“Mazhoranca, fushatë për qytetin – opozita, për shpifje dhe trillime”

Kryeministri Berisha inauguron një shkollë dhe një rrugë në fshatin Daias të komunës Petrelë
“Në Petrelë kemi ndërtuar rreth 36 kilometra rrugë dhe kemi investuar 22 herë më shumë se 8 vitet e qeverisjes socialiste të marra së bashku”, tha kryeministri Sali Berisha gjatë përurimit të shkollës 9 vjeçare dhe një rruge në fshatin Daias, të komunës Petrelë, rreth 15 km në jug të Tiranës.
Në fjalën e tij para banorëve të zonës, Berisha vuri në dukje se “rruga, një investim prej 52 milionë lekësh, përbën një domosdoshmëri për të lidhur këtë fshat piktoresk me komunën”. “Gjatë mandatit të ardhshëm me Ylli Kupi ne do të asfaltojmë çdo km rrugë në fshatrat e kësaj zone”, tha Berisha, pasi sipas tij qeveria i përmbahet parimit se çdo fshat i këtij vendi duhet të ketë infrastrukturën, rrugët, shkollat, kanalizimet dhe ujësjellësit njëlloj si në qytet.
Duke theksuar potencialet e mëdha turistike dhe bujqësore të kësaj zone, Berisha vuri në dukje se qeveria ka rritur rreth 20 herë subvencionimin për drurët frutorë. Ai ftoi të gjithë fermerët e komunës të aplikojnë për të mbjellë sa më shumë rrënjë ulliri dhe i garantoi ata se “qeveria do subvencionojë çdo rrënjë ulli por edhe drurë të tjerë frutorë”.
“Ne kemi ndërtuar 6 ujësjellës dhe kanalizime dhe gjatë 4 viteve që vijnë do të finalizojmë ndërtimin e ujësjellësve dhe kanalizimeve në çdo fshat të kësaj komune”, tha Berisha. Komuna e Petrelës, sipas Berishës, “ka potenciale të mëdha bujqësore, por potencialet më të mëdha të kësaj komune janë potencialet turistike”.
“Ju jeni dëshmitarë se si me shpejtësi po shtohen ndërtimet e reja. Vlera e tokës në komunën tuja është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe do të vazhdojë të rritet, sepse ne do të ndërtojmë këtu infrastrukturën më moderne”, tha Berisha, ndërsa siguroi se prurjet turistike në këtë komunë do njohin rritjet më të mëdha.
Duke u ndalur te fushata elektorale për zgjedhjet vendore, Berisha tha se “mazhoranca ka shpallur në qendër të kësaj fushate qytetarin, ndaj është angazhuar në një dialog intensiv për të mësuar të gjitha problemet, përparësitë dhe potencialet e komunitetit”.
“Krahas kësaj alternative e cila bazohet tërësisht në problematikën, potencialet, shqetësimet dhe mundësitë e secilit prej jush, ekziston edhe alternativa tjerë që bazohet në akuzën, shpifjen, trillimin. Edi Rama ofron alternativën e tij ‘Fajin e ka Saliu’. Kjo dëshmon se ai vuan nga mendësia e vjetër e akuzatorit dhe rikthen kohërat kur vetë bën gjykatësin, prokurorin, shpifësin, trilluesin dhe nuk sjell asnjë alternativë në interes të qytetarëve”, tha Berisha.
Duke shprehur bindjen se qytetarët do të dinë të përzgjedhin alternativën e tyre, Kryeministri garantoi se në 4 vitet që vijnë, qeveria do mbështesë çdo projekt për zhvillimin e komunës së Petrelës. “Ne kemi një ekonomi të qëndrueshme që mbylli vitin 2010 me një rritje prej 4 për qind. Ne jemi të vendosur që të gjitha taksat ti kthejmë në rrugë, kanalizime, shkolla, ujësjellës, qendra shëndetësore, pasi kjo është politika jonë”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.