E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: PD në mbështetje të aspiratave integruese të Kosovës

07-09-2013 / Gazeta 55

Hashim Thaçi falënderon kreun e PD, Lulzim Basha për diplomacinë e tij në njohjen e Kosovës dhe ndërtimin e Rrugës së Kombit

Lulzim Basha, kryetari i ri i PD-së, njëherësh kryebashkiaku i Tiranës ka qenë politikani i radhës me të cilin është takuar dje në Tiranë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Gjatë një konference të përbashkët, Basha ka nënvizuar se edhe tani që do jetë në opozitë Partia Demokratike do vazhdojë të mbështesë Kosovën. Duke u ndalur tek marrëveshja e Kosovës me Serbinë, Basha tha: “Marrëveshje historike që hap një kapitull të ri për gjithë rajonin provë e qartë e forcës dhe besimit që Kosova ka krijuar në vite”, tha ai. “Diskutuam natyrisht edhe në detyrën time të re, për rolin e opozitës shqiptare në Parlament, në mbrojtje të interesit publik por po kështu edhe në mbrojtje dhe në avancim të vizionit të shpalosur të PD, në raport me çështjen kombëtare në tërësi dhe me Kosovën në veçanti, rolin e jashtëzakonshëm që kjo forcë politike, nën lidershipin e kryeministrit Berisha ka pasur gjatë këtyre 8 viteve dhe më parë në opozitë dhe vazhdimësinë e këtij roli, në raport me vizionin tonë, në raport me synimet tona që i ndajmë me kryeministrin Thaçi, me qeverinë e Kosovës, me popullin e Kosovës, sa i përket integrimit evropian dhe euro-atlantik të Kosovës, integrimin evropian të Shqipërisë, si një objektiv madhor dhe europianizimin në tërësi të rajonit, për të cilin pa dyshim lidershipi i Kosovës, i mishëruar nga kurajo dhe vizioni evropian i kryeministrit Thaçi dhe klasës politike kosovare, në përmbylljen e marrëveshjes historike që hap një kapitull të ri jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonin, pra edhe për Shqipërinë, në këto marrëdhënie të Shqipërisë me fqinjët e tjerë në Ballkan është provë e qartë e forcës, vetëbesimit dhe potencialit të jashtëzakonshëm që Kosova ka dhe ka krijuar në këto vite, në lidershipin e kryeministrit Thaçi dhe për të cilën bashkëpunimi nga PD, edhe në opozitë nuk do të mungojë por do të jetë i plotë, do të jetë i gjithanshëm, për të çuar më përpara këtë vizion, në dobi të qytetarëve tanë, në dobi të kombit tonë”- u shpreh kreu i PD, Basha. Ndërsa Thaçi në fjalën e tij vlerësoi rolin e Bashës në njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe në ndërtimin e rrugës së Kombit. “Për mua është një kënaqësi e veçantë, të takohem me mikun Basha, me kryetarin e Bashkisë, me liderin e ri të opozitës shqiptare. E përgëzova z.Basha, për punën që ai është duke bërë si kryetar i bashkisë. Në të njëjtën kohë, e falënderoj shumë kryetarin Basha, për angazhimin e tij edhe personal për ndërtimin e rrugës së Kombit, sepse e ka pasur të përjetuar dhe vetëm kështu vendosmëria e tij ka qenë më e madhe që të fillojë dhe të përmbyllet më shpejt ndaj Kosova ju falënderon z. Basha dhe unë personalisht si kryeministër i Kosovës. Në të njëjtën kohë, falënderoj kryetarin Basha për punën e tij të palodhshme, përpjekjet e tij të jashtëzakonshme që ka pasur edhe si ministër i Jashtëm në procesin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës dhe bashkërisht kemi arritur që ti kemi tash 101 njohje për Republikën e Kosovës, ky është sukses i Kosovës, sukses i Shqipërisë, është sukses i gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Në të njëjtën kohë, urova kryetarin Basha për zgjedhjen e tij si kryetar i ri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, si lider i ri i opozitës shqiptare. Kam besim të plotë në rolin aktiv, dinamik, për të ardhmen e Shqipërisë së vizionit evropian. Natyrisht, z. Basha ka qenë në krye të përgjegjësive në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë, në krye të bashkëpërgjegjësive për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, gjithashtu në procesin e ndërtimit të rrugës së Kombit, në të gjitha punët që kemi bërë për të ardhmen evropiane edhe të Shqipërisë por edhe të Kosovës.
Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë, natyrisht unë vetëm ju mbështes, për bashkëpunimin e kryetarit Basha dhe të kryetarit të Prishtinës, z.Mustafa si kryetarë të  dy qyteteve dhe si qeveri për ne është obligim të mbështesim kryeqytetet. Në përvojat e mia, të gjitha, është se edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë jemi në pozicione të ndryshme politike, pozitë, opozitë, sido që të jetë duhet ti kemi parasysh të gjitha interesat e qytetarëve dhe aty do të përfshihemi të gjithë. Informova kryetarin Basha edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Falënderoj z.Basha për mbështetjen që i jep këtij procesi, sepse është edhe në interesin e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Në të njëjtën kohë informova z. Basha edhe për organizimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës me 3 nëntor, që do të jenë zgjedhjet e para të lira në nivel të të gjithë territorit të Republikës së Kosovës, ku do të marrin pjesë edhe serbët në 4 komuna në veri, që është një proces integrues dhe e falënderoj për mbështetjen që i dha këtij procesi të rëndësishëm, ndaj ne do të bashkëpunojmë edhe në nivel institucional por si kryetarë të PD-ve, edhe në Tiranë por edhe Prishtinë dhe natyrisht, ftova kryetarin Basha që të vizitojë Prishtinën”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›