E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisma Pacolli, shpallet “Shqipëria e Madhe” Ekonomike

SHKRUAN: Suadela Balliu 11-07-2011 11:39

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, shpalos nismën për një hapësirë të përbashkët ekonomike Shqipëri-Kosovë në një forum politiko-akademik në Universitetin Europian të Tiranës. Nisma mblodhi rreth vetes njerëz të shquar nga politika, bota akademike dhe ajo e biznesit. Krijimi i një tregu të përbashkët shqiptar; heqja e barrierave kufitare, administrative, thyerja e tyre dhe shfrytëzimi i të gjitha kapaciteteve njerëzore, natyrore, politike në funksion të mirëqenies kombëtare; institucionalizimi i bashkëpunimit ndërshqiptar; qasja europiane dhe liberale për krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike shqiptare; këndvështrime e politika të përbashkëta që thellojnë integrimin shumëplanësh Shqipëri-Kosovë; nevoja për unifikim të programeve arsimore; zhvillimi i rrjetit universitar mbarëshqiptar; Albshkenca si iniciativë që bashkon mendimin akademik shqiptar në botë; nevoja e modeleve të zhvillimit ekonomik në dy vendet; eliminimi i pengesave në tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik Shqipëri-Kosovë dhe ide e propozime mbi stimulimin e një tregu të përbashkët mbarëshqiptar; harmonizimi i tregjeve financiare dhe sistemit bankar në hapësirën mbarëshqiptare në Ballkan; Integrimi i sektorit energjetik si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të dy vendeve; zhvillimi i korridoreve rrugore, hekurudhore dhe ajrore, si instrumente të fuqishme integrues të hapësirës ekonomike ndërshqiptare; zhvillimi i bujqësisë dhe agro-industrisë Shqipëri-Kosovë; Rruga dhe hekurudha si vektorë të shkëmbimeve ekonomike, ishin disa nga pikat kryesore të Forumit akademiko-politik për një Hapësirë të Përbashkët Ekonomike, organizuar nga intelektualë dhe akademikë të Universitetit Europian të Tiranës dhe Universitetit “Fama” në Prishtinë, nën patronazhin e ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Në dy sesionet plenare të forumit në UET dhe Hotel Tirana morën pjesë krerët më të lartë të dy shteteve, ministra, figura të njohura nga politika, bota akademike e biznesmenë nga Shqipëria e Kosova. Kjo nismë u mbështet fort edhe nga dy ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani. Referues të rëndësishëm në këtë forum ishin ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli; ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu; ish-presidenti Rexhep Mejdani; filozofi dhe intelektuali Arben Xhaferri; kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka; kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gercaliu; Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit dhe Shkencës; Mimoza Kusari Lila, ministre e Ekonomisë Kosovë; Fadil Ismaili, drejtor i KOST Kosovë; e shumë të tjerë. Ky forum u shpalos në tre dimensione thelbësorë: politik, ku përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, përgjegjës për bashkëpunimin, diskutuan rreth perspektivave. Dimensioni akademik, ku u shpalosën disa pikënisje dhe studime për skenarët ekonomikë që hapen me funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe për bashkëpunimin ekonomik ndërshqiptar dhe rajonal si dhe për integrimin rajonal dhe europian.

Ky forum u mbyll me shpalljen e Lëvizjes për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit, thënë ndryshe “Nisma Pacolli”. Lëvizja do të ketë Bordin e tij të Besimit, i përbërë nga tre ish-presidentët: Alfred Moisiu, Rexhep Meidani, Behgjet Pacolli; intelektuali i shquar Arben Xhaferri; dy autoritetet akademike, profesor Faik Brestovci, rektor i universitetit “Fama” në Prishtinë; dhe Dr. Teuta Dobi, presidente e Universitetit Europian të Tiranës. Bordi zgjodhi në krye Behgjet Pacollin. Forumi për krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike Shqipëri-Kosovë do të mblidhet sërish në vjeshtë në Kosovë. Delegacioni nga Kosova i Forumit me në krye ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, u prit nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe ditën e hënë do të pritet nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, i cili e ka përshëndetur këtë nismë.

Nisma për Hapësirën Ekonomike të Përbashkët Shqiptare

KARTA E PARIMEVE

Ne një grup figurash institucionale, intelektualësh, autoritetesh akademike të Universiteteve, të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë,

Të frymëzuar nga idetë e baballarëve themelues të kombit shqiptar dhe sakrificat e heronjve të tij,

Duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese shoqërore, politike, akademike, ekonomike, kulturore të kombit;

Duke respektuar aspiratat europiane të kombit shqiptar;

Thellësisht të bindur në rëndësinë thelbësore të Aleancës së këtij kombi me shoqërinë perëndimore të kombeve, materializuar me pavarësinë e Kosovës, dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO;

Duke respektuar të gjitha dokumentet ndërkombëtare relevante për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të shteteve;

Në respekt të traditës së shkëlqyer të bashkëjetesës së kombit shqiptar me kombet e tjerë në rajon,

Duke konsideruar se vendet tona nuk kanë arritur të realizojnë plotësisht potencialet e veta zhvillimore për arsye historike që lidhen me ta, apo me të tjerë;

Me shqetësimin për gjendjen aktuale ekonomike të dy vendeve, që me gjithë progreset e shënuara të arritura në këtë periudhë të lirisë dhe pavarësisë, prapëseprapë kanë probleme të mëdha zhvillimore në rrafsh europian,

Thellësisht të bindur se vetiniciativa për realizimin e kapaciteteve zhvillimore të kombit nëpërmjet integrimit të këtyre kapaciteteve, në modelet më të mira integruese, të Komuniteteve Ekonomike Europiane, të Komunuelthit, të Frankofonisë, të vendeve nordike, është rruga më e drejtë dhe e sigurt e zhvillimit të kombit;

VENDOSIM T’I JAPIM JETË NISMËS PËR “HAPËSIRËN E PËRBASHKËT EKONOMIKE SHQIPTARE”

Nisma do të jetë një lëvizje qytetare e shtrirë në të gjithë vendet ku jetojnë shqiptarë, e cila synon:

Të krijojë një Lëvizje përbashkuese të kapaciteteve më të mira intelektuale, akademike, shoqërore etj., për t’i sugjeruar politikës së vendeve tona ecjen në një rrugë zhvillimi përbashkuese, që do të kombinonte në mënyrën më të mirë aspiratat natyrale të kombit për mirëqenie dhe aspiratave europiane integruese.

Qëllimet e kësaj Lëvizjeje do të jenë:

Zhvillimi harmonik, kompatibil dhe i qëndrueshëm ekonomik në të gjitha fushat, prej bujqësisë, energjetikës dhe deri te vlerat kulturore;

Zhvillimi i resurseve njerëzore në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit, stabilizimit të familjes sidomos garantimi i barazisë së femrës dhe kujdesit të veçantë ndaj fëmijëve;

Ngritja e standardit jetësor;

Mbrojtja e ambientit;

Kontrolli i migrimit të popullatës etj.

Kjo Lëvizje, e institucionalizuar, e organizuar, do t’u ofrojë dokumente programatike, studimore, qeverive përkatëse për të ecur në këtë rrugë.

Për këtë qëllim Lëvizja do të krijojë një Institut Kërkimor pranë Universitetit Europian, që do të inkurajojë studiuesit e rinj, ata me eksperiencë në veprimtari kërkimore, dhe formulimin e këtyre dokumenteve strategjike për qeveritë e vendeve tona. Instituti do të jetë i hapur për kontributet edhe të Universiteteve të tjerë, apo të qendrave kërkimore në rajon dhe më gjerë.

Kjo Lëvizje do të nxisë në mënyrë periodike takimet e krerëve të shteteve dhe të qeverive, ministrave të fushave të ndryshme, për të bërë bilancin e bashkëpunimit kombëtar në fushën ekonomike, kulturore, universitare, të drejtësisë, të shëndetësisë, të ruajtjes së kufijve nga dukuritë negative, në përafrimin e legjislacionit me atë europian etj;

Lëvizja sugjeron krijimin e organizatave të përbashkëta të juristëve, të ekonomistëve, dhe çdo lloj asociacioni të grupeve të interesit, të shoqërisë civile etj., të cilët takohen në mënyrë periodike në qytete të ndryshme të hapësirës kombëtare;

Në kontekstin rajonal, Lëvizja sugjeron se duhet të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore dhe garantimit të të drejtave të minoriteteve;

Në kontekstin ndërkombëtar, Lëvizja synon inkurajimin e aktivitetit të qeverive në kuadër të zbatimit të obligimeve ndërkombëtare në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të obligimeve të tjera në këtë plan.

PËR TË REALIZUAR QËLLIMET E VETA, LËVIZJA VENDOS:

Nisma do të përfaqësohet nga një figurë publike që simbolizon unitetin kombëtar. Ai si vetë asociacioni nuk do të ketë pushtet ekzekutiv.

Veprimtaria e tij do të orientohet, do të drejtohet, nga Bordi i Besimit i kësaj Lëvizjeje ku bëjnë pjesë si anëtarë themelues:

Alfred Moisiu, ish-President i Shqipërisë;

Rexhep Meidani, ish-President i Shqipërisë;

Behgjet Pacolli, ish-President i Kosovës;

Arben Xhaferri, filozof dhe intelektual;

Faik Brestovci, profesor, rektor i universitetit “Fama”, Prishtinë;

Teuta Dobi, Presidente, Universiteti Europian i Tiranës;

Bordi është i hapur për praninë e personaliteteve të tjerë të shquar nga hapësira shqiptare në vijim të ekzistencës së tij.

Me funksionalizimin e Lëvizjes do të merret një strukturë e përhershme ekzekutive.

Asociacioni duhet të mbajë dy mbledhje plenare në vit. Në këto mbledhje do të analizohen të arriturat dhe do të projektohen qëllimet e reja.

Alfred Moisiu

Hapësira, lehtësuese për shqiptarët dhe gjithë Ballkanin

Në të vërtetë nuk na duhet të qëndrojmë më në kuadrin e diskutimeve, deri-diku teorike, për bashkimin shpirtëror dhe kulturor etnik e kombëtar, por ka ardhur koha e materializimit të këtij bashkimi duke ndërmarrë një bashkim konkret ekonomik, si një hap i parë dhe shumë i rëndësishëm, përmes lehtësimit të tregtisë mes vendeve tona. Tashmë mund të shkojmë edhe më përpara në këtë rrugë, duke hequr të gjitha barrierat tregtare, duke eliminuar çdo pengesë tarifore, doganore, e të çfarëdo lloji tjetër, në funksion të rritjes së kontaktit ekonomik dhe zhvillimit të ndërsjellë.

Sigurisht që kombi shqiptar nuk mund të pretendojë se është i izoluar, apo se kjo nismë duhet të mbetet vetëm shqiptare. Mbi të gjitha iniciativa të tilla i shërbejnë zhvillimit të gjithë rajonit. Korridoret e komunikimit, akset ndër-shtetërore rrugore u shërbejnë të gjithë popujve të Ballkanit dhe më gjerë. Prej rritjes së aksesit në portet shqiptare nuk përfitojnë vetëm kosovarët, por edhe serbët, maqedonasit, apo popuj të tjerë. Bashkëpunimi rajonal ekonomik, tregtar dhe financiar ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e Shqipërisë gjatë gjithë periudhës historike post-diktatoriale. Kjo frymë e gjerë bashkëpunimi duhet vendosur pa mëdyshje në kuadrin e përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve të rajonit për të përparuar në proceset e tyre integruese drejt Bashkimit Europian.

Sa i takon rëndësisë strategjike të hapësirës shqiptare, duket se historia po ri-përsëritet. Por kësaj here në një mënyrë shumë paqësore. Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar e financiar, duke eliminuar të gjitha barrierat tregtare, mund të përfitojnë të gjithë, mund të prosperojnë të gjithë, jo vetëm shqiptarët, dhe mund të hedhim sytë drejt së ardhmes me më pak dyshim te njëri-tjetri.

Behgjet Pacolli

Partneritet publiko-privat

Ne flasim shumë për partneritetin publiko privat (PPP). S’di si janë punët në Shqipëri, por në Kosovë s’ka asnjë shans që ky partneritet të funksionojë ashtu siç është menduar dhe tentohet nga dikush.

-Nga ky forum, po i bëj thirrje klasës politike, institucioneve në Kosovë dhe në Shqipëri që në menaxhimin e aseteve që kanë mbetur pa u privatizuar, të përdoret me efektivitet kjo formulë participimesh në biznese të përbashkëta. Kjo mundëson që investitori të ndihet i sigurt, t’i ndihmohet atij në krijimin e biznesit, të ndikohet pozitivisht në mirëqenie dhe punësim. Kështu Kosovës do t’i mundësohet që paratë e privatizimit të mbesin në qarkullim në ekonominë e vendit dhe jo të ngurtësohen jashtë tij.

-Shteti do të tërhiqet nga partneriteti kur biznesi të fuqizohet, t’i shumëfishohet vlera dhe do të marrë mbrapsh më shumë para sesa ka harxhuar.

-Asetet tona minerare të mos trajtohen shkel e shko siç është deri më sot me burimet tona natyrore.

-Krijimi i holdingjeve të përbashkëta ndërshtetërore, që të ruhet vlera dhe interesi i kompanisë, është një drejtim tjetër ku ne duhet të investohemi së bashku. Pra, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Asetet minerare janë pasuri e kombit tonë.

-Në vend se Trepça e Kosovës të shitet për dhjetëra milionë për shkak të pamundësisë së buxhetit të vogël për ta funksionalizuar, ne do të ndërrojmë adresën e kompanisë menaxhuese, duke e transferuar atë në qendrat më të rëndësishme financiare botërore. Atje ajo do të vendoset në kontakt me publikun. Vlera e saj e shitjes nga dhjetëra milionët aktualë do të jetë miliardëshe. Bëj apel që kjo mënyrë privatizimi apo trajtimi duhet të përdoret urgjentisht dhe në Shqipëri për ato minerale që janë të dobishëm jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë botën.

-Jetësimi i parimit one stop shop në trajtimin e investimeve të huaja, do të jetë imediat në punën time dhe të stafit tim.

Rexhep Meidani

Infrastrukturë e përbashkët shkollore

Po e nis me idenë e funksionimit të një hapësire të përbashkët ekonomike shqiptare, për të cilën do të flasë më gjerësisht z. Pacolli. Apo të një veprimtarie konvergjente në fushën e politikës së jashtme e diplomacisë, deri duke shfrytëzuar një infrastrukturë materiale të njëjtë, si në rastin e infrastrukturës kufitare “europiane” Shqipëri – Mal i Zi, në Sukubinë - Muriqan. Po aq e rëndësishme është dhe domosdoshmëria e hapjes dhe zgjerimit të tregjeve, e rritjes së hapësirave të veprimit ekonomik e financiar, jo thjesht atyre territoriale por dhe atyre njerëzore, të kapitaleve, investimeve, shërbimeve, lufta e përbashkët kundër krimit ekonomik e financiar etj. Tepër i rëndësishëm mbetet shkollimi sa më i përafërt, pse jo dhe i njëjtë në sistemin publik, në nivelin parauniversitar apo universitar, me programe e botime të përbashkëta, shkëmbime pedagogësh, praktika e vizita të ndërsjella, bursa shkollimi, veprimtari shkencore në fushën e mësimdhënies etj. Më tepër intensitet e përkrahje kërkohet dhe për veprimtaritë letrare, duhet të nxiten më tej aktivitetet kulturore të përbashkëta, festivalet, shfaqjet e ndryshme, prodhimi i filmave artistikë shqiptarë me fonde të përbashkëta, shtimi i panaireve të librave, i veprimtarive sportive etj. Gjithashtu, duhet të zgjerohen veprimtaritë e përbashkëta akademike, projektet kërkimore-shkencore në fusha të ndryshme, në radhë të parë në fushën e albanologjisë etj. Por, pa lënë mënjanë unifikimin e mjaft shërbimeve, sipas bazës materiale dhe ekspertizës, përfshirë dhe ato laboratorike (mjedisore, shëndetësore, radiologjike, kriminalistike etj.). Edhe pse nuk mungojnë arritjet, vëmendje kërkon dhe media e shkruar apo elektronike, rritja e bashkëveprimit midis gazetarëve, në transmetimin dhe cilësinë e informacionit, të verifikimit të tij etj. Nuk mund të mos përmend këtu dhe shoqërinë civile që ka arritur të kapërcejë mjaft barriera të dikurshme, madje duke arritur të realizojë organizime gjithëshqiptare me zë në fusha të ndryshme. Kjo edhe pse mbështetjet financiare për to kanë mbetur ende të varfra nga strukturat shtetërore apo bizneset përkatëse.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›