E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punoni me të rinj

Tefik Mikushnica i ka udhëzuar klubet kosovare të hendbollit të punojnë shumë më tepër me kuadro, nëse duan të kenë një të ardhme më të mirë. Strategu kosovar i hendbollit nuk është i befasuar aspak me rezultatet zhgënjyese të skuadrave kosovare në Evropë, ngase, sipas tij, ky është realiteti i hendbollit në vend. Vushtrriasi pret që rrugën e Besa Famiglias ta ndjekin edhe skuadrat tjera kosovare, që marrin pjesë sivjet në garat evropiane.

Puna me të rinj në klubet kosovare të hendbollit është në nivel thuajse zero. Një ekip, nëse dëshiron të ketë një të ardhme të ndritshme, domosdoshmërisht duhet t’i zhvillojë kuadrot, por kjo në Kosovë nuk ndodh. Trajneri i mirënjohur kosovar, Tefik Mikushnica është i brengosur me faktin se klubet në vend nuk kanë strategji për zhvillimin e tyre në periudhë afatgjate, por punojnë vetëm sot për sot.

Sipas tij, puna me të rinj është e domosdoshme, nëse ekipet në vend duan të kenë një të ardhme më të mirë, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme në garat ndërkombëtare. Rasti i fundit ishte ai i Besa Famiglias, e cila pati eliminim të turpshëm nga Boraci i Banjallukës në EHF Cup.

“Të njëjtat gjëra po përsëriten çdo vit. Mungojnë kuadrot profesionale, duhet punuar më shumë me grupmosha të reja. Në Kosovë, hendbolli fillon në moshën 17-18 vjeçare, që është shumë vonë. Shkollimi i kuadrove është i domosdoshëm, nëse duam të kemi ekipe cilësore pas disa vitesh”, deklaroi trajneri vushtrrias për Express.

Sipas tij, klubet kosovare nuk po i shfrytëzojnë sa duhet trajnerët kosovarë, të cilët mbajnë kohë pas kohe seminare jashtë vendit dhe mund ta shpalosin atë që e kanë mësuar, në praktikë në vendlindje. “Ky është realiteti kosovar. Sa po mbjellim, aq edhe po korrim”, shtoi ai.

Mikushnica nuk pret që ekipet tjera kosovare, pjesëmarrëse në garat evropiane këtë edicion, mund të dalin më mirë se Besa Famiglia. Prej tri ekipeve tjera, Kastrioti (meshkujt e femrat) dhe Prishtina (femrat), ai thotë se maksimum njëra prej tyre mund ta kalojë njërën fazë. Edhe përforcimet që i bëjnë ekipet nga jashtë, Mikushnica i konsideron si hendbollistë të harxhuar, ndërsa nuk e bindin shumë as trajnerët e huaj që vijnë në Kosovë.

Sa i përket propozimit të kryetarit të Besa Famiglias, Hamza Idrizi, që Kosova të marrë pjesë në garat evropiane me vetëm dy ekipe, një te meshkujt e një te femrat, që janë më mirë financiarisht, Mikushnica nuk e sheh këtë si zgjidhjen më të mirë, pasi mendon se ekzistojnë probleme tjera që e stopojnë suksesin e skuadrave kosovare. Vushtrriasi është i bindur se hendbolli i pasluftës ishte më kualitativ sesa ai sot, pasi që konkurrenca ishte më e madhe dhe cilësia më e lartë, në krahasim me tash.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›