E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e OSSH, BB kërkon të mos rritet çmimi, por të ulen humbjet

Nga Fitim Zekthi

Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar dje kontratën e privatizimit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë për një vlerë prej 102 milionë eurosh. Kjo shumë është vetëm vlera e aksioneve të kompanisë shqiptare të shpërndarjes së energjisë dhe në të nuk përfshihen borxhet që kjo kompani ka. Banka Botërore, nëpërmjet drejtorit të saj për Energjinë të përfaqësisë në Tiranë, bëri të ditur se kontrata krijon mundësinë që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike nga kompania ĈEZ, e cila është pronarja e re e kompanisë së shpërndarjes OSSH. “Ndër zhvillimet më të rëndësishme që do të vijnë nga privatizimi është reduktimi i humbjeve. Aktualisht, e gjithë energjia që importohet mbulon humbjet, ndërkohë që ĈEZ ka marrë përsipër që të ulë më 17% në 5 vjet humbjet. Realizimi i këtij objektivi krijon mundësinë që tarifat të mbeten në nivelet aktuale”, - tha Dimitris Papathanasiou, drejtor për Energjinë në zyrën e BB, Tiranë. Privatizimi i kompanisë së shpërndarjes së energjisë ka kaluar nëpërmjet diskutimesh të gjata, por edhe nëpërmjet problemesh të mëdha. Më në fund kompania që po e blen atë ka arritur të marrë lëshimet më të mëdha të mundshme nga qeveria shqiptare, ndryshime që kryesisht kanë të bëjnë me borxhin e kompanisë së shpërndarjes, të cilin qeveria shqiptare ia kaloi si detyrim kompanisë së prodhimit të energjisë, KESH. Kompania e shpërndarjes, OSSH, u çlirua nga ky borxh shumë kohë pasi tenderi ishte zhvilluar, duke e privilegjuar kompaninë e mbetur nga kompanitë e tjera, të cilat hynë në garë, në një kohë kur borxhi ishte i OSSH dhe jo i KESH. Në lidhje me çmimet e energjisë, qeveria shqiptare ka mundur të marrë premtimin që gjatë këtij viti çmimet do të mbesin në vend, ndërkohë që ato do të rriten gjatë viteve të më pas gradualisht, derisa të afrohen me kostot, pasi aktualisht mendohet se kostot janë të larta. Në fakt, qëndrimi i Bankës Botërore është se, në rast se kontrata zbatohet, pra në rast se humbjet ulen, aq sa është parashikuar në kontratë, atëherë çmimet e energjisë nuk ka asnjë arsye pse të rriten. Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjitikës kanë deklaruar se një ndër objektivat që i është vendosur pronarit të ri të OSSH, është ulja e nivelit të humbjeve me 8% në dy vitet e para që do të marrë nën administrim Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Ndër skenarët e parashikuar është që në total çmimi i energjisë të rritet deri më 10%. Por kjo edhe mund të mos ndodhë, nëse qeveria ndërhyn me politikat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›