Lulzim Basha: Ekspertë dhe arkitektë të Romës për ndërtimin e Tiranës kulturore dhe historike
Bashkia e Romës, asistencë Bashkisë së Tiranës për projektet strategjike dhe Planin Urbanistik të njësisë më të madhe vendore në vend
Me ftesë të kryetarit të bashkisë së Romës, Gianni Alemanno, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi një vizitë zyrtare në kryeqytetin italian. Kryebashkiaku i Tiranës ka njohur homologun e tij të Romës me planet e zhvillimit të Tiranës, duke u ndalur kryesisht në hartimin e planit urbanistik, për të cilin tha se ekspertët më të mirë vendas po merren me këtë projekt, sikundër e njohu me projektet strategjike, si zgjatimi i bulevardit në drejtim të Lumit të Tiranës, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të Tramit, ndërtimi i terminalit të pasagjerëve etj,. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Romës, Gianni Alemanno premtoi ndihmën e Bashkisë së Romës, departamenteve të specializuara, që nga ai i urbanistikës tek ai i infrastrukturës, përjetësimin e këtyre planeve, në përputhje me standardet më të larta europiane, si dhe me vënien e ekspertizës së arkitektëve, planifikuesve, inxhinierëve të Bashkisë së Romës, në dispozicion të Bashkisë së Tiranës. “Një ofertë shumë bujare, e cila natyrisht do ta ndihmojë Bashkinë e Tiranës, për të përshpejtuar procesin e përfundimit të Planit Urbanistik si dhe për të forcuar elementet e trashëgimisë kulturore dhe historike të projekteve të tilla, siç është ai i dyfishimit të bulevardit të Tiranës”, u shpreh Basha. Një theks të veçantë në takim, pati edhe shkëmbimi ekonomik mes dy vendeve. Kryetari i Bashkisë së Romës, Gianni Alemanno u angazhua për të identifikuar të gjithë kompanitë që kanë interes për investime në Tiranë dhe së bashku me ta, të vizitojë së shpejti Tiranën. Lulzim Basha e njohu Kryetarin e Bashkisë së Romës, me masat që Bashkia e Tiranës ka marrë për një qytet sa më miqësor për biznesin, ku biznesi mund të operojë me procedura më transparente, më të shkurtra dhe të paguajë një taksë më të ulët në mënyrë që zhvillimi ekonomik i qytetit të njohë vazhdimësi. Në këtë kuadër, Basha e njohu me masat konkrete të marra nga administrata e tij, si heqjen e 60 tarifave dhe uljen e taksave bashkiake, masat për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja dhe punësimin, si prioritet kryesor të Bashkisë së Tiranës, ku me Vendim të Këshillit Bashkiak do të operojë pa taksë, për një periudhë katërvjeçare, çdo biznes që punëson mbi 50 punonjës. “Unë e ftova Alemanno, që në vizitën e tij të ardhme në Tiranë, e cila është vizita e tij e parë në Tiranë si Kryetar i Bashkisë së Romës, të sjellë me vete një delegacion investitorësh romanë, një pjesë e mirë e të cilëve e zhvillojnë aktivitetin e tyre në Bashkinë e Tiranës dhe në Shqipëri, por një pjesë jo e vogël e tyre kanë shfaqur interes, në projektet strategjike të Tiranës, por edhe në sektorin privat në Tiranë. Një tjetër angazhim i Kryetarit të Bashkisë së Romës Alemano ishte që së bashku me stafin e tij, të identifikojnë të gjitha ato biznese dhe investitorë strategjikë në Romë, pra kompanitë e mëdha, të cilat do të ishin të gatshme të investonin në Shqipëri, sigurisht nisur nga përvojat pozitive të bizneseve romane, që tashmë investojnë në Shqipëri, në veçanti në Tiranë, në kuadër të masave lehtësuese që Bashkia e Tiranës ka marrë për këtë qëllim”, tha Basha. Shkëmbimet kulturore mes dy vendeve ishin një tjetër temë e bisedës mes dy kryebashkiakëve. Alemano mirë priti propozimin e zotit Basha, për të vënë në dispozicion një hapësirë për promovimin e vlerave kulturore dhe historike të Shqipërisë, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë si dhe për vendosjen e bustit të Gjergj Fishtës, në Vila Borgese. Basha e ftoi Alemano të organizojë në “Tiranë Javën e Kulturës Romane”. “Tirana është vetëm 45 minuta larg Romës dhe prania kulturore e Romës në Tiranë duhet të jetë më e madhe dhe në këtë kuadër e ftova të bëhet Java Romane e Kulturës, në kuadër të Muajit të Kulturës italiane në Shqipëri, në Tiranë. Folëm edhe për projekte konkrete, siç është vendosja e një busti të Gjergj Fishtës në Vila Borgese, sheshin ‘Nënë Tereza’ dhe në veçanti për 100 - vjetorin e Pavarësisë, për angazhimin e Bashkisë së Romës për të vënë në dispozicion të komunitetit shqiptar që jeton në Romë dhe të ambasadës shqiptare në Romë, për të vënë në dispozicion një hapësirë në Muzeun e Romës, ku mund të afishohen ekspozita të ndryshme që kremtojnë 100- vjetorin e Pavarësisë së vendit”, tha Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u takua edhe me investitorë të ndryshëm romanë, të interesuar për investime në Shqipëri, në fushën e infrastrukturës energjetike dhe teknologjisë së informacionit. Lulzim Basha i njohu me projektet e zhvillimit të Tiranës si dhe me lehtësitë fiskale që ofron Bashkia e Tiranës, që nga krijimi i një sporteli unik për lejet e licencat, reduktimi i taksave dhe tarifave si dhe përmirësimi i infrastrukturës.
...