E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, dy ndeshje në fushë asnjanëse



Dy ndeshje në fushë asnjanëse, një e tretë pa shikues dhe 100 mijë lekë gjobë. Kaq i kushtoi “syri i Shoshit” kapitenit të Apolonisë, i dëmtuar rëndë pas goditjes me gurë nga një tifoz gjatë ndeshjes së javës së 13-të të Kategorisë Superiore. Edhe pse drejtuesit e klubit fierak kërkuan fitoren në tavolinë, Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit la të pandryshuar rezultatin zyrtar të takimit, të fituar 3-1 nga lushnjarët. “Klubi i Futbollit ‘Lushnja’ për hedhje sendi të fortë në fushë, që ka sjellë si pasojë dëmtimin e lojtarit kundërshtar, në bazë të neneve 4 e 24/14 të KDS (Kodit të Drejtësisë Sportive) dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim të fushës së lojës, 1 (një) ndeshje tjetër pa praninë e shikuesve dhe 100.000 lekë gjobë”, - thuhej në komunikatën e publikuar nga FSHF-ja.
Komisioni hodhi poshtë ankesën e Apolonisë në lidhjen me kërkesën për pikë në tavolinë si të pabazuar në rregullore. Lojtari i Apolonisë, Uashington Junior për goditje me shkelm të
kundërshtarit, në bazë të nenit 26/1,b të KDS-së dënohet me 5 (pese) ndeshje. Komisioni mori një sërë vendimesh të tjera për ekipet dhe lojtarët e kategorive inferiore.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›