Mrekullia Drita!
Njëjtë si sezonin e kaluar, sidomos në pjesën vjeshtore, edhe këtë edicion Drita është duke shndritur në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra e udhëhequr nga strategu Arbnor Morina ka befasuar për të mirë në pesë xhirot e para, duke regjistruar 3 fitore, 1 barazim e 1 humbje, për ta rrëmbyer pozitën e tretë në tabelë me 10 pikë të tubuara, 3 më pak se lideri Prishtina me të cilën barazoi të dielën.
Një fakt domethënës është se gjilanasit janë dobësuar shumë gjatë kësaj vere, duke bërë ndryshime të mëdha në ekip. Disa prej lojtarëve luajnë për herë të parë së bashku. Kjo është edhe mrekullia që po ndodh në këtë ekip.
“Kemi punuar shumë për të shkuar në këtë formë. Kemi një ekip komplet të ri, shumica e lojtarëve kanë shkuar gjatë verës. Por, me punë, përkushtim e disiplinë gjërat po shkojnë qysh po shkojnë. Lojtarët po punojnë maksimalisht dhe po mundohen, janë shumë të disiplinuar, prandaj edhe rezultatet nuk po mungojnë”, thotë trajneri i Dritës, Arbnor Morina.
“Vjet Drita ka pasur futbollistë të mirë, ka bërë përforcime të mëdha. Ndërsa sivjet jemi edhe financiarisht më dobët dhe nuk kemi marrë emra të njohur. Shumica e lojtarëve luajnë për herë të parë së bashku, por po e bajnë barrën kryesore me sukses”, shtoi ai.
Morina synon që me Dritën të punojë me të njëjtin ritëm dhe që ekipi bardh e kaltër të vazhdojë të tregojë lojëra të mira. Ekipi gjilanas nuk ka ndonjë imperativ serioz, por synim i tij është që të tregojë lojëra të mira dhe të mbledhë sa më shumë pikë.
Jep dorëheqje kryesia e Dritës
Kur nuk e priste askush, kryesia e Dritës ka dhënë dorëheqje të dielën mbrëma, disa orë pasi gjilanasit barazuan me Prishtinën me rezultat 1:1. Lajmin e ka konfirmuar anëtari i bordit të klubit, Saqip Shala. “99.9 për qind nuk do të jemi më pjesë e kryesisë. Arsye e largimit tonë është se disa huliganë që po sillen rreth klubit përziheshin në punën tonë. Prandaj, vendosëm të japim dorëheqje”, ka qenë i shkurtër Shala. Largimi i papritur i kryesisë vjen vetëm tre muaj pas riorganizimit të saj.
Prishtina e Trepça ’89, pa humbje
Prishtina dhe Trepça ’89 janë dy skuadrat e vetme që nuk kanë pësuar ende humbje këtë sezon në Suprligë, pas pesë xhirosh të zhvilluara. Bardhekaltrit e nxorën një pikë në terrenin e vështirë tradicionalisht për ta në Gjilan ndaj Dritës, pas katër fitoresh radhazi të shënuara këtë edicion. Ndërkaq, mitrovicasit ishin më të mirë se Llamkos Kosova, pasi më parë kishin shënuar tri fitore dhe kishin një barazim. Kampioni aktual i Kosovës ka 13 pikë, kurse nënkampioni, 11.
Besa e Hysi i shijojnë fitoret e para
Më në fund, Besa dhe Hysi i kanë shijuar fitoret e para të sezonit. Pejanët ia dolën ta mposhtin me përmbysje të rezultatit Ferronikelin në shtëpi 2:1, duke iu gëzuar trepikëshit të parë, pasi kishin pësuar tri humbje dhe kishin nxjerr një barazim. Ndërkaq, Hysi ishte më i mirë se Hajvalia, duke i dhënë fund ‘agjërimit’, pasi kishte pësuar dy humbje dhe kishte marrë dy barazime.