E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paro Laçi prezanton Nikolin Çoçllin trajner të Partizanit

Nga ILIR CARA

Aksionari i të kuqve pohon se është në bisedime me Xhanin dhe shpreson në një bashkëpunim në të mirë të ekipit. Ai garanton se nuk ka më vullnetarizëm

Tjetër pritej dhe tjetër doli Partizani i djeshëm. E hëna ka sjellë zhvillime te të kuqtë, ndryshime që shpresohet të jenë të vërteta dhe të mos prodhojnë konflikt si para dy vitesh, ku në terren përgatiteshin dy Partizanë.

Pritej që administratori Gjergji Thaka tu bënte të ditura futbollistëve ndryshimet, pas Gjyqit të Apelit. Realisht kjo gjë ndodhi, por ndryshimet ishin më të thella. I pranishëm në këtë prezantim ishte edhe aksionari Paro Laçi, i cili ka marrë përsipër krijim e skuadrës.

Ai ka prezantuar si trajner të ri të Partizanit, Nikolin Çoçllin, i cili ndihmës do të ketë stafin që ishte vjet. Trajneri Perlat Musta ka dhënë dorëheqjen, pasi kishte impenjime të tjera. Para se drejtuesit të ballafaqoheshin me ekipin, ata janë ulur në kafe dhe kanë diskutuar për disa minuta.

Gjergji Thaka Në fillim të mbledhjes, administratori Thaka ka marrë fjalën dhe u ka prezantuar futbollistëve ndryshimet. Gjergji Thaka mbetet sërish në detyrë, gjë që e konfirmon edhe aksionari Paro Laçi.

Thirrja e Thakës ndaj futbollistëve është që ata të përqendrohen në stërvitje, me shpresën se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Në një komunikim për mediat, Thaka u shpreh: Ashtu siç u pata premtuar sot (dje) u paraqita futbollistëve ndryshimet e ndodhura, ku Partizani nuk është më pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Shpresoj që dy aksionarët të ulen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët, të rrisin bashkëpunimin, sepse po ndodhi kjo gjë, skuadra do të ecë përpara. Për momentin kam nevojë të marr ca ditë pushime, pasi vij nga një sezon tepër i ngarkuar. Shpresoj që situata të lëvizë për mirë dhe Partizani të ngrihet në vendin që i takon.

Perlat Musta Trajneri Musta ka paraqitur dorëheqjen, dorëheqje të cilën e ka bërë publike para stafit dhe skuadrës. Musta pohoi se nuk mund të vijojë, pasi ka impenjime të tjera tek akademia ushtarake, por u ka bërë thirrje futbollistëve që të përgatiten sa më mirë, pasi ajo është në të mirë të tyre, pavarësisht se ku do të jenë.Ndonëse Perlat Musta kërkoi dorëheqjen, Paro Laçi insistoi duke i thënë se ti je pjesë e Partizanit, duke i ofruar rolin e drejtorit sportiv.

Ti këtu do të mbetesh Perlat, edhe po nuk deshe ti të mbajmë me zor. Pastaj edhe aty ku je (Akademia Ushtarake) na duhesh, pasi mund të hyjmë në bisedime me ministrinë që ta na e lë sërish në përdorim fushën e Shkollës së Bashkuar. Kështu që do të jeshë pjesë e Partizanit. Kështu iu drejtua Paro Laçi ish-trajnerit Perlat Musta.

Paro Laçi Aksionari me 40% në shoqërinë aksionare, Paro Laçi, dje ka emëruar Nikolin Çoçllin si trajner të Partiznait. Sipas tij, Gjergji Thaka do të vijojë me detyrën e administratorit, ndërsa pjesa tjetër e stafit të sezonit të kaluar do të vijojë punën në krah të Çoçllit.

Paro Laçi u komunikoi lojtarëve dhe stafit se puna për sezonin e ri konsiderohet e nisur dhe në ditët në vijim do të ketë edhe prurje të reja me qëllimin e vetëm, ngjitjen e Partizanit në superligë.

Te Partizani do të marrë fund puna vullnetare. Do të ndërtojmë një ekip të fortë, që ta realizojë objektivin, ngjitjen në Superligë. Ju si futbollistë duhet të përqendroheni vetëm te stërvitja.

Problemet tona si aksionarë dihen, por do të gjemë gjuhën e bashkëpunimit për të mirën e Partizanit. Për sa i përket Xhanit e kam thënë dhe denoncuar ato që ka bërë, gjë të cilën do ta bëjë sa herë të jetë e nevojshme, por kërkoj bashkëpunim për të mirën e skuadrës, – u shpreh Paro Laçi para futbollistëve.

Ndërsa për mediat Laçi u shpreh: Me aksionarin Xhani jam në bisedime dhe në këtë rast me këtë po merret përfaqësuesi ligjor i tij, Roland Mici, i cili siç e keni thënë edhe ju është një urë lidhëse mes dy aksionarëve të Partizanit.

Xhanit i kemi paraqitur projektin për këtë sezon, si dhe projektin afatgjatë. Kam besim se në rast se realizohet kjo gjë do të jemi një klub stabël dhe me kushte moderne, ku projekt kemi edhe ringritjen e akademisë. Kam besim se nuk do të ndodhë ajo gjë që ndodhi para dy sezonesh, ku u krijuan dy Partizanë, pra besoj se nuk do të merren veprime dhe iniciativa të tilla.

Ortakut Xhani i ka shtruar bashkëpunimin, ashtu siç ndodh në biznes , ku së pari të mbledhim një asamble dhe të krijojmë një status të përkohshëm deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Kam besim se federata në rastin Partizani do të mbështesin ata që financojnë për futbollin, gjë të cilën ne u kemi paraqitur. Nëse KE merr vendim tjetër, ata mund të vendosin edhe që ta përjashtojnë fare Partizanin.

Ne do ti ecim bashkimit, bashkëpunimit për ringritjen e Partizanit. Plani ynë është i detajuar, konkret dhe them se do të jetë rezultativ në fund, në mënyrë që Partizani të ngjitet në superligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›