E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha: Edi Rama shkon para tiranasve me bilanc negativ

08-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati i Aleancës për Qytetarin, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Opinion” ka kujtuar dallimin që ka fushata e tij, nga ajo e rivalit opozitar. “Rama jo vetëm që nuk është rruga e vetme, por rruga që ai propozon është shumë larg asaj që kërkojnë qytetarët, tha zoti Basha. Problemet thelbësore të Tiranës si infrastruktura rrugore e rrënuar, trafiku kaotik, infrastruktura arsimore, ajo sociale, shpirti social i kryeqytetit dhe kolapsin urbanistik në tërësi, s’i kam dëgjuar nga kandidati tjetër”

Kandidati i Partisë Demokratike dhe koalicionit të madh “Aleanca për Qytetarin”, për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha, deklaroi dje në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu se sfidat e tij për bashkinë e kryeqytetit janë punësimi, infrastruktura, nxitja e investimeve të sektorit privat, zgjidhja e problemit të trafikut si dhe heqja e 62 taksave dhe tarifave dhe njëherazi ulja në tërësi e taksave.
Platforma ambicioze e kandidatit Basha për qytetin e Tiranës, për kthimin e tij te qytetarët dhe dhënia e një vizioni të zhvilluar e evropian, ka krijuar një impakt të rëndësishëm te qytetarët e Tiranës, të cilët tashmë e kanë vlerësuar platformën “Basha” si alternativën më të besueshëm dhe që ndodhet më pranë interesit të qytetarëve.
Kandidati demokrat foli dhe për kundërshtarin e tij të 8 majit, duke deklaruar se ai shkon para qytetarëve me një bilanc zero pasi prej vitesh të tëra ka braktisur qytetarët për politikën. “Rivali im vjen në këto zgjedhje me një bilanc negativ, pa asnjë platformë për qytetarët. Ka ardhur momenti që t’i them ndal të qenurit jurist, të qenurit deputet dhe për t’u vënë në ballë të një sfidë të vërtetë, për të vënë gjithçka në funksion të qytetarëve. Axhenda ime është që trajtoj problemet e qytetarëve, hallet dhe problemet e tyre. Edi Rama nuk ka pasur në axhendën e tij hallet dhe problemet e qytetarëve, por ka pasur ato të politikës. Edi Rama jo vetëm që nuk është rruga e vetme, por rruga që ai propozon është shumë larg asaj që kërkojnë qytetarët. Problemet thelbësore të Tiranës si infrastruktura rrugore e rrënuar, trafiku kaotik, infrastruktura arsimore, ajo sociale, shpirti social i kryeqytetit dhe kolapsin urbanistik në tërësi, s’i kam dëgjuar nga kandidati tjetër. Problematika e Tiranës është trashëgimia. Edhe njëherë në këtë udhëkryq rruga që unë propozoj është rruga e marrjes seriozisht të problemeve të qytetit, duke filluar së pari me rivlerësimin e problemeve. Të fillojmë duke dëgjuar qytetarët për problemet, hallet dhe shqetësimet e tyre. Alternativa tjetër ka filluar si alternativa e dhunës. Unë besoj se çfarë do diferencash të kem unë ndaj rivalit tim, çfarë do vizionesh të papërputhshme të kem ndaj rivalit tim, as gjuajtje, as urrejtje, as britma me slogane nuk kanë për të zgjidhur problemet e qytetit, nuk do të ndërtojnë asnjë rrugë, nuk do të hapë asnjë vend pune, përkundrazi ky presion dhe kjo dhunë do mbyllë vende pune. Bilanci i munguar është veçanërisht i dhimbshëm në momentin kur Edi Rama vendosi të mos ishte më kryetar i bashkisë, por kryetar i Partisë Socialiste. Duhet ta identifikojmë, bashkia ka nevojë për kryetar bashkie. Unë i futem kësaj gare për bashkinë, për qytetarin, sepse ky është koncepti i qeverisjes vendore, ky është koncepti i bashkisë, ky është koncepti i shërbimit të qytetarit. Njëra rrugë është ajo e dialogimit me qytetarin dhe rruga tjetër është ajo e sulmeve dhe përbaltjeve politike. Kjo është për fshehjen e bilancit, alternativës dhe besueshmërisë së alternativës. Po hedhin baltë, po hedhin shpifje dhe akuza”, u shpreh kandidati i mazhorancës Lulzim Basha.
Basha premtoi për biznesin e Tiranës shkurtimin e taksave dhe uljen e tyre. “Sot biznesi i vogël paguan 85 taksa dhe tarifa. Askush s’ka dhënë llogari se ku kanë shkuar këto para të taksapaguesve kryeqytetas”, u shpreh Basha.
Sipas tij, përgjegjësia më e madhe bie mbi kryetarin e bashkisë. “Unë angazhohem për transparencë të plotë. Pas heqjes së 62 taksave dhe tarifave, gjithçka do jetë transparente për qytetarët. Çdo gjë do jetë e publikuar në internet dhe e aksesueshme on-line nga qytetarët. Nëse ka një problem nr. 1 në Tiranë, është punësimi. Papunësia është derivat i shumë problemeve të tjera. Nuk bëhet fjalë për projekte luksi, por për domosdoshmëri të shërbimit të komunitetit. Ka rrugë që nuk janë prekur prej vitesh, ka rrugë që kanë nevojë për rikonstruksion dhe jo asfalt elektoral. Më pak se 28 për qind e qytetit ka fituar nga ri-shtrimi i pjesshëm i qytetit. Në këtë qytet duhet dhe do të ketë një unazë të madhe, do të ketë një projekt të shtrirjes së akseve kryesore lindje-perëndim-veri-jug të kantiereve, nëpërmjet zgjerimit të korridoreve të qytetit, për të neutralizuar përfundimisht problemin e trafikut. Edhe pse projekti madhor është për tramvajin, i cili mund të shtrihet në të gjithë kryeqytetin”, deklaroi Lulzim Basha.
Kandidati i mazhorancës deklaroi se në qeverisjen e re të Tiranës brenda 18 muajve do dyfishohen të ardhurat bashkiake.
“Brenda 18 muajve të parë do dyfishojmë të ardhurat bashkiake. Të ardhurat e mbledhura tha Basha do të kthehen në investime dhe kjo është përqasja e qytetarëve shqiptarë”.
Kandidati demokrat deklaroi se pas ardhjes së tij në krye të qeverisjes vendore të Tiranës do rishikojë planin urbanistik të kryeqytetit.
“Plani urbanistik, i cili është klientelist, do të rishikohet. Tirana në 12 muajt e parë të qeverisjes time do ketë një plan të ri urbanistik, të bazuar në vlerat dhe parimet më të mira bashkëkohore. Në themel do jetë një vlerësim i drejtë i pronës private dhe rifitimi i hapësirave publike. Hapësirat publike do t’i gjeni brenda kësaj Tirane. Situata është jashtëzakonisht e vështirë, por nuk është e pashpresë. Me ekspertë të fushës dhe me vullnet politik do t’i jepet zgjidhje katrahurës disavjeçare. 12 muajt e parë do përfundojë plani urbanistik dhe brenda 13 muajve do ketë për lejet e ndërtimit ‘One Stop Shop’. Deri në miratimin e planit të ri urbanistik dhe ngritjes së ‘One Stop Shop’ për lejet e ndërtimit, s’do lëshohet asnjë leje ndërtimi. Kjo është dhe një formulë e drejtë e vlerësimit të pronës”, theksoi Basha.
Kandidati demokrat garantoi se gjatë mandatit të tij asnjë fushë dhe asnjë hapësirë e gjelbër nuk do të preket. “Do ketë një moratorium për to. Fushat e Dinamos dhe çdo hapësirë ekzistuese e gjelbër siç është edhe liqeni artificial, do të ruhet. Unë do t’ia dal në krye thjesht e vetëm përmes një parimi të përveçëm: “interesi i qytetarëve është i pari”.
Kandidati i “Aleanca për Qytetarin” foli dhe për Tiranën kulturore, ku premtoi ndërtimin e “Teatrit të Metropolitanit” si dhe Cirkun e Tiranës.

Punësimi
“Nxitje e investimeve në Tiranë përmes sektorit privat. Kryetari i bashkisë duhet të krijojë kushtet për thithjen e investimeve. A mundet një qytet që sot ka shkallën më të lartë të popullsisë, a mundet kryetari i bashkisë t’i largojë qytetit investitorët si pasojë e mos angazhimit. Edi Rama largoi investimin prej 25-80 milionë euro dhe me projekt punësimi 600 punonjësish. Për mua, në këtë qytet me shumë sfida, probleme, shqetësime e halle, por dhe me shumë shpresa e dëshirë për të ardhme, sfida numër 1 do të jetë punësimi”.   

Shtetësia e bashkëshortes
“Ligji holandez e ndalon kategorikisht mbajtjen e dy shtetësive. Qindra e mijëra shqiptarë që janë detyruar në rrethana të ngjashme si bashkëshortja ime të kërkonin shtetësinë e vendit ku jetojnë, nuk janë të mirëpritur të japin kontributin e tyre në shoqërinë shqiptare? Ky është absurditet, tregon se deri ku ka arritur politika e përbaltjes”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›