Lushnja, mbrojtja është sulmi më i mirë
Suksesi i skuadrës lagunare është bazuar fort te reparti difensiv, i cili ka qenë përcaktues gjatë fazës së parë, duke sjellë shumë pikë për verdhejeshilët
Pas kalimit në Superligë, Lushnjes i duhet edhe një pikë për tu shpallur kampione e Kategorisë së Parë. Verdhejeshilët e drejtuar nga Artan Bano kanë zhvilluar ndeshje perfekte gjatë këtij sezoni, duke arritur edhe objektivin kryesor, ngjitjen në Superligë.
Sjellja elitare
Në këtë sezon, skuadra lagunarë është sjellë si një ekip elitar, ku është paraqitur me karakter në të gjitha sfidat që ajo ka zhvilluar deri më tani. Siguria e saj ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në rezultatet e arritura. Lushnja mësoi nga gabimi i sezonit të shkuar, ku Superligën e humbi për shkak të mungesës së sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rezultate.
Mbrojtja, repart që bëri diferencën
Një nga repartet që ka shkëlqyer më shumë te ekipi i Lushnjes ka qenë pikërisht reparti i mbrojtjes, i cili ka pësuar vetëm 12 gola deri më tani. Gjatë fazës së parë, skuadra e Lushnjes pësoi vetëm pesë gola në 15 ndeshje, duke treguar një qëndrueshmëri të lartë në këtë repart.
Kujtojmë që një pjesë e mirë e ndeshjeve të fazës së parë janë fituar me rezultat minimal, si pasojë e cinizmit të skuadrës në fushën e lojës. Krahas mbrojtjes, e cila ka qenë në shkallën e saj më të lartë, një rol të veçantë ka pasur dhe portieri Spaho, i cili me aftësinë e tij ka qenë një siguri më shumë për portën e lagunarëve. Taktika e zbatueshme
Trajneri Bano ka patur një rol të veçantë përsa i përket taktikës së ndjekur me skuadrën e tij, e cila nga ana tjetër është zbatuar me përpikmëri në ndeshjet e gjithë sezonit. Taktika e tij ka qenë e mbështetur fort te faza mbrojtëse, ku në fazën e parë, ekipi ishte i pathyeshëm nga skuadrat e tjera.
Në katër ndeshjet e para të fillim kampionatit, Lushnja ka arritur të shënojë pesë gola, duke mos pësuar asnjë dhe si rrjedhim arriti të merrte 12 pikë, të cilat ndikuan shumë nga ana psikologjike për skuadrën e drejtuar nga Bano.
Katër javët në vijim duket se skuadra nuk do të ketë ndonjë objektiv të rëndësishëm për të arritur, ku përjashtohet këtu goleadori Canka, i cili pritet të ndihmohet nga ekipi për të rritur numrin e golave të tij, në mënyrë që të fitojë titullin e golashënuesit.