Tifozët e kuq, reflektim dhe festë ndaj Naftëtarit
Barazimi i fundit në shtëpi i Partizanit nuk është pritur mirë nga sportdashësit, të cilët kërkojnë lojë dhe rezultat në sfidën ndaj kuçovarëve
Partizani është skuadra që vijon të ndiqet nga një numër i madh sportdashësish, të cilët duhet theksuar se nuk e kanë braktisur në asnjë rast ekipin e tyre edhe në momentet më të vështira. Edhe pse skuadra e kuqe ka arritur të mos e njohë humbjen në shtatë ndeshjet e fundit, tifozët e demave të kuq nuk e kanë kapërcyer dot barazimin e fundit të skuadrës së tyre ndaj Himarës në kryeqytet.
Reflektimi
Për këtë arsye, tifozët kërkojnë reagim në lojë dhe rezultat që në ndeshjen ndaj Naftëtarit. Kjo sfidë do të luhet në Elbasan për shkak të pezullimit të fushës së skuadrës së Kuçovës. Ku kanë mbetur edhe katër sfida, Partizanit i duhet të marrë edhe një fitore për tu shpallur edhe matematikisht si skuadër e Superligës.
Faktori lehtësues
Kundërshtari i radhës për të kuqtë nuk ka më objektiva në kampionat, faktor që mund ta bëjë më të lehtë marrjen e fitores nga Partizani në këtë sfidë, e cila pritet të vulosë përfundimisht dhe kalimin në Superligë për skuadrën.
Partizani ka pasur një ecuri shumë pozitivë në javët e fundit, ku në shtatë ndeshje, kryeqytetasit kanë marrë pesë fitore dhe dy barazime. Këto rezultate janë arritur duke patur në krye të skuadrës, Hasan Likën.
Shkëputja
Rezultatet pozitive kanë bërë të mundur dhe shkëputjen e madhe të ekipit në këtë kampionat. Duhet theksuar se një faktor tjetër pozitiv për ekipin kanë qenë dhe hapat e gabuara të skuadrave kundërshtare, ku rënien më të madhe në javët e fundit e ka bërë Mamurrasi, i cili I ka humbur gjashtë ndeshjet e fundit në kampionat.
Kjo sfidë do të luhet ditën e shtunë në orën 16.00, në Ruzhdi Bizhuta në Elbasan. Partizani do të luajë ndaj kuçovarëve pa lojtarin e saj më të mirë, Endri Lalën, i cili është pezulluar me tri kartona të verdhë. Kjo mungesë është e vetmja në skuadrën e Partizanit, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve do të jetë e gatshme për trajnerin Hasan Lika.
Qetësia në skuadër
Trajneri nga ana tjetër ka vijuar normalisht drejtimin e skuadrës në seancat stërvitore, të cilat kanë qenë me ngarkesë të plotë. Në kampin e kuq gjendja ka qenë e qetë, kjo edhe si pasojë e humbjes së kundërshtarit të saj direkt, Pogradecit në ndeshjen e prapambetur ndaj Adës në shtëpi.
Ky rezultat bëri të mundur që distanca të mbetet e pandryshuar, ku të kuqtë mbajnë ende diferencën prej nëntë pikësh, duke qenë kështu vetëm tri pikë larg zyrtarizimit të kalimit në Superligë, e cila mungon prej katër vitesh për skuadrën e kryeqytetit. Rikthimi i ekipit në elitën e futbollit mezi pritet nga tifozët e kuq, të cilët tashmë do të kenë mundësi të shikojnë skuadrën e tyre në përballjet e shumë munguara në derbin e kryeqytetit.
