Edi Rama, rrezik kombëtar për të ardhmen tonë të shpejtë ne BE
Në “Refleksionet” f. 184, lexojmë: “Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së, deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit, është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën (e gushtit të v.1991, shënim) që atdheu i mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë t’ua kthejnë miliona njerëzve të ndershëm besimin që kanë humbur. Për sa kohë që PS-ja nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe të historisë së saj, ajo s’mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme“. (Firmosur: a. k. (Ardian Klosi) dhe e.r. (Edi Rama).
Më poshtë flitet për “dëshirën e pakontrolluar për pushtet”. Dhe – citojmë sërish - : “Pikërisht kjo dëshirë i shtyu komunistët në 1942-’43 të nxisin luftën civile. Nisur nga kjo, me të drejtë çdo demokrati i mbetet që të denoncojë rrezikun e degjenerimit të demokracisë në demagogji”. Dhe, fill më pas, shkohet te vendimet e Konferencës së Pezës: “Kurse Kongresi i Përmetit, me fitimin e Luftës Civile nga komunistët ia mohoi me dhunë popullit shqiptar të drejtat politike”.
Tani autori i këtyre rreshtave, e.r.-ja, ia arriti për bukuri jetësimit të “dëshirës së pakontrolluar për pushtet”. Madje duke qenë, tashmë, në krye të asaj PS-je e cila, sipas Edit, është e paligjshme, sepse “nuk ka bërë denoncimin e plotë të “origjinës dhe të historisë së saj” (shih citimin, më lart), jo vetëm që nuk e ka bërë këtë denoncim origjine, por pinjollët e atij regjimi diktatorial monstruoz (epitet i përsëritur në këto Refleksione) , sot i kemi deputetë në parlament. Dhe bash ata që cilësohen si “rrugaçë të qosheve të errëta të nomenklaturës apo kriminelë ordinerë, që e degjeneruan demokracinë në demagogji”, - pikërisht këta demagogë, pra, - na akuzojnë se bëjmë luftë klasash, se denigrojmë deputetin e tanishëm Ditmir Bushati, si birin e Sulejman Bushatit, Sekretarit I të komiteteve të Partisë së Punës në Shkodër e në Kukës, që Dossiétë e gazetës sonë i kanë nxjerrë, publikisht, me firmën e tij, lista internimesh, dënimesh të planifikuara dhe ndëshkime me vdekje të njerëzve të pafajshëm. Gjithsesi, ata demagogë (dhe falsifikatorë, do të shtonim), përdhunojnë të vërtetën. Se Ditmiri nuk kritikohet si i biri i Sulejmanit, por sepse është shprehur, me kapadaillëk si ai i ustait të tij, se e ka për nder, që është i biri i Sulejmanit!
E pamë se si është shprehur Edvini për Konferencën e Pezës dhe për Kongresin e Përmetit. Kur kishte të drejtë: në gushtin e 1991-shit apo tani, që është kryetari suprem i PS-së (ndonëse i kontestuar édhe brenda familjes së majtë nga LMN-ja). Tani është përgjegjës i kategorisë së parë ai, dhe vetëm ai, që në Pezë, çdo 16 shtator, çohen me autobusë falas, të miturat (si Ina e pornotregimit të tij?) e të miturit. Pa përjashtuar, natyrisht, edhe kasketat e Enverit që kishin bërë kërdinë në Luftën Civile, cilësor i e.r.-së ky, - siç e pamë. Për më tepër, ndonëse të miturat/të miturit nuk duheshin politizuar në atë moshë, ato – sipas mjaft pjesëmarrësve, - drogoheshin, kur veteranët këndonin, tërë qejf, “Enver Hoxha e mprehu shpatën”, para avujve të alkoolit. Fotot e Enver Hoxhës vërshonin anembanë, të zbukuruara me korniza dafinash. Apoteozë! Një dhunim i pafalshëm, flagrant, ndaj Rezolutës së AP-së së KE-së dhe ndaj ndjeshmërisë së ish-të përndjekurve politikë që kishin humbur rininë e tyre, familjen, të afërtit, nga terrorizmi stalinist i atij Enveri, që glorifikohej në mënyrë të turpshme në Pezë. Sa për Kongresin e Përmetit, ky farë kongresi, me vendime të përpiluara në Jugosllavi, e ka emrin e vet nëpër shkolla, nëpër emërtime rrugësh, nëpër aktivitete të indoktrinuarish. “Rrugaçët e qosheve të errëta”, u shndërruan në populistët e Edi Ramës!
Ja si u katandis Shqipëria, nën hyqmin e Edvinit!
***
Stereotipa të tillë, alter egot e të cilëve i shohim në “rrugaçët e qosheve të errëta të nomenklaturës apo si kriminelë ordinerë, që e degjeneruan demokracinë në demagogji”, (të na falet që po përsërisim e-r- në) i portretizon mjeshtërisht shkrimtari ynë i madh, I. Kadareja, në librin e tij “Legjenda e legjendave” (f. 113-115): “Këta nënzota lindnin herë pas here ose, më saktësisht, fabrikoheshin herë pas here, prej shtetit totalitar, njëlloj si thashethemet, njëlloj si shpifjet. Ata fabrikoheshin dy mënyrash: ose duke u bazuar në një njeri, i cili për t’u kthyer në hero tjetërsohej aq shumë nga propaganda saqë nuk njihej më, ose shpikeshin krejt... si rasti i Lei Fenit në Kinë. I tillë ishte katërmbëdhjetëvjeçari Pavlik Morozovi (në B.S, - sh.) i cili, për besnikëri ndaj shtetit komunist, tradhtoi babanë dhe u vra nga ungji i vet... Duke e bërë Morozovin hero model për të gjithë rininë sovjetike, duke vënë mijëra buste të tij në oborret e shkollave, duke shkruar këngë e poema për të, komunistët rusë kryen një nga krimet më të lemerishme: ata himnizuan tradhtinë dhe denoncimin në gjirin e familjes...Dhe ky fëmijë denonciator shpallet hero dhe model për miliona nxënës të Bashkimit Sovjetik”. “...Edhe komunistët shqiptarë fabrikuan karikatura heronjsh nga më qesharakët. Sipas skemës sovjetike... korpusin kryesor e përbënin të gjymtuarit, ata që, ndonëse ishin pa sy e pa këmbë, bënin çudira në jetë. (Përmendet Fuat Çela). Me flirtin e ri me kinezët, u braktis ndikimi sovjetik dhe modelet ruse po zëvendësoheshin me ato kineze. Lei Feni u shtyp nga treni për të shpëtuar një kalë. Ditari i tij: një vidhë e mendimit të Maos. Të qenit kursimtar përputhej me problemet kineze, gjer në mbledhjen e kutive të konservave për t’i dërguar në shtet: shkurt një personazh i mjerueshëm, midis kopracit të Molierit dhe Plushkinit të Gogolit”.
Një karikaturë të tillë heronjsh, e kemi edhe ne, këtu, në vendin tonë. Ky është Edvin Kristaq Rama. I. Kadareja i identifikon këta tipa si të gjymtuar. Heroi ynë, nuk është vetëm qesharak, por edhe tragjik. Mjafton të shihen çuditë e tij në “Refleksionet”. Është i vetmi person, që s’mund të ketë të dytë në rruzull, që ka nxjerrë jashtë ligjit veprën e vet. Më shumë se kaq. E ka hequr nga të gjitha libraritë, me anë të pavlik morozovëve të tij, dhe e ka vënë në zjarr! Një autodafé! Shkrimtari ynë i madh, këta tipa i quan “të mjerueshëm”. Dhe korpusin kryesor të tyre e vëren te të gjymtuarit në sy dhe në këmbë. Në të vërtetë Karikatura jonë është e gjymtuar në tru! Një gazetë përmendte rastin kur E. Rama ishte dërguar në Burrel, për zborin ushtarak. Alarm në familjen e Anetës. Kjo dhe i shoqi, Kristaqi, iu lutën shkrimtarit (...) që të shkonte në Burrel dhe t’i thoshte komandantit të zborit që të mos i linin në dorë armën, se mos ndodhte ndonjë hatà. Shkrimtari - të cilit s’ia kemi përmendur emrin, - në gazetë përmendet me emër e me mbiemër. Por nuk ka dalë asnjë përgënjeshtrim prej tij. Nga ana tjetër një psikiatër që njihet si serioz, por nuk dëshiron të identifikohet, e di shumë mirë se e.r.-ja është kuruar për nevrastení. Një gazetar, që tani e ka kapërcyer Rubikonin për interesa meskine, ia ka nxjerrë personazhit tonë të gjitha shenjat psikopatike në një gjyq të bujshëm, si pasojë e të cilit një vajzë e talentuar dhe me talent ka pësuar, për shkak të këtij personi, trauma të tmerrshme, që e kanë mbyllur në një vetmi murgeshash. Mos të themi të tjerat, që kanë të bëjnë me mujshinë ndaj seksit delikat! Prandaj themi se është nga ato karikaturat që përmend Kadareja, i gjymtuar po se po, por në një organ anatomik nga më të rëndësishmit.
Një gazetë ka dalë këto ditë me titullin “Hapi rrugën budallait”. Budallait i hapet rruga. Po të marrit a i hapet? Aq më tepër kur kërkon të fitojë bashkinë e Tiranës në tavolinë? E ta quajë fitoren me 10 vota, “fitore historike?”. L. Basha ka fituar 8-9 herë vota më shumë se ai. Dikur (2007), në Temal të Shkodrës, kandidati demokrat Nard Mani, u shpall fitues me 3 vota diferencë. Por nga kutitë e këshillave dolën 5 vota më shumë për kandidatin socialist Mark Zhurin. Në gjykatën e apelit votat e gjetura në kutitë e këshillave u cilësuan “të vlefshme” dhe kryetar u shpall socialisti Mark Zhuri. Kandidatët i shtrënguan dorën njëri-tjetrit. Vota është e shenjtë. Kutia është vetëm për një lehtësim llogaritjeje. Nuk ka asnjë nen të Kodit Zgjedhor që të shprehet në mënyrë eksplicite nëse quhen të vlefshme ose jo, votat e kutisë së ndërruar. Dikur Rama buçiste: “Duam të shohim votat tona!”. Tani ia mohon të drejtën L. Bashës, që të shohë votat e tij! Në qoftë se votat e Bashës do të shkonin për dhjamë qeni, atëherë do të cenohej Kushtetuta: “Votimi duhet të jetë i lirë, i fshehtë, i barabartë”. Barazimi i votës cenohet, kështu, në mënyrë flagrante dhe kutive s’ka përse t’u mbetet hatri!
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka mbajtur një gjakftohtësi shembullore, duke punar qetësisht, më të tre anëtarët e tij, pavarësisht nga zhurmnaja e atyre që kërkonin të hynin forcërisht në sallën e KQZ-së, por nuk u lanë nga policia. Raporti i votave ishte 4:3. Treshja thartohej për këtë ndarje. Por harronte se në zgjedhjet e mëparshme raporti ishte 5:2, madje edhe 6:1! Tani Rama dhe të tijtë nuk duan të ballafaqohen me organet më të larta (Kolegjin Zgjedhor), sepse këto organe kanë pas vlerësuar votën, jo kutinë! – siç kishte ndodhur me precedentin e Temalit të Shkodrës.
Tani ky ekzemplar i dhunës, E. Rama, ka bërë thirrje që të mblidhen nga janë e nga s’janë, në revoltë “paqësore”, që të rrëzojë qeverisjen e Aleancës për qytetarin, që ka dalë fitimtare! Natyrisht që kjo “veprimtari demokratike” do të njëmendësohet me ata që ai i quante dikur “rrugaçë të qosheve të errëta” apo “kriminelë ordinerë”. Tronditja ka vajtur gjer te shkrimtari ynë, I. Kadareja. Me të drejtë, ai është tepër i shqetësuar, për “mundësinë e një izolimi të ri”. Por, që të tërhiqet Basha nga gara, siç është thelbi i letrës së tij drejtuar kandidatit për kryetar bashkie në emër të “Aleancës për Qytetarin”, kjo do të asgjësonte zgjedhjet e lira në vendin tonë. Sepse, thjesht, fitorja e garës nuk mund kondicionohet dot nga një i marrë që humbjen e quan fitore historike(!). Dhe u dashka quajtur e tillë, fitore historike përndryshe ai, i marri, na qenka në gjendje të përdorë dhunën dhe ta paraqesë vendin e tij, si një shtet joligjor! Është fatkeqësia e mbajtjes gjallë të mendësisë enveriste, të cilën Rama premtoi ta zhbënte në emër të demokracisë, por nuk vonoi të bëhej prototipi i i ruajtjes dhe i stimulimit të kësaj mendësie.