E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha apo Sokol Olldashi?

Erion Nikolli/Themelues i PD-së

-Gara për Kryetarin e PD-së ka mbërthyer në ethe të gjithë demokratët e Shqipërisë. Kjo nuk është thjesht garë për një kryetar të një partie, por për një kryetar të një partie, e cila tani ka rolin e opozitës. Unë jam Erion Nikolli, që pasi bëra aplikimin për të hyrë në garë si kandidat për kryetar, nuk m’u pranua nga selia blu, për shkak se nuk isha pjesë e oborrit të tyre. Të dy kandidatët nuk kanë asnjë lloj platforme të qartë për shprehjen e një konkurrence midis tyre, por thjesht i kundërvihen Edi Ramës që mori 1 milionë vota nga paaftësia e tyre në pushtet. Gjithashtu, unë jam përfaqësues i shoqërisë së emigrantëve, e cila jep kontributin e saj për të ndihmuar familjarët e tyre në Shqipëri. Pra, duke kontribuar financiarisht kanë edhe të drejtën morale që të kërkojnë llogari mbi drejtësinë e pushtetit në vendin e tyre. Po kush janë kandidatët? Kandidati numër një dhe favorit për Kryetar të PDsë, Lulzim Basha nuk ka qenë ndonjëherë politikan; ai hyri krejt papritmas duke qenë pjesë e ashtuquajturës KOP-i. Kjo s’ishte gjë tjetër veçse një krijesë e radhës e Sali Berishës. A përfaqësonte Lulzim Basha perëndimin? Mendoj që jo, sepse ai në momentin që u fut në politike erdhi direkt nga Kosova. Duke qenë se u ngjit në majat më të larta të kupolës shtetërore nga hiçi, dihej se kush ishte dora që e tërhiqte nga lart. Asgjë çfarë thoshte dhe fliste nuk kishte lidhje me vizionin e tij personal që të kishte një ide të re që me të vërtetë të sillte një progres brenda partisë. Unë si demokrat po ndjek dhe përcjell fjalimet e tij nëpër rrethe; nuk bën gjë tjetër, veç premtime boshe siç bëri gjatë fushatës elektorale për kryetar bashkie në Tiranë. Them se ky është fillimi dhe mbyllja e karrierës suaj z. Basha, sepse i ke hyrë një gare shumë të vështirë, jo për t’u bërë kryetar partie, por për të fituar në betejat politike që do të të presin në të ardhmen, siç janë zgjedhjet lokale të 2015-s dhe ato parlamentare të 2017-ës. Z.Sokol Olldashi ka një karrierë politike të pasur. Në periudhën kur ai ishte ministër i Brendshëm, i hapi një luftë krimit të organizuar ku goditi vetëm bandat kriminale të të majtëve, por harroi të godiste bandat kriminale të të djathtëve. Si ministër i Transporteve, akuzohej nga të majtët për keqmenaxhimin e fondeve të dhëna nga Banka Botërore dhe Europiane për ndërtimin e infrastrukturës së brendshme në Shqipëri. A do ta ketë kartën morale z. Olldashi të akuzojë të majtët për korrupsion kur ai vetë është i akuzuar për afera korruptive. Z. Olldashi u bën thirrje të gjithë anëtarëve që të bashkohen dhe të luftojnë së bashku në opozitë për të ardhur në pushtet. Po ku ishte z .Olldashi kur këto anëtarë e votuan dhe bënë një punë bindëse për të votuar që Olldashi dhe shokët e tij të vinin në pushtet? U injoruan në mënyrë brutale kur ata kishin nevojë për ndihmë ose për të kërkuar një të drejtë. Pyetja që më lind teksa krahasoj zgjedhjet brenda partive në vendet perëndimore me ato në Shqipëri, është se si është e mundur që përgjatë gjithë fushatës nuk ka një konkurrencë apo një mendim kundër njëri-tjetrit në platformat që ato paraqesin?


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›