E Diel, 1 Nëntor 2026

Lunacek :Heqja e vizave për Kosovën, pas disa vjetësh

Bashkimi Europian do të fillojë bisedimet për liberalizimin e vizave për Kosovën në fund të janarit ose në fillim të muajit shkurt në një takim që do të mbahet në Prishtinë. Lajmi është bërë i ditur nga Ulrike Lunacek, deputete austriake dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian. Megjithatë, ajo nuk parashikon një heqje të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës, të paktën jo edhe për disa vjet. "E di që Qeveria e Kosovës, e në veçanti ministri i Punëve të Brendshme veçmë e kanë përgatitur planin veprues. Ajo çfarë po përpiqem të bëj si raportuese, bashkë me kolegët të tjerë nga Parlamenti Europian, është që dialogu për liberalizimin e vizave të fillojë menjëherë, siç kërkohet nga konkluzionet e Këshillit të Evropës të muajit dhjetor të vitit të kaluar", ka thënë Lunacek në një intervistë për gazetën "Vesti". E pyetur se cilat janë pengesat kryesore për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, Lunacek ka theksuar se pengesë kryesore është fakti se Kosova nuk është njohur nga të gjitha shtetet e BE-së. Nga ana tjetër, sipas saj, Kosova nuk ka përmbushur as disa kushte të tjera, si pasaportat biometrike, regjistri i qytetarëve etj. Sipas Lunacek, Kosovës do t'i duhet të paktën edhe disa vjet për t'i hequr vizat për qytetarët e vendit, ndoshta 3 apo 5 vjet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›