Kosova dhe kriza financiare
Kur valët e para të krizës globale financiare, që nisi këtë verë në SHBA, mbërritën në dyert e Evropës, sidomos në ato vende evropiane që janë tranzicion, qeveria e Kosovës duhet të kishte krijuar një shtab të krizës, i përbërë kryesisht nga ekspertë të fushës ekonomike. Ky grup ekspertësh në radhë të parë duhej të informohej me masat që janë marrë në shumë shtete për kontrollimin e krizës, siç janë likuiditeti, garancitë, përqindjet e kamatave, garancitë për depozitat bankare, kapitalin e bankave, blerjen e pasurisë së bankave dhe shitjen e letrave me vlerë.
Mirëpo, si gjithmonë, kur është fjala e përgjegjësisë së udhëheqësve tanë në Kosovë, edhe këtë radhë lënë të kuptohet sikur kriza globale financiare dhe ajo e bankave në botë, nuk na interesojnë fare.
Sipas tyre, Kosova nuk është e prekur prej kësaj krize botërore financiare, prandaj nuk ka vend për t’u brengosur. Gazetat, sidomos ato perëndimore, me muaj të tërë po shkruajnë si t’iu mbijetohet efekteve të recesionit në punët ekzistuese. Në kohën e këtyre lloj krizave financiare, këto gazeta na bëjnë me dije se ka edhe asi punësh, për të cilat populli thotë: “Kur dikujt i errësohet, tjetri përfiton”. Përfitojnë spekulantët.
Janë një mori arsyesh që na tregojnë se Kosova është prekur nga kjo krizë. Për shembull, edhe sot askush në Kosovë nuk e di saktësisht sesa pará ka humbur trusti kosovar, cili i ka mjetet financiare të pensioneve të depozituara në bankat jashtë vendit. Opozita ka kërkuar që parlamenti i Kosovës të debatojë për këtë çështje, në qoftë se për asgjë tjetër, të paktën të informojë qytetarët e Kosovës për sasinë e humbjeve dhe se kush është përgjegjës për këtë fiasko financiare. Por, gjer më sot, qytetarët e Kosovës përveç disa informatave të kohëpaskohshme nga shtypi nuk i ka informuar kush zyrtarisht.
Qeveria e z. Thaçi ka përgatitur buxhetin për vitin 2009 dhe qytetarëve u intereson të dinë sesa ky buxhet do të plotësohet nga donacionet e premtuara në Konferencën e Donatorëve gjatë këtij viti. Sipas disa informatave, qeveria është informuar se për shkak të krizës financiare donatorët nuk do të jenë në gjendje ta mbajnë premtimin. Si duket këto nuk janë fakte të mjaftueshme për qeverinë e Kosovës, por dhe për opozitën, që të flasin para se simptomat e krizës të na kaplojnë për gushe. Që kjo të jetë edhe më banale, kur qytetet si Nju-Jorku, Moska, Pekini, Londra, Berlini dhe qendrat tjera botërore ditët e para tronditeshin dhe tundeshin nga kriza financiare, e krahasuar me krizën e viteve të 30, dhe duke paralajmëruar botën me kreditime dhe pará të shtrenjta, recesion, humbje të vendeve të punës, humbjen e depozitimeve dhe pensioneve, shtrëngimin e rripit në të gjitha nivelet dhe të perspektivës së zymtë, nga radhët e qeverisë së Kosovës kishte edhe asi nebuloza që këto rrethana të reja financiare mund të jenë shans për Kosovën që të thithë investime të huaja nga këto shtete tashmë të pasigurta financiarisht! Përgjigjja për këto budallallëqe erdhi shumë shpejt, kur edhe ata pak investitorë të huaj në Kosovë filluan që t’i tërhiqnin ato pak pará që kishin investuar këtu, që t’i arnojnë birat financiare në kompanitë e tyre në shtetet amë.
Kryeministri dhe qeveria edhe më tej aktronin optimizëm, gjersa një pjesë e popullit nga eksperienca e mëparshme, të cilëve bankat e atëhershme serbe iu kishin plaçkitë kursimet shumëvjeçare, rendën në banka që depozitat e tyre t’i nxjerrin dhe t’i fusin aty ku mendojnë se për momentin janë më të sigurta, nën dyshek.
Kuptohet, qeveria në kësi rastesh, si gjithnjë, na deklaron se është konsultuar me ekspertë të FMN dhe se rezultati i këtyre bisedimeve del të jetë se stabiliteti makroekonomik i Kosovës do t’i rezistojë të gjitha stuhive. FMN në Kosovë, për ata që nuk e dinë, është për të na këshilluar e jo për të na dhënë ndihmë apo ndonjë kredi financiare me leverdi.
Në këtë situatë, si gjithmonë, edhe këtë radhë peri këputet aty ku është më i hollë. Pra, kriza do të prekë, sipas të gjitha gjasave, pensionistët, ngaqë edhe vitin e ardhshëm nuk do të ketë asnjë lloj rritje të pensioneve. Gjithashtu, shumë sektorë, të cilët përbëjnë harxhuesit e parasë publike, si arsimi, shëndetësia, administrata etj., edhe pse iu është premtuar rritja e pagave për vitin 2009, sipas të gjitha gjasave këtë nuk do ta përjetojnë.
Ekspertët e FMN si këshillëdhënës, iu kanë bërë me dije qeveritarëve tanë se buxheti duhet të kursehet. Kjo elitë si duket e ka të vështirë të pajtohet me realitetin e ri, ngaqë ata nuk kanë fare vullnet, përveçse verbalisht, për kësi lloj ndryshimesh, edhe për shkak se për pakësimin e harxhimeve në sektorin publik qeveria tërë kohën na thotë se ka marrë masa edhe gjatë këtij viti, por ato ende janë shumë të mëdha dhe këto harxhime vazhdojnë të kërcënojnë shumë resurse ekonomike të Kosovës. Sidoqoftë, ajo çka shihet gjer më tani, është fakti se edhe këtë radhë nuk ka kurrfarë koncepti apo strategjie sistematike për planifikimin e masave. Politika pra, nuk është e fokusuar në mbijetesën e të gjithë të prekurve nga kjo krizë, por vazhdon të improvizojë. Për shembull, vetëm disa nga punëdhënësit në Kosovë, iu japin punëtorëve të tyre kompensim për shitje, ndërkaq është i paktë numri i atyre punëtorëve që iu është premtuar regresi. Kjo lë të kuptosh se qeveria edhe këtë radhë nuk bën asgjë tjetër veçse i jep popullit porosinë e tipit: “Popull, mos u brengosni, harxhoni, disi do t’ia dalim dhe do të gjendemi si gjithmonë”.
Nga ana tjetër, sipas të gjitha gjasave, as nga parlamenti i Kosovës nuk kemi çfarë të presim, ata akoma, edhe pse kanë kaluar kaq muaj nga kjo krizë financiare, nuk kanë pasur as edhe një seancë të vetme për këtë çështje. Si duket, parlamenti i Kosovës është bërë vend ku deputetët, qofshin të pozitës apo të opozitës, më me dëshirë do të debatonin për çështje që nuk kanë ndonjë rëndësi për qytetarët, me të cilët ata kanë një kontratë, sesa për gjëra kaq të rëndësishme siç është çështja e krizës financiare. Parlamenti në shumicën e rasteve është vend ku mund të dalin të gjitha të larat dhe të palarat e politikanëve kosovarë, por jo edhe vend ku opozita mund të imponojë zgjidhjen e ndonjë problemi. Për shumicën e deputetëve, fotografimi dhe pozimi para mikrofonave, si duket, është punë shumë më e lehtë sesa të pyesësh për problemet e mëdha më të cilat ballafaqohet Kosova.