Lushtaku e Selimi nuk shkarkohen

Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend që të shkarkojë nga posti kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakun si dhe ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Sulejman Selimin. Këta të fundit janë në paraburgim në masën prej 30 ditësh që nga 25 maji. Njëkohësisht Qeveria nuk do të deklarohet dhe as të reagojë derisa të merret vendimi nga Gjykata e EULEX-it.
Burime brenda PDK-së kanë thënë se këto poste do të mbesin të tilla derisa të përfundojë i gjithë procesi gjyqësor ndaj tyre që të merret vendimi.
“Qeveria nuk po reagon ndaj kësaj çështjeje, për shkak që konsideron se duhet t’ia lërë drejtësisë njëherë të thotë fjalën e vet, e pastaj të reagojë. Njëherë për njëherë kështu ka mbetur”, ka thënë ky burim për Kosova sot.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi ka thënë se për këtë çështje duhet të përgjigjët Ministria e Punëve të Jashtme, mirëpo përgjigjë nuk ka dhënë as kjo e fundit.
Analisti për çështje juridike, Adnan Abrashi ka thënë se në mandatin e fundit të kësaj qeverie në pushtet, ndaj shumë personaliteteve udhëheqëse e shtetërore, nga ana e institucioneve kompetente ligjore janë iniciuar e zhvilluar hetime, ose janë në vazhdim e sipër shumë procedura penale.
“Kuptohet që në këto rrethana, më së miri do të ishte dorëheqja individuale, por një vlerë e tillë e përgjegjësisë individuale morale është larg nga etika e politikanëve tanë”, ka thënë Abrashi./Indekosnline/