E Shtunë, 31 Tetor 2026

’Eksperti’ i shkarkimeve

Ai ka shkarkuar trajnerë edhe pas vetëm një ndeshjeje, kurse ka ditur edhe të angazhojë të njëjtin strateg për katër herë. Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, ka shkarkuar plot 41 trajnerë prej kur ka filluar përfshirjen në futboll më 1987. ‘Viktima’ e tij e fundit rezistoi për tri takime, Giuseppe Sannino, u shkarkua të dielën.

Në Itali thonë se ai i ha trajnerët. Nofkën ‘mangiallenatori’, Maurizio Zamparini e fitoi në fushë së pari në Venezia dhe pastaj te Palermo, presidenti ka shkarkuar gjithsejtë 41 trajnerë prej kur ka filluar të përfshihet në futboll më 1987.

Pavarësisht ‘projekteve’ të paralajmëruara në emërimin e pothuajse secilit prej strategëve, Zamparini është i padurueshëm dhe nuk fal rezultatet negative. Ai i largon ata një nga një. I fundit që iu bashkua listës së gjatë është Giuseppe Sannino, i angazhuar pas një sezoni pozitiv te Siena, por dy humbje dhe një barazim, një pikë e fituar, janë pak për presidentin i cili është shprehur se “frikësohem nga rënia”. Sezonin e kaluar ishte radha e Stefano Piolit, i shkarkuar ende pa filluar sezoni.

Në vend të tij erdhi e shkoi Devis Mangia e pas tij edhe Bortolo Mutti. Por, lista e të shkarkuarve nga Zamparini është hapur nga dyshja Fabbri-Cerantola, të cilët udhëhiqnin Venezian më 198-88 dhe përcillet me ‘Tato’ Sabadinin, i cili mori postin nga Pasinato (1989-90). Më 1991-92, ‘vala’ e shkarkimeve preku edhe Rino Merchesin, i cili u emërua në vend të Zaccheronit e pastaj u zëvendësua nga paraardhësi i tij, i cili megjithatë më 1992-93 ia la vendin Marosos. Më 1994-95 Venezian e udhëhoqën një grup trajnerësh: Ventura, Maifredi dhe Geretto, por një edicion më vonë ata u larguan për t’u zëvendësuar nga Bellotto. Më 1996-97 i erdhi radha Walter De Vecchit dhe Fontanas për të marrë postin e Bellotos.

Më 1999-2000 vazhduan ndryshimet, skuadra iu dha Spallettit i cili nuk qëndroi gjatë dhe u zëvendësua nga Materazzi e në fund ia la Oddos. Më 2001/02, ish portieri i Bolognas, Sergio Buso zëvendësoi Prandellin, por ia lëshoi postin Magnit, i cili ishte edhe trajneri i fundit i Venezias me Zamparinin president. Në korrik 2002 filloi epoka te Palermo: Zamparini e bleu klubin nga Franco Sensi dhe angazhoi menjëherë Ezio Glereanin, trajner nga Cittadella. Por, ky u shkarkua menjëherë pas xhiros së parë. Skuadra iu dha Arrigonit, i cili në shkurt 2003 u zëvendësua nga Sonetti. Sezoni 2003/04 ishte ai i rikthimit në Serie A.

U fillua me Baldinin e u mbyll me Guidolinin, i cili mbeti në detyrë edhe në stinorin vijues. Por, më 2005 erdhi Del Neri që më pas u shkarkua dhe u zëvendësua nga Papadopulo. Më 2006/07, Palermo riktheu Guidolinin dhe ai rezistoi deri në dimër kur u zëvendësua nga Gobbo dhe Pergolizzi. Por, Zamparini e riktheu sërish Guidolinin, i cili më 2007 ia la vendin Colantuonos. Ky i fundit ia ‘riktheu’ detyrën Guidolinit, por që u zëvendësua nga një tjetër ish trajner i ekipit Colantuono. Më 2008/09, Colantuono u zëvendësua nga Ballardini.

Më 2009 erdhi Zenga e në fund të nëntorit Rossi. Pas humbjes 7-0 në shtëpi nga Udinese, ai u shkarkua dhe erdhi Serse Cosmi që zhvilloi tri ndeshje në detyrë dhe u rikthye Rossi, i cili përfundoi sezonin dhe u largua. Radha ishte e Polit që megjithatë tha lamtumirë pas disa muajsh. Zamparini ia beson skuadrës Mangias. Trajneri i ri udhëhoqi skuadrën deri në dimër e më pas ia la Muttit, i cili e mbylli sezonin. Edhe për Giuseppe Sanninon, Zamparini kishte thënë: “Do të mbetet me ne për një kohë të gjatë”. Saktësisht tri xhiro. Skuadra siciliane ka angazhuar për trajner të ri Gian Piero Gasperinin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›