Lulzim Basha takon qytetarët te “Ali Demi”, premton nxitjen e punësimit dhe ndërtimin e kinemasë

Kandidati i demokratëve për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha është takuar dje me banorë të lagjes “Ali Demi”, të cilat janë ankuar për mungesën e zhvillimit urban në këtë zonë
Zoti Basha premtoi se ka në projektin e tij për Tiranën, zhvillimin dhe rigjenerimin e lagjeve në brendësi. Një tjetër çështje e diskutuar me banorët në këtë zonë ishte punësimi.
“Duhet të nisë perspektiva e punësimit të të rinjve në Tiranë”, tha Basha.
Një nga premtimet enkas për këtë lagje nga kandidati demokrat ishte edhe rindërtimi i kinemasë së vjetër “Ali Demi”.
Lagjja e vjetër e Tiranës, “Ali Demi” ka mbetur thuajse totalisht e pazhvilluar. Ky është problemi kryesor që kanë banorët e kësaj zone të kryeqytetit, gjë që ia bënë të ditur dje kandidatit për Kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha. Shtëpitë janë të vjetra dhe kanë nevojë urgjente për ndërhyrje. Gjithashtu, pronarët e vjetër kërkojnë zhvillimin e pronave të tyre. Lulzim Basha u premtoi banorëve se kjo gjë do të ndodhë kur ai të jetë në krye të Bashkisë, pasi është pjesë e rëndësishme e programit të tij për kryeqytetin.
“Jemi pronarët por s’kemi gjë. I kemi dokumentet që në kohën e Turkut. Nuk merret vesh se kush ia ka vënë syrin dhe kujt do t’ia japë dhe më thoshin se kush ta ka hipotekuar. Kështu më thoshte ai sekretari i Ramës”, tha një banore gjatë takimit me Bashën.
Gjithashtu, mungesa e infrastrukturës është një shqetësim i vazhdueshëm për jetën e banorëve të “Ali Demit”. Si në të gjitha zonat e Tiranës, ka një rrugë kryesore, dhe Bashkia nuk ka ndërhyrë asnjëherë në brendësi të lagjeve.
“Asnjëherë nuk kemi parë investime në lagjen tonë. Këtu një shi bie, bëhet baltë e madhe. Faleminderit që erdhët dhe që e patë vetë. Ajo që patë para ishte vetëm fasada. Shiko këtej. Për 15 vjet nuk është dorë fare”, u shpreh një banor.
Gjithashtu, taksat e larta janë një shqetësim për biznesin e vegjël.
“Taksa e gjelbërimit dhe pastrimit janë shumë të larta dhe këtu para meje është mbjellë vetëm një pemë dhe nuk shikoj asnjë metër gjelbërim vetëm pllaka betoni. Vetëm vjet taksa e gjelbërimit më ka ardhur 150 mijë lekë”, i tha Bashës një pronar dyqani i “Ali Demit. Jam shumë i bindur që ju do t’i realizoni premtimet tuaja, vetëm i lutem zotit që të më japë jetë që të arrij 8 majin”, uroi një banor që takoi Bashën.
Lulzim Basha i siguroi banorët se ka në projektin e tij për Tiranën zhvillimin dhe rigjenerimin e lagjeve në brendësi të tyre.
“Kisha 21 vjet pa e parë djalin. Ju falënderoj shumë që bëtë sakrifica që ika pa vizë dhe takova çunin. Kisha që në 90-ën që nuk e kisha parë”, i tha Bashës një e moshuar.
Nga ana tjetër, papunësia është një tjetër çështje që prek shumë “Ali Demin”. Për këtë, Basha i sqaroi banorët se e ka prioritet punësimin dhe plani i tij ka krijimin e 30 mijë vendeve të reja të pune në Tiranë.
“Patjetër duhet të nisë perspektiva e punësimit të rinisë para se të mbarojnë shkollat. Ne duhet të nxisim fuqimisht investimet në Tiranë. Një pikë të veçantë informacioni për studentët do të ketë në Bashki, e cila do t’i afrojë me tregun e punës”, i siguroi banorët kandidati Basha.
Kjo lagje ka pasur si simbol të saj, kinema “Ali Demin”, një nga më të vjetrat në Tiranë, që prej vitesh është braktisur krejtësisht. Lulzim Basha u premtoi dje banorëve se do ta rikthejë Kinema Ali Demin. Kjo ishte dita e gjashtë e fushatës së Lulzim Bashës, kandidat për kryebashkiak në Tiranë për zgjedhjet e 8 majit 2011.
Jorida Tabaku: “Qytetarët po i kërkojnë Bashës realizimin e premtimeve të pambajtura nga Edi Rama”
E para e listës së Partisë Demokratike për këshillin bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku tha dje gjatë një deklarate për shtyp se qytetarët janë të lodhur nga premtimet e pa-mbajtura të kryetarit të ikje të bashkisë, Edi Rama. Ajo tha se premtimet e pa-mbajtura nga Edi Rama qytetarët e Tiranës po ia kërkojnë Lulzim Bashës që t’i realizojë. “Ndërkohë që Kryeqyteti ka nevojë për zgjidhje të mëdha dhe të qëndrueshme, Edi Rama, i cili dukshëm nuk ka bilanc për Tiranën, orkestron vetëm sulme mediokre dhe negative ndaj Lulzim Bashës. Kjo provon edhe njëherë se ai është i fiksuar te lufta politike dhe jo tek zgjidhja e halleve të shumta të Kryeqytetit. Ai harron se njerëzit janë të lodhur nga konfliktet dhe grindjet shterpe. Qytetaret duan zgjidhje, duan rruge normale, fëmijët dhe pleqtë duan parqe, të rinjtë duan punë, familjet kryeqytetase duan çmime të arsyeshme dhe jetë të sigurt e në harmoni. I kujtojmë Edi Ramës, se të gjitha këto nuk arrihen përmes politikës së shpifjes, përbaltjes dhe konfliktit. Shumëkush i kërkon sot Lulëzim Bashës, realizimin e premtimeve të pa mbajtura të Ramës dhe nxjerrjen e Kryeqytetit nga kolapsi dhe degradimi i përgjithshëm. Një degradim i thelle në çdo hallkë jetësore të këtij qyteti tashmë të rraskapitur nga keqqeverisja e deritashme vendore e zotit Rama. As asfalti elektoral, as ca pemë të mbjella elektoralisht aty këtu, as shkarkimi artificial i përgjegjësisë tek të tjerët, nuk mbushin dot, duart bosh të bilanceve të zbrazëta të zotit Rama”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi më tej se “Lulzim Basha, i cili mendon dhe vepron ndryshe, e nuk ka humbur asnjë çast me fjale dhe retorika boshe politike dhe konfliktuale. Ai, të gjithë javën ja ka kushtuar takimeve me njerëzit e thjeshte, duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke ju ofruar atyre zgjidhje konkrete dhe te prekshme për problemet. Zgjidhje të tilla si krijimi i vendeve të punës, reduktimi i numrit të nxënësve në klasa, krijimi i më shumë hapësirave të gjelbra”, deklaroi e para e listës së PD-së për këshillin bashkiak të Tiranës.