E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reparti i Dermatologjisë në mjerim, burim infeksioni për pacientët

Infrastruktura e rrënuar e repartit të dermatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, është rrezik dhe burim infeksionesh për jetën e pacientëve të shtruar në këtë repart. Në ambientet e pavijonit të sëmundjeve të brendshme, ka pjesë që janë lënë pa rikontruktuar si korridoret, dritaret dhe pjesa e jashtme, gjë e cila e bën këtë pavijon jofunksional për pacientët, nga higjiena e rënduar. Situata në pavijonin e sëmundjeve të brendshme për shkak të mbeturinave është tepër problematike dhe e pazakontë për një spital me parametrat bashkëkohore. Shqetësimi nuk mbaron me kaq, sepse higjiena e dobët, ndikon në përkeqësimin e shëndetit të pacientëve gjatë qëndrimit të tyre në këtë repart. Ndërkaq, për gjendjen e rënduar nuk është faji apo papërgjegjshmëri e personelit për mirëmbajtjen e ambientit, por vetë spitali është me mure që u ka rënë suvaja, me dritare të vjetra, madje edhe pa dritare fare. Pacientët ankohen se kushtet higjienike ku ata janë të shtruar len për të dëshiruar, madje janë të frikësuar se kur të dalin nga spitali do të kenë marrë një infeksion tjetër. Ndërkaq, gjatë kohëve të fundit kanë qenë të shpeshta rastet e shfaqjes së infeksioneve në anët e pacientëve të shtruar. Edhe nëse në pavijonin e sëmundjeve të lëkurës, ekziston procesi i sterilizimit, risku i infeksioneve nuk mund të shmanget, pasi kjo ndërtesë është në kushte të mjerueshme infrastrukturore. Jo vetëm pacientët, por edhe vetë mjekët e kanë pranuar një gjë të tillë, duke dhënë alarmin, që të merren masa se më parë për përmirësimin e sistemit higjenik në disa pavijone të QSUT. Sipas statistikave të bëra publike, infeksionet repartet spitalore në vendin tonë janë 5 herë më të larta se në vendet e BE-së. Kështu, nëse një pacienti i duhet të shtrohet për shkak të ndonjë sëmundje, duhet të mendohet mirë, se mund të bart ndonjë të re mbi kurriz.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›