund të shënojnë ndërrime substanciale në jetën politike, lehtësisht mund të ketë ndodhur që edhe për këtë problematikë të gjithën ia kemi lënë në dorë Zyrës amerikane dhe shefes së saj.

Besoj se edhe zoti Kuçi ka shprehur shqetësimin në qeverinë e tij për atë që po ndodhte, por mund të mos jetë marrë seriozisht. Ose edhe më keq mund të ketë ndodhur: Nuk ka referuar fare për atë që po ziente.

Apo ndoshta mund ta ketë thënë krejt lehtësisht në qeveri, si një të panjohur që po i afrohej Kosovës dhe që askush s’e mori seriozisht, për faktin se për gjithçka garantonte (kështu thuhet në letërkëmbim) Tina Kaidanow, shefja e Zyrës amerikane.

Ky letërkëmbim, që kishte pika shumë më të mira sesa dokumenti që do të aprovohet të mërkurën, mbetet si shënim brilant i një kulture komunikimi, që për nga natyra e tij është krejtësisht protektorist.

Në këtë vend mund të prodhosh dokumente me kilogram, por janë të tjerët ata që vendosin se si duhet të sillesh. Mirë është edhe kjo, sepse ne nuk e kemi merituar një trajtim tjetër, por së paku të mos e zhdukin aq shpejt një kohë të lumtur, të krijuar kaq gjatë në Kosovë. Ne e dinim se pas 17 shkurtit do të ishte ndryshe, por ajo që nuk po dimë është se kjo –ndryshe - do të thotë ikje përfundimtare e një kohe të lumtur. Në mes nesh, kuptohet.

Në periferinë e ngjarjes, qeveria e Kosovës po merr konturet e një strukture që lumturinë e saj, pas 17 shkurtit, po e humb së bashku me dokumentin e së mërkurës. Dokumenti që do të shënohet si aneks i dokumentit kryesor të Ban Ki-Moon-it, jo që do të ndryshojë shumë në gjendjen tonë, por ka vënë pikën kulminante të përçmimit mbi strukturat legjitime të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›