Keqkuptimet e lidhjes Berisha-Balliu
Të gjithë ata që mendojnë se Sali Berisha është duke mbrojtur Fahri Balliun, se e ka njeri të afërt dhe “këshilltar konfidencial”, gabojnë. Të gjithë ata që duan të bëjnë përgjegjës Sali Berishën pse Fahri Balliu ka përdorur emrin dhe lidhjet me të për të ndërtuar një strategji të tërë biznesi me biznesmenë të inkriminuar në trafikun e armëve, po ashtu gabojnë. Mënyra se si Sali Berisha po përpiqet ta tejkalojë problemin e krijuar nga partneriteti Delijorgji-Balliu nuk varet nga raportet e tij personale me Fahri Balliun. Po të ishte për raportet e tij personale me Fahri Balliun, ky i fundit do të kishte vetëm 4 minuta kohë për t’u ngrirë, nga momenti kur media televizive në Shqipëri dha dje fakte se ka ndërtuar bashkë me Delijorgjin Fabrikën e Vdekjes në Gërdec. Të gjithë ata që e njohin nga afër atë mjedis, e dinë mirë se Fahri Balliu nuk është as mik i afërt i Berishës dhe as i preferuari i tij për t’u favorizuar në tenderë prej 120 milionë eurosh sikundër ka marrë deri më sot apo në biznese të tilla jolegjitime si ky i Gërdecit. Fahri Balliu ia ka arritur këtij objektivi pa qenë njeri i afërt i Sali Berishës, por duke ngritur një mekanizëm pengmarrësish të admirueshëm. Ai i ka përfshirë të birin në një segment të kësaj historie kriminale dhe kjo është arsyeja madhore, e dhimbshme dhe poshtëruese që e bënte Sali Berishën të mos dinte çfarë thoshte dy ditë më parë në konferencën për shtyp.
E dëgjova ndërsa përgjigjej për kompaninë Balliu-Delijorgji. I ndryshuar tërësisht në fytyrë, pasi i dha kohë vetes të pinte një gotë ujë, pasi u përtyp disa herë dhe humbi qetësinë e tij të deri atij momenti, pa nga fundi i sallës, kurrsesi jo nga gazetarja që e pyeti dhe tha se në dijeninë e tij ortak i Delijorgjit ishte Edi Rama, pasi, sikundër duhet ta dinte gazetarja, ky Edi Rama merr dy kate për çdo pallat. Një psikolog mediokër, nëse do ta shohë këtë skenë dhe nëse i shpjegon fare pak se ç’është historia e Gërdecit, vë gishtin pikërisht te ky njeri. Ndryshimi i tij rrënjësor nga historia e Gërdecit, përpjekja e tij për t’u futur në një spirale deklaratash që lënë zbuluar njëra-tjetrën, përpjekja e tij për të injoruar ujkun që media ia ka nxjerrë të lidhur përpara dhe për të kërkuar gjurmë imagjinare të një ujku tjetër, janë tregues të një njeriu që e dërrmon ajo fjalë.
Në këtë histori Sali Berishën e dërrmon, jo vetëm vdekja, jo vetëm ndjesia e fajit për ata që kanë ikur, jo vetëm përfshirja e të birit, jo vetëm batakçillëku i Fahriut apo bashkëpunëtorëve të tjerë të tij të tipit Basha, por mbi të gjitha makthi që kap çdo prind për ikjen e të birit nga kontrolli. Njeriu që ka mani të kontrollojë gjithë pushtetet, njeriu që ka mani të jetë i plotpushtetshëm në parti, në qeveri, në shtet, në drejtësi, madje dhe në histori, ka humbur në një moment të jetës së tij kontrollin mbi jetën e fëmijëve të tij dhe tashmë është në makth. Nëse Sali Berisha nuk do të kishte makthin e djalit, sot gazetat dhe ekranet tona nuk do të gumëzhinin nga faktet dhe dokumentet që ne po botojmë, por nga triumfalizmi i njerëzve të Berishës për mënyrën se si ai ndëshkonte ata që bashkëpunonin me “mafien”. Skena e shkarkimit të Ylli Pangos për katër minuta është një ilustrim tipik i mënyrës se si sillet Sali Berisha me vartësit e vet që gabojnë jo për faj të tij. Nëse Fatmir Mediu nuk do të kishte statusin e Fahri Balliut në raport me djalin e tij, ai jo vetëm që do ishte tashmë rrugëve, por s’do ishte çudi që Berisha të mos sulmonte prokurorinë përse nuk e arrestonte.
Sot, Sali Berisha është në dilema të mëdha për të mbajtur qëndrim ndaj një historie, të cilën nuk e ka prodhuar vetë deri në fund. Në historinë e Gërdecit Fahri Balliu i ka implikuar djalin dhe në ditët e ardhshme ne mund të ballafaqohemi me fakte të tilla që ngushtojnë lakun rreth tij. Në historinë e tenderëve të rrugëve, Fahri Balliu ka implikuar Lulzim Bashën dhe Berisha është i detyruar të hedhë vallen e tij. Në të gjitha variantet ai është tashmë një tigër i rënë në një çark të thjeshtë që edhe pse i vogël në dukje, e ka kapur në një pikë të dobët ku ai nuk luan dot. Të gjithë ata që mendojnë se hezitimi për t’u distancuar nga Balliu qëndron tek afërsia e tij me Balliun, gabojnë. Qoftë dhe për shkak të ngritjes së stekës nga “mister 15 përqindshi” siç e quan Berisha Ramën, në “mister 20 përqindshi”, siç rezulton ky i fundit me letra me Delijorgjin, ai do ta kishte flakur Balliun. Por historia e Gërdecit atij i ka ndryshuar historinë politike, historinë personale dhe mbi të gjitha e ka detyruar të ndryshojë dhe shkollën e tij politike të betejës pa kompromis dhe çfarëdo çmimi, nëse nuk ka gisht vetë në atë histori. Siç e shikoni, ngjan i zënë peng, i dobët, i hutuar, i paqartë, dhe mbi të gjitha në makth, kur i duhet të flasë për ndonjë gjë rreth Gërdecit. Ka një vit që çfarë thotë sot, nuk e thotë nesër. Nuk ka faj. Është historia që i ndryshoi jetën, atëherë kur mendonte se ia kishte arritur qëllimit.