I riu Hasa, ai që projekton fitoren e Besës, tani e 4-ta!
Kavajasit arrijnë një fitore mjaft të vlefshme, e cila i ngjit në vendin e katërt, duke pretenduar për më lart
Vlora Besa 1-3
Shënues: Hazizi 82(11-m) / Hasa 17, 57, Bubeqi 75
Vlora: Sadikllari (Bifsha 49), Gjondeda (Dalipi 70), Kaçani, Ahmeti, Myderzi, Dalipaj, Hoxha, Veshaj, Aziazaj, Cerova (Hasimaj 35), Plepi. Trajner: A.Haxhiraj.
Besa: Mançevski, Frashëri, Dragusha, Hoxha, Perja, Poçi (Duka 70), Mihani, Rroshi, Dhëmbi, Dushku, Hasa (Bubeqi 65). Trajner: G.Magani.
Kartona të verdhë: Dragusha, Mihani, Hoxha, Dhëmbi,
Kartona të kuq: Dalipaj, Plepi.
Gjyqtarë: E.Sino, D.Myftari, B.Bejrolli.
Besa merr një tjetër fitore, këtë radhë në Vlorë, ku mbi të gjithë ka spikatur sulmuesi Hasa. Një ndeshje thuajse e dominuar nga ekipi kavajas, që është shpërblyer me fitoren ndaj Vlorës, duke treguar qartë synimet për tu ngjitur në Superligë. Në stolin e këtij ekipi, rikthehej në stadiumin Flamurtari, një njohje e vjetër për vlonjatët, si Gash Magani, ish-trajner i Flamurtarit.
Besa tregon qartë qysh në fillim se kërkon vetëm fitoren në këtë transfertë dhe është pikërisht i riu Hasa, që në minutën e 17-të e kalon ekipin e tij në avantazh, duke shfrytëzuar një pasim brenda zonës dhe duke e kaluar Besën në avantazh. Me golin e realizuar, Besa vijon të tregohet më e qartë dhe natyrisht fiton më shumë besim në lojën e saj, ndërsa nga ana tjetër, ekipi Vlora, edhe pse mundohet shumë, nuk arrin të shkojë te goli i barazimit.
Në minutën e 35-të largohet edhe Cerova, ndërsa edhe pse Plepi ka një mundësi gjatë 45 minutave të para nuk rrin të shkojë tek goli. Me avantazhin minimal mbyllet pjesa e parë në favor të kavajasve. 45 minutat e dyta tregojnë se Besa kërkon të shënojë edhe golin e dytë, atë të sigurisë, ndërkohë që Vlora duhet të bëjë llogaritë edhe me një lojtar më pak, për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Dalipajt.
Pa kaluar as dy minuta, Hasa do të realizojë edhe golin e dytë, duke shënuar një dopietë në këtë takim. Gol, i cili vjen pikërisht për meritë të vetë futbollistit, që nuk gabon në hyrje të zonës. 2-0 për Besën dhe duket se ndeshja ka përfunduar, megjithatë Bubeqi, i cili ka zënë vendin e autorit të dy golave, do të arrijë të shënojë edhe një herë për Besën, duke i çuar shifrat në 3-0.
Minutat në vijim janë thjesht për statistikë, ndërsa Vlora gjen golin e nderit, falë një penalltie të fituar dhe realizuar nga Hazizi. Ndërkohë nga ana tjetër Vlora humbet edhe Plepin, që ndëshkohet po ashtu si Dalipaj me karton të kuq. Ndeshja mbyllet me fitoren e Besës, që marshon kështu drejt kreut me qëllimin superligën, ndërsa Vlora ndodhet në pozita mjaft të vështira në renditje, ku duhet që në takimet e mbetura të ndryshojë në lojë dhe rezultat.
Trajnerët
G. Magani: Pavarësisht rezultatit, mendoj se fitorja nuk ishte aq e lehtë sa duket. Kemi marrë tre pikët që ishin objektivi ynë për këtë ndeshje, por që të kalojmë pa ndeshje shtesë në superligë na duhet ende punë në ndeshjet në vijim. Nuk ka kohë, pasi na duhet të përgatitemi për ndeshjet në vijim. Unë kam parë gjëra të mira dhe natyrisht mendoj se ekipi po gjen vetveten nga ndeshja në ndeshje. Shpresoj të vijojmë kështu me lojë dhe rezultat.
A. Haxhiaj: Kemi pësuar një gol në pjesën e parë dhe jemi munduar të ndryshojmë. Me fillimin e pjesës së dytë, daljen me karton të kuq të lojtarit tonë dhe golit të dytë të kundërshtarit, e kemi patur të vështirë për të ndryshuar diçka në rrjedhën e lojës. Megjithatë kemi luajtur ndaj një ekipi të fortë si Besa. Ka ende ndeshje dhe ne do të vijojmë të kërkojmë për të marrë rezultat, mbi të gjitha në fushën tone.
