E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja dhe Elbasani, forca dhe karakteri i së Parës

Edmond Sufaj

Dy skuadrat me traditë në futbollin tonë, të cilat do të përballen në fundjavë, kanë treguar forcë psikologjike dhe karakteri në javët e para

Ekipi myzeqar dhe ai elbasanas, pavarësisht klasifikimit, kanë treguar me lojë se janë ende në nivelet e emrit që përfaqësojnë. Lushnja kryeson e vetme dhe me meritë klasifikimin, duke marrë nëntë pikë në tri javët e para. Në ndeshjet e saj, verdhejeshilët kanë treguar përqendrim dhe forcë karakteri, pasi rezultatet e saj pasqyrojnë më së miri diçka të tillë, ku në tri ndeshje kanë shënuar vetëm nga një gol dhe nuk kanë pësuar asnjë të tillë.

Taktika

Rezultatet të tilla arrihen vetëm nga skuadra, të cilat shprehin nivel të lartë taktik, e cila kërkon përqendrim maksimal. Të mbash një rezultat minimal deri në fund të 90 minutave, kërkon karakter dhe durim nga grupi i lojtarëve, që në rastin konkret, myzeqarët e kanë arritur më së miri.

Skuadra tjetër që ka treguar forcë personaliteti, Elbasani, arriti të rikuperojë brenda një kohë të shkurtër zhgënjimin që pësoi në ndeshjen ndaj Kamzës, ku nga avantazhi i dy golave, ajo humbi gjithçka në pjesën e dytë. Pikërisht këtë kthesën skuadra e bëri ndaj Partizanit pretendent, me lojë dhe rezultat.

Ana psikologjike

Skuadra në ndeshjen ndaj të kuqve tregoi se është e aftë të rikuperojë gjendjen psikologjike, që skuadra pësoi nga zhgënjimi ndaj Kamzës. Edhe pse renditet në vendin e tretë pas Ilirisë surprizuese, Elbasani ka treguar në ndeshjet e para se është pretendente serioze dhe skuadër e fortë nga ana psikologjike, gjë të cilën nga ana tjetër nuk e ka shfaqur ende ekipi i Partizanit, i cili nuk e ka përballuar dot presionin mbi rezultatet që kërkojnë drejtuesit dhe tifozët e saj.

Në tri javë nuk mund të përcaktohet kampionia e një kampionati, por Elbasani dhe Lushnja kanë treguar me rezultatet e tyre se meritojnë plotësisht vendin që mbajnë në klasifikim, duke shtuar këtu dhe Ilirinë, e cila është surpriza e bukur e kësaj kategorie. Lushnja dhe Elbasani do të përplasen me njëra-tjetërn në fundjavë, për të përcaktuar dhe verifikuar mundësitë e tyre reale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›