E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja konfirmon Malkon, ndihmës emërohet Hasalla

Nga Julian Kasapi

Lushnjarët do të nisin sot punën për sezonin e ardhshëm, ndërsa analiza e shumëpritur mund të zhvillohet në një moment të dytë

Skuadra lushnjare do të marrë jetë sot, kur të gjithë futbollistët do të grumbullohen pasdite dhe do të nisin stërvitjen, në ambientet e stadiumit Roza Haxhiu. Vendimi ka dalë jo siç pritej prej kohësh nga një analizë e hollësishme, që ndoshta do të lihet për një moment të dytë, por pas një mbledhjeje mes presidentit Fatos Tushe, njëherazi kryetar i bashkisë, dhe drejtuesve të klubit.

Sipas burimeve të gazetës, skuadra lushnjare për sezonin e ardhshëm do të drejtohet nga Sajmir Malko, trajneri 41-vjeçar, i cili sezonin e shkuar humbi vetëm në ndeshjen e fundit të drejtën ta çonte Lushnjën në Superligë.

Sekretari i klubit lushnjar, Judmir Shurdhi, konfirmon vendimet për nisjen e punës nga Lushnja e sezonit të ardhshëm. Pas një takimi në bashki, është vendosur që trajneri Malko ta drejtojë edhe sezonin e ri skuadrën, që do të rikompozohet.

Ndihmës i tij do të jetë Blerim Hasalla, deri sezonin e shkuar futbollist i Lushnjës. Ditën e martë do të nisë stërvitja, sipas porgramit të stafit teknik. Shpresojmë të bëjmë realitet sezonin e ardhshëm ëndrrën lushnjare për të kaluar në Superligë, – ka thënë sekretari i klubit lushnjar, Judmir Shurdhi.

Hasalla Blerim Hasalla ka vendosur ti varë këpucët në gozhdë,duke u tërhequr nga futbolli i luajtur, por sezonin e ardhshëm do të jetë ndihmësi i parë i trajnerit Sajmir Malko. Futbollisti 36-vjeçar luajti sezonin e fundit me Lushnjën dhe kishte një freski fizike, që e kishin zili edhe të rinjtë.

Mëngjarashi lushnjar tashmë do të japë kontributin e tij në stolin verdhejeshil. Nuk ka ende zyrtarizim apo deklarata për futbollistët e kontigjentit të skuadrës muzeqare. Gjithçka do të mësohet sot, kur drejtuesit e klubit do të flasin me secilin në lidhje me sezonin e ri futbollistik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›