Luli në eksperimentin e turmës
Aktori Lulzim Zeqja, së fundmi në teatër me rolin e njeriut të cilin turma pasi e ngre në qiell, e fundos në dhe. Flet për personazhin e Kristit në komedinë "Playboy i trojeve tona", për marrëdhëniet në jetë, humbjen dhe për vdekjen e një njeriu të dashur
Sonte, në orën 21.00, është nata e fundit që Kristi Mahon do të ligjërojë në pijetoren e Majos para fshatarkave të bukura për bëmën e vrasjes së babait: një gjuajtje e hatashme me sëpatë mu në çaçkë të kokës. Shfaqja "Playboy i trojeve tona" i John Millington Syng, me regji të Kiço Londos, e fton edhe sonte publikun në Sallën Bodrum të Teatrit të Metropolit, për të gjetur pak kënaqësi me një komedi që të shpie në Irlandën e fundit të '800-ës, me ngjarjet e një fshati të harruar, ku të krishterët nxjerrin jetesën me lopë e me dele, e të tjerë mbysin mërzinë pijetoreve, kurse vajzat e reja "digjen" për t'iu gëzuar bukurive të jetës. Historia e Kristit babavrasës, që këdo mund të tmerronte e të ngjallte neveri, për njerëzit e Majos është mrekullia vetë, mishërimi i forcës, i trimërisë, i ashpërsisë, aq sa vetë djaloshi 21-vjeçar në një moment të veprës thotë: "Po, unë kaq teveqel kam qenë, që s'e vrava babanë vite më parë?".
Në role të tjera interpretojnë: Marsela Lena (Pegin Mike), Sesilia Plasari (Vejusha Kuin), Florian Agalliu, Xhejni Fama, Besmir Bitraku, Redian Mullaj, Alban Musta dhe grupi i vajzave: Ina Gjonçi, Adriana Tolka, Aida Bajraktari, të gjitha karaktere energjike, të freskët, vitalë. Por e gjithë poterja bëhet për Kristin, heroin e trojeve perëndimore. Një djalë që ka vrarë të atin, që sipas tij, i ka ndrydhur gjithë jetën, ka marrë nëpër këmbë personalitetin e tij, e ka parë të dobët, frikacak, dështak. "Kristi është një djalë që kërkon t'i shpëtojë hijes së babait. Ai është në kërkim të vetvetes", tregon për rolin, aktori Lulzim Zeqja, që e cilëson si një personazh që ekziston për të tjerët. Janë ata që e bëjnë të famshëm, të lavdishëm, të fuqishëm, të bukur, dhe po ata që në fund i bëjnë gropën. Personazhi i Kristit ka rëndësi jo vetëm për peshën që Styng i ka caktuar në vepër, por edhe se prania e tij në vepër dhe raporti që ka më të tjerët, kanë ç't'i thonë kohës që po jetojmë. Kristi është mishërimi i njerëzve që u zë frymën fama qoftë edhe atëherë kur fama vjen nga e keqja, nga bëma që s'janë në të mirë të askujt dhe për të cilat turma paska nevojë. Ky personazh është një çelës për tek psikologjia e turmës, e etur për skandale, që brohoret antivlerat, heroizmat boshe, shëmtinë e shoqërisë.
Fjalët e fundit të Kristit janë: "Më shndërruat sot në një burrë të fuqishëm vetëm nëpërmjet forcës së një gënjeshtre, tani më bëni të mendoj se të jesh vetëm është gjë e mjerë, por është më keq akoma ndoshta të shkosh e të përzihesh me idiotët e kësaj bote". "Personazhin tim e bëjnë të tjerët", shpjegon Zeqja, që tipat si Kristi i has shpesh në rrugë, në shoqëri, në ambientet ku shkon, njerëz që ekzistojnë vetëm së jashtmi dhe që e maskojnë zbrazëtinë e tyre me ç'të munden, truke, veshje, me jetë të shtrenjtë. "E rëndësishme të kuptosh kush je dhe çfarë misioni ke", pohon aktori 32-vjeçar, që ende nuk mendon se ka krijuar një lloj fizionomie me rolet që ka realizuar deri tani në kinema dhe teatër. Tek komedia e Syng-it, aktori gjen një afri dhe e ndjen personazhin e tij sepse ai i shtron për sfidë nevojën e ndërtimit të personalitetit. Zeqja na tregon se çdo rol për mbushet me dashuri dhe përkushtim, jo thjesht si një punë që duhet bërë dhe pikë. Dallohet kjo dëshirë e tija kur flet rreth "Playboy i trojeve tona" tani që komedia është në shfaqjen e saj të fundit. Një personazh që ende i lë pikëpyetje në kokë, që ai ende nuk e di nëse duhej të ishte më i qetë, më i përmbajtur, më i pjekur. "Përpiqem të bëj një punë serioze, të jap dashuri, të jem në kërkim të parametrave profesionalë, dhe të mos i humb. Nuk dua të jem një aktor që thjesht merr një punë për ta bërë", pranon të thotë diçka për veten Luli. Ndihet mirë nga bashkëpunimi me regjisorin Kiço Londo, më tepër për debatet në sallën e provave që ua ka nxitur personazhi. Londo mendon se personazhi është kristian sepse në atë ambient është rritur, dhe nuk ishte dakord me përulësinë, ngjyrimin e nënshtrimit që Zeqja theksoi në rol. "Jam pak natyrë e tërhequr dhe më duhet kohë për të bërë një analizë. Kiçoja më ka dhënë dorë, edhe në analizë, bashkë me përkthyesen, Sesilian që ka qenë pjesë e shumë diskutimeve. Është shumë e rëndësishme sesi e shohin të tjerët rolin".
Lulzim Zeqja nuk futet tek kategoria e aktorëve që sapo kanë vënë këmbët në teatër dhe kinema, por as e atyre që kanë "zënë rehat" aty. Ka interpretuar rolin e hetuesit në në komedinë "Dasmë qyteti" të B. Brehtit me regji të Ema Andreas, në dramën "Korbi i Bardhë" të Mihal Luarasit, të dyja gjatë vitit 2007. Në filmat: "Letra ere" (2003) të Edmond Budinës, "Natë pa hënë" të Artan Minarollit (2004), "Lindje-Perëndim-Lindje" të Gjergj Xhuvanit (2009). Luli ndihet me fat që është në pozita pune dhe ka pasur bashkëpunime me regjisorë si Kiço Londo, Gjergj Xhuvani, Altin Basha, Edmond Budina, Rovena Lule. "Jam në pozita pune. Ka njerëz që më kanë ofruar diçka dhe po punoj." Do donte të kishte "më shumë aktivitet" dhe "infrastrukturë të rregulluar". Fundi i bisedës me aktorin Lulëzim Zeqja në kafenenë e vogël të Teatrit të Metropolit, preku një ngjarje të dhimbshme që ai jetoi para pak muajsh: humbja e të atit. Luli nuk duket i çuditur dhe pyetja nuk i vjen e papritur. Natyrshëm përgjigjet: "Isha në prova në atë kohë, gati në fundin e tavolinës. Kjo shfaqje më ndihmoi për ta kaluar atë që më ndodhi. E kisha vendosur që provat nuk do t'i lija dhe do ta vazhdoja këtë punë. Janë dy dashuri. njëra iku, por prapë ekziston brenda meje, dhe tjetra që ishte aty. U jam mirënjohës të gjithë atyre që më kanë qenë krah". Aktori e mbyll bisedën me fjalë që u thonë shumë të gjithëve për dhimbjen, humbjen, forcën më të cilën duhet vazhduar jeta: "Në kohën kur u ktheva në punë kam pasur në kokë një shprehje: "Ars longa, vita brevis". Puna ishte zgjidhje për mua edhe nga ana psikologjike. Më dha forcë dhe njerëzit më ndihmuan për ta çuar personazhin deri në fund."
Konkurrenti maqedonas "kërkon votën" në Shqipëri
Këngëtari Gjoko Taneski, përfaqësuesi i Maqedonisë në Eurovizion, prezantoi veten dhe këngën dje në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Më 25 maj, Taneski do të këndojë në skenën e Eurovizionit "Unë jam fuqia", me muzikë dhe tekst të Kristijan Gabrovskit. Konkurron në natën gjysmëfinale, si edhe Shqipëria. Interpretimi shoqërohet nga raperi Bili-Xver (Kafsha), tri balerina dhe nga një kitarist. Taneski tregoi se ishte hera e parë që vinte në Tiranë dhe ndihej mirë që ndodhej në kryeqytetin shqiptar. "Më pëlqen arkitektura dhe jeta e natës që bëhet në Tiranë", tha Taneski. Deri tani këngëtari e ka prezantuar këngën dhe videoklipin në Bosnjë, Serbi dhe pret të vazhdojë në Maltë, Holandë, Poloni. Avni Qahili, pjesë e delegacionit të Eurovizionit për Maqedoninë, tregoi se ndër konkurrentet e tjera të prezantuara në Maqedoni, këngëtarja shqiptare Juliana Pasha ishte pëlqyer nga publiku maqedonas, aq sa ai e vlerësoi më tepër se këngëtarja e njohur vendase Carolina Goceva.