E Diel, 1 Nëntor 2026

Lumtumirë me shpifje e një kryeministri

Arben Rrozhani 

-Si tetë vite më parë ishim aty. Jo na sallën e mbledhjeve, por në atë të konferencave të shtypit. Fatos Nano, i humburi i zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 jepte dorëheqjen nga kreu i partisë, duke ia lënë në dorë “çelësat” sekretarit të Përgjithshëm Gramoz Ruçi. Edhe aty kishte trishtim, ndonjë dënesë femre, por u mbyll me kaq. Tetë vite më vonë, Sali Berisha nuk ndoqi të njëjtën rrugë.

Dha dorëheqjen në 26 qershor 2013, përmes kujeve të Laurës dhe Erlës te selia e PD-së që tashmë është aset i bashkisë së Lul Bashës. Pranoi humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit, disfatën e trupshme që e kish provuar vetëm në 29 qershor 1997 dhe premtoi se nuk do të dilte në pension politik, por do tu rrinte nëpër këmbë shqiptarëve sa do t’i nxirrte ujët e zi. Dje nuk bëri as si Fatos Nano, ai që e kishte kallëzuar para shqiptarëve dhe botës mbarë si kryekleptokrati, që ishte “ma i zi se zija” dhe që akuzave se ishte padrino i mafias në pushtet ia kishte kthyer me shprehjen monumentale “pasuria ime e vetme je ti Sali Berisha”. E saktë. Tetë vite pas ikjes së Fatos Nanos, Sali Berisha ikën duke qenë pasuria e vetme e të gjithë shqiptarëve, sepse ka rrëmbyer ato pasuri që kishin mbetur, për t’i lënë çelësat e kashtës qeverisë së re.

Siç bëri dhe dje: Ndër 70 vendime, gjysma ishin për tjetërsime pronash, koncesione, privatizime. Ashtu si qindra vendime që si kurrë më parë në këto dy muajt e fundit bënë batërdinë në pronat publike të shqiptarëve, për t’ia kaluar njerëzve të partisë dhe të rrugës së gjatë në opozitën politike, por jo atë ekonomike.

Ishte një lamtumirë duke plaçkitur dhe duke shpifur, deri në momentin e fundit, në fjalimin 150 minutësh, që s’do të guxonte kryeministër tjetër mbi dhe ta mbante. Thjesht për t’i bërë një rezyme shpifjes së pafundme tetëvjeçare që ka tjerrë mbi shqiptarët, për ta lartësuar veten si Skënderbe modern dhe për ta intimiduar kundërshtarin politik si osman që vjen t’ia ngrejë shatoret përreth kullës, nga ku nuk dëshiron të dalë, po s’ka nga t’ia mbajë.

Foli për 240 banda që kishte asgjësuar. E vërtetë. I agjësoi, i la brenda burgjeve dhe banda e vetme në vend ishte ai dhe policia e tij, që ka kontrolluar të gjitha trafiqet. Nuk mund t’i linte ata jashtë t’i merrnin hisen në trafikun e drogës përmes kufijve, monopolin e Lazaratit ku valëvitet krenar flamuri i bastionit të PD-së, klandestinëve që u përcollën nga toka në det, apo tokë.

Foli për 7255 ligje të miratuara. Gjithë bota flet për ligjet në Shqipëri. Ka ligje, por ligjin e bën Maliqi. Administrata e tij, u bë më e korruptuara, që nuk të fal as në minutat e fundit të ikjes pa të krehur mirë.

Foli se kishte ndëshkuar korrupsionin, se kishte dërguar qindra zyrtarë me akuza. Nuk tha një emër. Ndryshe bashkëpunëtorët e tij, duhet të ishin në vitet e para të burgimit për shpërdorim të detyrës, vjedhje të pasurisë publike dhe abuzim me postin shtetëror.

Foli për ushtrinë dhe për NATO-n. Por nuk guxoi të përmendte Gerdëcin, 26 viktimat e asaj dite, as baxhanakun e vet. Ishte kryevepër e ushtrisë dhe e qeverisë së tij, që me VKM lejoi fabrikën e vdekjes për të bërë trafikun e municioneve.

Foli për energjinë, mbi 1 miliardë euro që paska harxhuar për të bërë stacione, nënstacione, rrjete, interkonjeksione. Nuk përmendi, Fazllicin, Lazareviçin dhe serbë të tjerë që importuan energji për Shqipërinë, me çmime të kripura, ndërsa boshatisej qëllimisht Fierza dhe Komani. Nuk përmendi mijëra shqiptarë që u përmbytën tre herë në Shkodër apo Lezhë, nga makutëria për të mbledhur sa më shumë ujë nëpër basene që t’i shiste dhe të mbushte buxhetin e vet. As dritat që janë ende luks për gjysmën e vendit.

Foli për rendin  dhe sigurinë. Nuk tha asnjë fjalë pse sot është bërë e pamundur për një femër të jetë e qetë rrugëve se mos e vrasin për një varëse apo vëthë floriri, të kesh frikë të lësh shtëpinë se ta bastisin hajdutët minorenë, të kesh mall të dalësh rrugëve të atdheut se të grabisin dhe vrasin maskat.

Foli për integrimin, MSA-në, NATO-n dhe liberalizimin e vizave dhe se këto i pengoi opozita e majtë. Harroi të thoshte që MSA-në e la gati e majta për ta nënshkruar ai në 12 qershor 2006, se ushtrinë e ringriti e majta, pasi ai e shndërroi në bashibozuke në mars 1997, se vizat u liberalizuan falë bujarisë së vendeve të zonës Shengen, me Ballkanin Perëndimor dhe se mbi 200 mijë shqiptarë ikën nga sytë këmbët, duke sajuar azile dhe gjakmarrje, vetëm pse atdheu nuk u jep asgjë.

Foli për votën dhe mallkoi ata që votuan kundër tij. Janë 1 milion të tillë, të cilëve ai u bën nder duke i marrë nëpër gojë. I dhanë grushtin e fundit, që të mos qeveriseshin edhe më tej nga përroi psiqik, shpifjet, intrigat dhe maskarallëku. Ndaj ai edhe në momentet e fundit e dha lamtumirën, siç ka ditur të qeverisë: me shpifje.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›