E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Një aksident kushton 200 mijë euro

Raporti / BB dhe OBSH rendisin Shqipërinë ndër vendet me numrin më të madh të aksidenteve rrugore

Fatura e shtetit shqiptar vetëm për aksidentet rrugore që ndodhin gjatë një viti shkon në 100 milionë euro

Në një raport të përbashkët të Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria renditet ndër vendet që kanë numrin më të madh të aksidenteve rrugore. Studimi i këtyre dy organizatave që mban titullin "Vdekja mbi rrota", merret me kostot e aksidenteve në vendet me të ardhura të ulëta, një kategori ku radhitet edhe vendi ynë, prodhimi bruto i së cilës nuk e kalon limitin 1,2 për qind. Sipas këtij raporti, kostoja e një aksidenti me pasojë vdekjen në vendin tonë, mund të shkojë në shifrën 195 mijë euro. Ndërsa lloji tjetër i aksidentit, i cili nuk përfundon me vdekje, por me lëndimin e qytetarëve llogaritet të ketë një kosto që arrin deri në 75 mijë euro. Statistikat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2009-të, në vendin tonë ka ndodhur rreth 1465 aksidente rrugore, gjatë të cilave ka humbur jetën rreth 491 njerëz. Nga një llogari e thjeshtë e këtyre shifrave BB, ka nxjerrë si përfundim një shifër të përafërt të kostos së aksidenteve rrugore në vendin tonë. Kështu, në fund të një viti, fatura e shtetit shqiptar vetëm për aksidentet shkon rreth 100 milionë euro. Bankës Botërore në këto kushte i kërkuar Shqipërisë të ndërhyrje në mënyrë emergjente për të financuar në sigurinë rrugore, pasi kosto e dëmeve të shkaktuara nga aksidente është shumë herë më e lartë se shpenzimet që duhet të kryejë qeveria për të mbrojtur jetën e qytetareve. Dhe për BB, kjo është një kosto e papranueshme.
Rritja në një farë mase e të ardhurave në shumë nga vendet në zhvillim, në të cilat radhitet edhe Shqipëria, ka çuar në shtimin e mjeteve motorike dhe vëllimin e trafikut, por kapaciteti menaxhues i sigurisë rrugore, infrastruktura rrugore dhe përforcimi i rregullave të sigurisë së trafikut nuk kanë ndryshuar me të njëjtin ritëm. Si rezultat, aksidentet e trafikut rrugor janë kthyer në një sfidë madhore të shëndetit publik.
Të rrezikuarit
Raporti nënvijëzon se rreth 30-40 për qind e viktimave kanë qenë njerëz, të cilët nuk përdorin automjetet, por lëviznin në këmbë. Më të rrezikuar ndaj aksidenteve janë grupmoshat me produktivitet ekonomik. Kështu 55 për qind e të vdekurve nga trafiku rrugor në vendet e Europës lindore i përkasin moshës 15 deri 44 vjeç, dhe më shumë se 80 për qind e të vdekurve janë meshkuj. Fëmijët dhe të moshuarit janë gjithashtu vulnerabël ndaj aksidenteve, veçanërisht kur janë në rolin e këmbësorit, dhe kanë mundësi 7 deri në 9 herë më shumë të vdesin në një aksident në krahasim me pasagjerët në makinë. Raporti i vdekjeve midis përdoruesve të ndryshëm të linjave rrugore ndryshon nga njeri vend në tjetrin, duke reflektuar kështu diferencat ndaj ekspozimit dhe sigurisë. "Shumica e vdekjeve në trafikun rrugor ndodh me pasagjerët e mjeteve të motorizuara me katër rrota. Gjithsesi, dhe vdekjet e këmbësorëve mbeten shumë të larta në disa, vende duke përbërë 40 për qind ose më shumë të totalit të vdekjeve në linjat rrugore në vende si Shqipëria, Bjellorusia e Kirgistani" thuhet në raport. Një faktor për rritjen e numrit të vdekjeve në rrugë është edhe keqpërdorimi i alkoolit nga ata që drejtojnë një automjet. Në fund të raportit Banka Botërore rendit një listë me sugjerime, që autoritete vendore duhet të marrin parasysh, në mënyrë që të përmirësojnë disi situatën.


Faktorët e Rrezikut

Planifikimi i rrugëve, duke përfshirë dhe rastet kur për shkak të planifikimit përzihen përdoruesit vulnerabël të rrugës në trafikun (për shembull, për shkak të mungesës së kryqëzimeve apo trotuareve).

Mangësi në legjislacion efektiv dhe në kontrollin e kushteve të mjeteve, edukimin dhe trajnimin e shoferit, dhe sjelljet me rrezik.

Sjellja e shoferit: shpejtësia; udhëtimet në gjendje të lodhur; pirja e alkoolit; mospërdorimi i rripave të sigurisë, helmetave, dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse; dhe përdorimi i telefonave celularë, në veçanti dërgimi i mesazheve me tekst.

Sugjerime për qeverinë

Duhet të pranojë se shkalla e krizës së shëndetit publik nga "vdekja me rrota" është e papranueshme.
Të zbatojë masa për sigurinë rrugore që janë: gjë që merr parasysh objektivat e vendit për zhvillim dhe njeh faktin që të varfrit dhe ata që janë shtyrë në varfëri prej aksidenteve rrugore kanë të drejta që duhen mbrojtur.
Të caktojë si prioritet për zhvillim transportin e sigurt, të pastër dhe të lirë.
Të shpejtojë transferimin e njohurive dhe të rrisë angazhimin dhe investimet në sigurinë rrugore.
Të kuptojë se Banka Botërore në partneritet me institucione të tjera, mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetje të qeverive për të ngritur rëndësinë politike të sigurisë rrugore si një prioritet zhvillimi, dhe në planifikimin dhe implementimin e programeve dhe projekteve, gjatë periudhës afatmesme, për të arritur objektivat në këtë aspekt. Kjo nga ana e saj, do të ndihmojë në shtimin e rëndësisë së çështjes së sigurisë rrugore në axhendat e agjencive ndërkombëtare dhe donatorëve të tjerë në vend dhe në rajon.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›