Fshehja e pasurisë, nisin hetimet për prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja
Denoncimi pak ditë më parë i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, për fshehje të pasurisë, ka bërë që prokuroria e kryeqytetit të nisë hetimet. Kjo bëhet e ditur nga burime pranë organit të akuzës, teksa ka nisur verifikimi i pasurive të Ndojës. Ky i fundit, gjatë deklarimit të pasurisë, është shprehur se zotëron 743 mijë euro, por nga kjo shumë, të cilat Ndoja pretendon se i ka fituar nga profesioni i avokatit, 86 mijë euro nuk justifikohen dhe mbeten të pambuluara.
Gjatë deklarimit të pasurisë, Ndoja i ka paraqitur inspektorëve të ILDKP 18 fatura, me anë të të cilave ka dokumentuar marrjen e të hollave nga disa klientë, të cilët ai i ka mbrojtur juridikisht në seancat e ndryshme gjyqësore. Por, nga mbledhja e këtyre faturave, është konstatuar se shuma financiare në total e tyre kap shifrën e 657.000 eurove, ndërsa prokurori i Durrësit ka deklaruar se ka fituar nga puna e vet si avokat 743 mijë euro. Nisur nga kjo shifër, konstatohet e pambuluar me fatura justifikuese shuma prej 86.000 eurosh. Për këtë arsye, Ndoja u denoncua pak ditë më parë nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, çka bëri që prokuroria e kryeqytetit të nisë edhe hetimet. Burime pranë organit të akuzës thanë se gjatë hetimeve ndaj prokurorit të Durrësit, pritet të merren në pyetje personat nga të cilët Ndoja pretendon se ka marrë sasitë e parave të deklaruara. Gjithashtu, organi i akuzës do të këqyrë të gjitha dokumentet në gjykata apo prokurori, ku Ndoja deklaron se ka përfaqësuar klientët. Arjan Ndoja akuzohet se e ka vënë pasurinë e tij prej 743 mijë eurosh, duke mos depozituar në arkën e shtetit asnjë tatim-taksë për aktivitetin që ushtronte. Sipas kallëzimit të ILDKP, këto të dhëna të krijojnë dyshime të arsyeshme se pasuria e fituar nga Ndoja gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e avokatisë, është rrjedhojë e fshehjes së detyrimeve fiskale. Vetë Ndoja ka deklaruar se ligji nuk e detyron atë të regjistrohej në organet tatimore dhe se nuk ka pasur detyrim për t’u njohur me legjislacionin në fuqi.
“Në deklaratën e pasurisë, datë 05.03.2008, Arjan Ndoja ka deklaruar se për periudhën qershor 2004-janar 2008, kohë gjatë së cilës ka ushtruar profesionin e avokatit si anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, ka përfituar pasuri në shumën 743.000 euro (shtatëqind e dyzet e tre mijë euro). Ai ka deklaruar se për periudhën kohore qershor 2004 - janar 2008, ka fituar të ardhura nga ushtrimi i aktivitetit të avokatisë, në shumën prej 743.000 eurosh, ndërkohë që siç rezulton nga përgjigjet e organeve kompetente shtetërore, ai është regjistruar pranë QKR si person fizik, më datë 19.09.2007 dhe pranë organeve tatimore më datë 02.10.2007 dhe nuk ka paguar asnjë detyrim tatimor për aktivitetin që ushtronte”, - thuhet në raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive
Sipas tyre, të dhënat e mësipërme të krijojnë dyshime të arsyeshme se, pasuritë e fituara nga subjekti Arian Ndoja gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e avokatisë, ndër të tjera, janë rrjedhoje dhe e fshehjes së detyrimeve fiskale, konstatim për të cilin ILDKP ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim marrjen e masave fiskale ndëshkuese ndaj këtij subjekti.