Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës

Zyrtare - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në funksionet e komisionit zonal për kryeqytetin ka shpallur dje me shumicë votash Lulzim Bashën si fitues të zgjedhjeve të 8 majit, me 124786 vota, 81 më shumë sesa rivali i tij, Edi Rama, ende në funksionet e shefit të opozitës. Procedura e ankimimit pritet të nisë menjëherë, por as shumica prej 5 votash e as protestat në rrugë s’ka shpresa të ndalin epokën e ndryshimit në bashkinë e kryeqytetit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje me shumicë votash tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve vendore për bashkinë e Tiranës. Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha u shpall fitues i këtyre zgjedhjeve me 124 786 vota, kundrejt 124 705 vota të kandidatit socialist Edi Rama. Dukshëm me një diferencë prej 81 votash, Basha fiton garën e ashpër për bashkinë e kryeqytetit, duke marrë kështu mandatimin për qeverisjen 4 vjeçare të qytetit të Tiranës. Pas shumë peripecive dhe tendencave bllokuese të komisionerëve socialistë, të cilët iu bindën urdhrave partiakë të Partisë Socialiste, me qëllimin e vetëm cenimin e standardit të zgjedhjeve vendore, të cilat u vlerësuan nga komuniteti ndërkombëtar si transparente. Problemi qëndroi te numërimi i votave, ku grupe të caktuara të numërimit zvarritën procesin tej minimumit të parashikueshëm. Vendimi i djeshëm i KQZ erdhi pas numërimit të përpiktë të çdo vote të vlefshme të qytetarëve të Tiranës, verdikti i të cilëve foli qartë dhe prerë, “Tirana kishte nevojë për ndryshim”. Ky ndryshim vinte nën siglën e Partisë Demokratike dhe koalicionit të madh “Aleanca për Qytetarin”, ku kandidati Lulzim Basha me fushatën e tij të pastër zgjedhore dhe të mbushur me alternativa e projekte të lakmueshme për një qytet ndryshe dhe për një qytet të të gjithëve.
Rezultatet përfundimtare
Lulzim Basha - 124 786 vota
Edi Rama - 124 705 vota
Hysni Milloshi - 1394 vota
KQZ vendos
Ok tabelës së rezultateve të njësisë bashkiake nr. 5
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, miratoi mbrëmë tabelën përmbledhëse të rezultateve për KZAZ 49, konkretisht njësia bashkiake nr. 5. Miratimi i tabelës së KZAZ nr. 49 i hapi rrugën miratimit të tabelës përmbledhëse të rezultateve për kreun e Bashkisë së Tiranës, e cila doli nga shumatorja e 11 njësive të kryeqytetit. Kandidati i majtë për Bashkinë Tiranë, Edi Rama ka marrë në njësinë bashkiake nr. 5, 19 154 vota dhe kandidati i djathtë, Lulzim Basha ka marrë 14 491 vota, ndërsa kandidati Hysni Milloshi ka marrë 149 vota.
...