Lulzim Basha me 76 vota më shumë se rivali i tij Edi Rama

KQZ drejt përfundimit të numërimit të votave për bashkinë e Tiranës. Mbetet njësia nr. 11, sot rezultati
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi dje numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar për njësitë bashkiake nr. 8, nr. 9 dhe nr. 10. Pas numërimit të 346 kutive të votimit në të tre minibashkitë, kandidati i Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë, Lulzim Basha kryesoi me 76 vota para rivalit të tij, të koalicionit të majtë, Edi Rama.
Grupet e numërimit gjetën në 94 kutitë e njësisë nr. 7, 7 vota të hedhura në kutinë e gabuar, që i takonin Lulzim Bashës dhe 6 vota për Edi Ramën. Në njësinë bashkiake nr. 9, nga numërimi i 152 kutive të votimit, u gjetën 26 vota për kandidatin demokrat Basha dhe 25 për atë socialist, Rama.
Njësia nr. 10 ose KZAZ 54, kishte në total 100 kuti votimi. Nga numërimi i tyre, kandidati i PD-së Basha mori 9 vota ndërsa Rama 8 vota.
Më herët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është debatuar gjatë mes përfaqësuesve të partive politike për katër kuti të cilat u raportuan nga administrata e KQZ, si të dëmtuara. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ Genci Gjoncaj ka kërkuar që të mos i nënshtrohen procesit të vlerësimit këto kuti, ç`ka është kundërshtuar nga Partia Demokratike.
Njazi Kosovrasti tha se kutitë kanë integritetin për t’u vlerësuar dhe pas hetimit bëhet vlerësimi përkatës. Për këtë çështje, kanë debatuar edhe anëtarët e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve. Kësisoj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur procesin e numërimit të fletëve të hedhura në kutinë e gabuar për 94 kuti të njësisë Bashkiake numër 8 në kryeqytet, 152 kuti të njësisë nr. 9 dhe 100 kuti të njësisë nr. 11.
Sot pritet që KQZ të ushtrojë numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar për njësinë bashkiake nr. 11, e cila ka 100 kuti votimi. Pasdite, KQZ do miratojë tabelën përfundimtare për rezultatin zgjedhor të Tiranës.