Lunacek: Nuk ka BE pa njohjen e Kosovës

“Këtë e kam thënë disa herë pasi BE nuk do të lejojë një Qipro të re përbrenda saj. BE nuk do ta pranojë asnjë vend pa kufij të definuar”, ka porositur Lunaçek duke shtuar se është kundër ndarjes së Kosovës.
Ajo është shprehur e bindur që pala serbe në dialogun me Prishtinë do të kërkojë autonomi të gjerë, ndoshta edhe status të veçantë për veriun e Kosovës.
Sipas saj nuk ka mundësi që kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi të merren vesh për ndarje të Kosovës pasi, sipas saj, të gjithëve që e njohin situatën në rajon e kanë të qartë se nuk mund të ketë ndarje dhe as kufij të ri në Ballkan.
Sipas saj, më i madhi problem në dialog do të jetë zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
“Megjithatë, jam e bindur që Beogradi nuk do të luaj me perspektivën evropiane”, ka thënë ajo.