E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimi detyrueshëm rrit cilësinë në ndërtim


Kompanitë e sigurimeve nuk do të merrnin përsipër mbulimin e dëmeve në një ndërtese të ndërtuar pa cilësi
TIRANË- Skema e detyrueshme e sigurimit ndaj katastrofave bën të domosdoshme përmirësimin e standardeve të ndërtimit në vend. Në kushtet kur kompanitë e sigurimeve do të merrnin përsipër mbulimin e dëmeve nga katastrofat natyrore do të kërkonin standarde më të mira ndërtimi për t'i bërë ballë të paktën dëmeve që mund të shkaktohen nga papërgjegjshmëria njerëzore. "Funksionimi i skemës i shërben edhe forcimit të masave parandaluese dhe zvogëlimit të pasojave të katastrofave nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, kodit të ndërtimit, etj", - shprehen specialistë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ndërkaq, në rastet kur aplikohet një skemë e detyrueshme sigurimi ndaj katastrofave është mëse e detyrueshme bashkëpunimi me organizma të tjerë ndërkombëtare të cilët kontribuojnë për realizimin e programit dhe lehtësojnë procesin në rast se katastrofat ndodhin në vitet e para të funksionimit të saj. Fillimisht është hedhur ideja për krijimin e një skeme sigurimi rajonale ndaj katastrofave e mbështetur edhe nga Banka Botërore por deri më tani në këtë drejtim nuk është hedhur asnjë hap konkret. Diskutimi në lidhje me sigurimin ndaj katastrofave u hap javën e kaluar kur Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare raporti në Kuvend në lidhje me tregun e sigurimeve në vend kur ndër të tjera theksoi edhe propozimin e bërë qeverisë në lidhje me skemën në fjalë.


Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›