E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, përfshihet në aksident një autobus me pasagjerë, plagosen 2 persona

Terrorizohen pasagjerët e një autobusi që u përfshi nga një aksident i rëndë automobilistik në aksin rrugor Lushnje- Divjakë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme pikërisht në vendin e quajtur Cermë- Proshkë, e ndërsa protagonistë janë bërë drejtuesit e dy automjeteve. Përplasja e dy automjeteve ka sjell përpara syve të më shumë se 20 udhëtarëve të autobusit, tmerrin e këtij aksidenti, të cilët kanë parë gjithë skenën e përplasjes dhe kanë përjetuar frikën e vdekjes. Vetë pasagjerët kanë treguar se përplasja ka qenë tepër e fortë, ndërsa gjithçka është shoqëruar me britma e klithma. Autobusi me targa të Lushnjës LU 9956 B si dhe automjeti furgon me targa KJ 8791 A janë ndodhur përballë njëri tjetrit duke shkaktuar edhe aksidentin në fjalë. Përplasja e automjeteve për pak sa nuk u ka marrë jetën dy të rinjve nga qyteti i Durrësit të cilët udhëtonin pikërisht me furgonin me targa të Kavajës. Ky i fundit drejtohej nga shtetasi 29- vjeçar Miren Duka, e ndërsa pasagjer në të ishte 22- vjeçari Nuredin Demiri, po nga qyteti i Durrësit. Të dy këta shtetas pas përplasjes së fuqishme kanë marrë plagë të rënda në kokë e në të gjithë trupin, ndërsa janë shoqëruar urgjentisht për në spitalin ushtarak në kryeqytet në gjendje kritike për jetën. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniforma të shumta policore si dhe familjarë të të plagosurve të cilët kanë shfaqur shenja dhimbjeje. Pas ekzaminimit të gjithë vendit të ngjarjes dhe dinamikës së aksidentit ka rezultuar se të dy automjetet ishin duke udhëtuar me shpejtësi ndërkohë që automjeti tip furgon ka tentuar të parakalojë, duke kaluar në krah të kundërt. Si pasojë e kësaj lëvizjeje të dy automjetet janë përplasur me njëri-tjetrin, duke e nxjerrë autobusin jashtë rruge. Ndërsa gjendja e dy shtetasve të plagosur vazhdon të jetë e rëndë, pasagjerët e autobusit kanë përjetuar trauma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›