E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nacionalizmi liberal shqiptar dhe arroganca e brendshme

Nga Mentor Tahiri

Nacionalizmi ka shenjat e tij identifikuese. Ai mund të jetë i projektuar apo spontan. Ndërsa te të tjerët lindi edhe si nevojë e përkufizimit teorik dhe gjeografik të kombit dhe shtetit, te ne ai u imponua si nevojë për liri dhe shërbeu si forcë që shtyu përpara vetëdijen kombëtare. Ajo që në këtë rast i bën shqiptarët më ndryshe, është mënyra e sjelljes së këtij nacionalizmi që nga L’Albanese d’Italia e De Radës e këndej.

Është çështje krejtësisht tjetër, nëse natyra e butë e nacionalizmit shqiptar është një produkt i maturisë diplomatike apo nëse në të janë mishëruar edhe ato elemente të inferioritetit shqiptar të shkaktuara si një kompleks i krijuar ndër shekujt e sundimit nga të huajt. Sidoqoftë, nacionalizmi shqiptar paraqet atë pjesë të ndritur të nacionalizmave evropiane. Ai gjithmonë ka qëndruar i pastër dhe nuk është kombinuar me urrejtje. Nuk ka as edhe më të voglin argument që atij t’i mëveshët mosrespektimi i popujve të tjerë. E kaluara dëshmoi që te shumë popuj të tjerë, sidomos tek ata në afërsinë tonë, nacionalizmi shpesh përdorej si mjet dhune dhe shkonte përtej limiteve, kur mund të konsiderohet çdo gjë përveçse nacionalizëm, te ne shqiptarët ai tregon karakterin tonë liberal, së paku në raport me të tjerët. Gjë që vazhdojmë të jemi edhe sot. Më e mira do të ishte të ishim të tillë edhe ndërmjet veti.

Nuk ka dyshim që nacionalizmi si lëvizje politike e shqiptarëve është që nga fillimi ngushtë i ndërlidhur me formimin tonë si komb. Nëse i referohemi asaj periudhe ringjalljeje shpresash, që nga ajo që e quajmë Rilindje Kombëtare e deri te Lidhja e Prizrenit, mund të vërehet që shqiptarët aty po krijonin konturet e para të vetëdijes kombëtare. Por, deri atëherë energjitë kryengritëse shqiptare kundrejt Portës së Lartë ishin të ngjyrosura me regjionalizma dhe dëshira për pushtet individësh si në rastin e Ali Pashë Tepelenës apo Bushatllinjve. Këto përpjekje pashallarësh nuk kishin asnjë cilësi të epitetit komb apo kombëtar, pavarësisht romantizmit në të shkruarit e historisë tonë. Madje, në rastin e Janinës shfaqej ajo ashpërsia e spastrimit të hesapeve brendashqiptare. Trajtimi i suljotëve është një dëshmi e mirë, por jo edhe pak referenca tjera do t’i bashkëngjiten pas si një shenjë identifikuese e arrogancës së brendshme që nuk u ndal gjatë historisë sonë.

Pavarësisht nacionalizmit tonë liberal, ne brenda shoqërisë tonë jemi të kundërt, arroganca si veprim dominant ka vazhduar dhe akoma vazhdon të drejtojë jetën shoqërore dhe jo pak reflekton edhe në politikë bërjen e sotme në hapësirat shqiptare, pavarësisht profileve që spektri politik i pretendon. Mos të flasim si e karakterizoi kjo të kaluarën moniste.

Më e tmerrshmja është që shumë nga nacionalistët u vranë nga vetë bashkëkombësit e tyre si pasojë e arrogancës interne, e cila jo rrallëherë ka shqyer përpjekjet dhe qëllimet madhore të kombit. Ne sot në folklorin tonë të pasur vazhdojmë të këndojmë këngë apo t’i përmendim si pjesë e pandarë e krenarisë shumë bijë të pushkës dhe pendës shqiptare si Haxhi Zekën, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Nazim Gafurrin dhe shumë të tjerë para dhe pas tyre. Ne në këngët tona e kemi shmangur faktin që dorasit ishin produkt i arrogancës interne. Këtë arrogancë interne, të cilën ne si komb nuk patëm vendosmërinë ta kapërcejmë, së paku jo deri tani.

Sikur të mundnim që nacionalizmit liberal dhe arrogancës interne t’ua ndërronim vendet e të kishim një nacionalizëm të ashpër në dinamikë dhe një frymë liberale në raportet brendashqiptare, do të ishim diku tjetër në tabelën kohore historike, diku shumë më përpara. Mund edhe të duket idealizëm, por të tjerët e kanë arritur, përfshirë edhe ata që na shtypën si sundues. Nëse e arrijmë edhe ne, atëherë politika shqiptare do të jetë më funksionale, është një parakusht për t’i mundësuar kombit që të ecë me kohën baras me të tjerët.

Shumë raste deri tani kanë ikur, ndërsa zgjedhjet presidenciale në Maqedoni janë vetëm një tregues ndër shumë të tjerë që vërtet duhet ndryshuar. Shembuj për të nxitur ndryshime në këtë qasje tonën ka gjetiu në gjithë atdheun shqiptar, në të gjitha njësitë shtetërore. E gjithë kjo na thotë që kemi nevojë për më shumë nacionalizëm, por edhe që ai të jetë i shoqëruar me krijimin e raporteve të shëndosha brendashqiptare, jo vetëm politike, por në përgjithësi shoqërore dhe lënien anash të rivaliteteve karshi çështjeve që ky komb ende nuk i ka zgjidhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›