Shkrimtarët dhe diktaturat - Kafka, Muller dhe Panteoni i Zi
Franc Kafka shkruan se në raportin kompleks që kishte me babanë kishte një aspekt i cili më shumë se ndonjë tjetër përcaktonte nënshtrimin e tij të verbër dhe drithërues: pakuptimshmërinë e ndëshkimit.
I shkruante Kafka të atit: “Më kujtohet fare mirë një incident i viteve të para, për të cilin kam një kujtim të pashlyer. Ndoshta të kujtohet edhe Ty. Njëherë, gjatë natës, unë qaja sepse kërkoja ujë, jo se kisha etje por ndoshta për të bezdizur apo për t’u kënaqur. Pas disa kërcënimeve që nuk patën dobi, Ti më kape prej krevatit, më shpure tek ballkoni dhe për pak sa s’më le ashtu me këmishë me derë të mbyllur”.
Ajo që tronditi të birin ishte mungesa e çdo lloj arsyetimi dhe të drejte: “Fakti i natyrshëm për mua që kërkoja bezdisshëm ujë dhe nxjerrjen e tmerrshme jashtë ballkonit nuk kam arritur kurrë t’i vendos në raport të drejtë”. Edhe në tregimin tjetër të famshëm të Kafkës, Dënimi, të cilin shkrimtari e shkruajti me një frymë në vitin 1912, nuk duket se ka asnjë logjikë mes frazës së babait dhe vetvrasjes së protagonistit.
I ati thotë: “Të dënoj të vdesësh i mbytur”, dhe i biri hidhet në lumë. Pak a shumë e njëjta gjë ndodh edhe me librat e Herta Muller, që përmban pakuptimshmërinë kafkiane të humbjes së çdo lloj logjike në raportin mes njeriut dhe pushtetit absolut, të njeriut të lidhur në çati apo mbi urë. Ose thënë ndryshe, të njeriut dhe Diktatorit i cili i imponon një logjikë të pakuptimtë. Kafka i vendos të atit shkronjën e madhe (Ty), duke e ngritur në një pikë simbolike afër hyjnive duke zvogëluar masën e tij deri minimum.
“S’je gjë tjetër veçse një thërrime asgjëje”, kështu shprehet papritmas protagonisti i romanit të Mullerit. Nga njëra anë shkronja e madhe e të Atit, nga tjetra “një thërrime asgjëje” e gruas. Por gruaja që nuk ka as emër. Sipas gjasave, jeton në një qytet të Rumanisë së Çausheskut, punon në një fabrikë që prodhon veshje të destinuara për eksport në ndonjë vend të Perëndimit, dhe që merret në pyetje nga shërbimet sekrete. Është një lloj logjike që shpie deri në sfilitje: “Më thërrasin gjithmonë dhe më shpesh, të martën në dhjetë fiks, të shtunën në dhjetë fiks, të mërkurën dhe të hënën.
Sikur vitet të ishin një javë, më habit që pas verës së gjatë rikthehet sakaq dimri”. Xhelati i saj, quhet Albu, majori Albu, ai që e pyet, e detyron të gënjejë. “Më ngrenë duart nëpërmjet majave të gishtave dhe mi shtrëngon aq shumë thonjtë njëri mbi tjetrin, sa mund të ulëras. Me buzën e poshtme më puth gishtat, të lartën e lë të lirë për të folur”. Por ajo ka shumë histori mbi supe, një martesë që nuk ka zgjatur shumë, një vjehërr që ka kërkuar të abuzojë seksualisht me të, një baba të dëshiruar, dhe pastaj të humbur, një burrë përbri saj, me emrin Paul, të alkoolizuar. Pastaj frika absolute, frika e të atit, ajo e dënimit. E kanë hequr nga puna sepse dikush ka shkruajtur me një lloj shkrimi si të sajin disa bileta “Përshëndetje nga Diktatura”. Por mbi të gjitha ka humbur shoqen e saj më të mirë, të pafajshme që kishte dashur të kalonte kufirin me Hungarinë, por një ushtar e kishte ndaluar, me një plumb nga mbrapa dhe Lili kishte rënë, dhe qentë që lehnin dhe kuisnin përreth. Dhe kufiri ndejti atje, i pakalueshëm përjashto veshjet, ato që konfensiononin çdo ditë brenda fabrikës që gjithsesi i jepnin ndonjë shpresë sepse iknin atje, jashtë. E vetmja mundësi që ke për të rezistuar është të bëhesh mëdysh. Kur sëpata bie në kokë, duhet të lësh vetëm kokën, të ofrosh trupin dhe të harrosh se ke tjetër gjë. Pa i dhënë mundësinë Babait, Diktatorit që të marrin atë që ke brenda. Të harrosh se kërkon të jesh e lumtur, ta lësh dëshirën diku, dhe të shpresosh ta gjesh në kthim. Sepse si Babai si diktatori kërkojnë të rrinë atje brenda, në kokë. Paulit terrori i mbërrin kur fle, gjatë natës: “Në gjumë zgjatet brinjazi në krevat me një si ngashërimë, kaq me ngut që pa u zgjuar frikësohet”. Do të dëshironim shumë të flisnim se edhe shkrimtarët shqiptarë që kanë jetuar nën diktaturën më të egër komuniste të Europës, kanë shkruar romane të fuqishëm (Kadare, Kongoli), por pikërisht për këta të fundit kemi shkruar dhe i kemi trajtuar gjerësisht në ndonjë studim jashtë kufijve të Shqipërisë. Por ka edhe romane të cilët lexohen me të vërtetë me një frymë. “Shkumëzimi i tij dhe dehja e rëndë seksuale u prenë për një çast me një inerci më kafshërore. Pastaj, ai u ngrit përgjysmë, u përpoq të fshihej pak dhe sërish filloi ta lëmojë nga kofshët. Atë kohë ajo po qante dhe ai u ngrit i tëri në këmbë, duke e vështruar ashtu lakuriq dhe i tha: Po fole do të hysh në burg dhe burgu i grave është veç nga ai i burrave. (…) Ajo lëvizi pak ijas. Nuk gjeti fuqi për t’u ngritur, por tek e pa atë fytyrë me një yndyrosje kënaqësie shtazarake, e urreu deri në atë shkallë sa vdekja e tij iu duk një gjë tepër e lehtë, tepër e vogël. Ndjeu përbrenda vetes që instinkti i femrës së poshtëruar po i piqte një shkulm më të llahtarisur se kjo që i ndodhi dhe u çua në këmbë. E lakuriqtë, e çarë, e gërvishur, e kafshuar iu sul atij duke i rrokur duart e duke i thënë”. Kështu shkruan shkrimtari Fahri Balliu në romanin e tij Panteoni i zi. Duke përshkruar “dehjen e rëndë seksuale” të njerëzve të regjimit komunist shqiptar shkrimtari vazhdon të përshkruajë protagonisten e romanit me emrin Kalina: “Në lagje dhe në fakultet gjithnjë ishte thirrur ngjalë. Bile, një nga shokët e kursit i kish sjellë një botim të poezisë çame ku i kishte shënuar dy vargje për të: Je si ngjala që llamis në det.
Ku fjala llamis ishte sinonimi i fjalës feks”. Duket se të pestë këta autorë që po përmendim nga Kafka tek Kadareja, nga Muller tek Kongoli për të përfunduar me Balliun janë një pasuri e përbashkët për dashamirësit e letërsisë dhe të lexuesve sepse kanë diçka të përbashkët që lidhet me diktaturat e ndryshme.
“Pesa ishte numri që tregonte rëndësinë, radhën, vlerën politike të vjehrrit të saj në udhëheqjen e vendit. (…) Dhe sa herë që ndodhej përballë me të vjehrrin, që fliste jashtëzakonisht pak, ajo përpiqej ta shndërronte fizikun e tij në një pesë” - vazhdon me analizën e tij mbi diktaturën komuniste shqiptare, shkrimtari Balliu duke shkruar edhe mbi imitimin që vetë njërëzit e rëndësishëm të pushtetit gjakatar komunist i bënin udhëheqësit të tyre komunist: “Madje, më shumë se telekomandim, këtu kishte një imitim. Të gjithë, veç e veç dhe së bashku, vetëm imitonin. Bile numri gjashtë, duke folur për prodhimin e qymyreve nuk rrinte asnjëherë pa futur ndonjë fjalë frëngjishte, siç bënte i Madhi. (…) Në fakt, gjithkush nga ata kish zgjedhur diçka për ta imituar shefin e madh”. E kujt është letërsia? E autorit? E gjuhës me të cilën është shkruar? E popullit që i përket? Letërsia e madhe bëhet vërtet nën trysninë e diktaturave?
...