Lulzim Basha i kërkon Flamurit deputet në Elbasan Fahri Balliun
Flamuri mori dje një letër shqetësuese nga Lulzim Basha. Duke qenë i pari i listës në Elbasan, Basha ishte i shqetësuar nga problemi i kompanisë Balliu-Delijorgji dhe i sugjeronte në letër Flamurit të rishihej gjithë strategjia e PD për të mbrojtur Balliun.
Flamuri nisi ta lexonte:
“Më lejoni të shpreh shqetësimin tim të thellë për një sërë problemesh që do hapen në qarkun e Elbasanit pas kësaj ngjarjeje. Pavarësisht mendimeve tuaja jo aq korrekte për zotin Balliu, unë e kam gjetur atë si njeriun më të aftë, më të përkushtuar dhe më popullor në qarkun e Elbasanit. Mbi të gjitha ai ka fatin që ka konkurruar në çdo krahinë të këtij qarku, që nga Belshi deri në lagjet brenda Elbasanit, dhe ka një njohje shumë të thellë për të. Sa herë që shkoj me të nëpër fshatra, njerëzit më përshëndesin dhe atij i flasin me emër. Mua më ngatërrojnë ndonjëherë me Aldo Bumçin, ndonjëherë me Fatmir Mediun, por atë nuk e kanë ngatërruar asnjëherë.
Përpjekjet e disa njerëzve brenda PD për ta mbajtur larg Balliun nga fushata elektorale në Elbasan, më duken të dëmshme. E pashë dhe mënyrën se si u censurua takimi im në Elbasan fundjavën që shkoi. Megjithëse emri i tij ishte bërë problem për shkak të kompanisë së përbashkët me Delijorgjin, unë e mora atë në takim dhe desha ta promovoj. Por pashë në televizion se ishte bërë kujdes që ai të zhdukej nga ekrani dhe vetëm në një moment nxori kokën në cep të sallës. Kjo më dëmton mua shumë seriozisht, pasi ai deri tani ka qenë bashkëpunëtori im kryesor në Elbasan. Falë tij unë kam njohur njerëzit më të përkushtuar të qytetit për PD dhe kam shmangur pushtetin e strukturave të PD që duan të diktojnë gjithçka.
Një tjetër problem shqetësues janë votuesit e vjetër. Kur shkuam në zonën e Belshit së bashku me Balliun, e njihnin gjithë pleqtë e vjetër dhe dilnin i puthnin duart në rrugë. Të gjithë thoshin të njëjtën gjë: “Kur të shikojmë ty, na duket se takojmë Lalën”, - thoshin. Njëri madje e tha dhe emrin e plotë “Lal Hekri”. E pyeta Fahriun se kush ishte ky, por më tha se ishte një mik i tij i vjetër që voton për ne. Unë mendoj se ne nuk kemi ku të gjejmë një njeri kaq të kompletuar, me njohje te të rinjtë dhe të vjetrit.
Unë e kam njohur zotin Balliu dhe në disa aspekte të tjera. Shpirti i tij i biznesit është i pakrahasueshëm me secilin prej nesh. Unë e kam ndihmuar atë, se i kam dhënë tenderin e autostradës Vlorë-Levan që më 2006-ën. Ishin rreth 70 milionë euro dhe ai m’u zotua se do t’i përdorte me nikoqirllëk. Ngjarjet rrodhën ashtu si rrodhën dhe mua më hoqën nga Transportet, pasi do kishim bërë punë shumë të mëdha bashkë me njëri-tjetrin. E di që ka shumë akuza se kemi ndarë lekë bashkë, por janë të gjitha shpifje. Në asnjë rast nuk kam pranuar asnjë dhuratë prej tij dhe mbi të gjitha dua të them se as ai nuk më ka ofruar. Është treguar korrekt dhe dinjitoz. Ka disa zëra brenda PD që thonë se ai s’duhet kandiduar më, se ka humbur tri herë në Elbasan. Në fakt, në Elbasan ka humbur dy herë, një herë ka humbur në Pogradec. Ashtu siç thotë dhe populli, e treta, e vërteta, ai duhet të kandidojë doemos në listë. Unë i kam premtuar i katërti, por dhe i pesti mjafton, boll të ketë emrin në listë. Ose ai, ose kunata e tij duhet të kandidojnë doemos. Ju nuk mund të më lini mua vetëm në Elbasan pa atë. Gjithë këtë goditje e shikoj si një përpjekje të një klani brenda PD që duan të më godasin mua, që të dal sa më i dobët nga këto zgjedhje dhe të mos më përfillin në PD. Unë ju siguroj se autoriteti dhe popullariteti i zotit Balliu në Elbasan do të jetë ndihmë e madhe për mua dhe PD.
Së fundmi dua të ngre disa shqetësime që lidhen me mënyrën se si figura të PD, si Bode, Topalli, por dhe kryetari lokal i PD, flasin kundër tij. Unë i kuptoj problemet e tyre personale dhe mllefin që kanë për Balliun që tani ka bërë shumë lekë, por ata duhet ta përmbajnë veten, se sulmi ndaj Balliut është sulm ndaj meje, d.m.th., ndaj PD. Unë ju siguroj se ai ka qenë korrekt dhe më ka mbajtur të informuar për çdo hap që ka hedhur në punimet në Gërdec, për lidhjet me Delijorgjin, Rrahmanin dhe Shkëlzenin dhe procedurat e punës. Aksidenti është aksident, por, po mos të kishte ndodhur ai, ajo ngjarje nuk do ekzistonte. Ne nuk mund ta lëmë Balliun në mëshirë të Zotit. Ka dhe thashetheme se për të u prish “Zogu i Zi”. Ju siguroj që jo, dhe jo. U prish për dikë tjetër përballë tij, shokun e Zenit, por ndërkohë, meqë ma kërkoi dhe Fahriu, i thashë, qoftë e bërë! Dhe Fahriun e ka gënjyer ai pronari i pallatit tjetër, se nuk i dha atë që i premtoi. Dhe unë bëra shumë përpjekje të gjej ndonjë mangësi në dokumentet e Ramës për ta prishur “Zogun e Zi”. Për këtë arsye e porosita që, kur të punojnë në Gërdec, ose t’i bëjnë të gjitha letrat në rregull, ose asnjë. Ata zgjodhën këtë të dytën dhe mirë bënë, se dhe po t’i kishin bërë letrat, ato do ishin djegur tani nga flaka.
Dua ta mbyll këtë letër me shqetësimin që Balliu të më rikthehet në krah, në fushatë në Elbasan, ndryshe rezultati jonë do jetë shumë i keq. Ne s’duhet të biem pre e propagandës së Valentina Leskajt, deputetes së miellit, siç i thotë ai, që ka filluar përkëdhelet nga Jozefina apo Ridvani. Unë dua në krah zotin Balliu dhe mundësisht dhe kunatën e saj si bashkëpunëtore timen të vjetër. Shpresoj që kërkesa të më plotësohet.
Lulzim Basha