E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luli Bitri “Aktorja më e mirë” në Vernon të Francës

Luli Bitri në rolin e Elsës në filmin “Amnistia” të Bujar Alimanit ka bërë për vete edhe jurinë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, që u zhvillua në Vernon të Francës. Aktorja shqiptare është vlerësuar “Aktorja më e mirë” e Festivalit. Ka qenë pikërisht filmi “Amnistia”, një produksion shqiptaro-greko-francez i regjisorit Alimani, që i ka dhuruar dhe këtë çmim aktores Bitri. Luli Bitri luan rolin e Elsës, e cila njihet me Shpëtimin gjatë takimeve speciale që të dy u bëjnë bashkëshortëve respektivë në burg. Mes të dyve lind një dashuri që regjisori Alimani është munduar ta sjellë të dëlirë, ndryshe nga ajo e bashkëshortëve. Kjo e fundit është e dhunshme aq sa dhe hekurat e burgut. “Dashnorët” i pret një fund i hidhur, një zgjedhje jo rastësore kjo e regjisorit Alimani. Filmi “Amnistia” është vlerësuar me çmim edhe në Festivalin e Filmit në Berlin dhe aktorët që interpretojnë në film: Luli Bitri, Karafil Shenaj, Todi Llupi etj. janë vlerësuar nga kritika e festivaleve ndërkombëtare. Filmi që është frymëzuar nga një shkrim i lexuar në gazetë, sjell në ekran marrëdhënien e vështirë të dashurisë mes një gruaje e një burri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›