E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në “target” kontrabanduesit e imigrantëve!

Autoritetet kosovare të rendit kanë vënë në “target” personat që po merren me kontrabandimin e refugjatëve për në vendet e Bashkimit Evropian. Duke e parë këtë fakt si shumë shqetësues dhe njëkohësisht sfidues në rrugën e Kosovës për në BE, brenda dy muajve të ardhshëm Qeveria e Kosovës dhe autoritetet e rendit do t’i gjuajnë kontrabanduesit.

Kjo, sepse 14 vite pas luftës, numri i kosovarëve që lëshojnë vendin për të kërkuar azil në shtetet e Evropës vazhdon të jetë i lartë. 10 deri në 15 mijë, është shifra vjetore e regjistruar në zyret e Bashkimit Evropian me emra të kosovarëve që kërkojnë azil.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës bashkë me ndërkombëtarët nuk janë treguar të aftë në parandalimin e kësaj dukurie, dhe si i tillë ky proces mbetet problemi kyç, përmes së cilit Kosova po humb karshi ndërkombëtarëve, kur bëhet fjalë që këta të fundit të marrin vendim për të liberalizuar vizat për qytetarët e vendit.

Ndërkohë që në vendet e rajonit, luftimi i kontrabanduesve me imigrues po tregohet më i suksesshëm. Rasti i fundit është në Maqedoni, ku Ministria e Brendshme në Shkup të dielën (dje) ka arrestuar 15 veta për trafikim të emigrantëve.

Ndërsa në Kosovë gjatë gjithë vitit 2012, organet e rendit kanë arrestuar gjithsej 15 grupe që merren me këtë krim të organizuar.

Edhe vetë zyrtarët e Qeverisë Kosovës e pranojnë se deri më tani nuk është shënuar shumë progres në këtë fushë, andaj edhe kanë marrë vendimin që brenda dy muajve të ardhshme të nisin me një fushatë.

Gëzim Kasapolli, zëvendësministër i Integrimeve, tregon për “Zëri”, se plani është i përbashkët mes kësaj ministrie dhe asaj të Brendshme përmes të cilit do të atakojnë grupet apo personat që merren me stimulimin e njerëzve për të i larguar jashtë vendit.
Ai e pranon se zinxhiri i këtyre grupeve është i gjërë dhe është rajonal, prandaj edhe kanë kërkuar bashkëpunim edhe me vendet e rajonit.

“Tashmë plani është ndërtuar, faza e parë do të jetë identifikimi i këtyre grupeve kriminale. Por, problemi është rajonal andaj kërkon më shumë punë sepse kanalet shkojnë përmes vendeve fqinje. Ky proces do nisë brenda dy muajve të ardhshëm”, tha Kasapolli. Sipas tij, numri i madh i azilkërkuesve kosovarë në Evropë vazhdon të jetë kancer për liberalizimin e vizave, por shpreson se me këtë fushatë do të arrijnë të parandalojnë më shumë këtë dukuri.

Deri më tani, Policia e Kosovës e cila bashkëpunon me EULEX-in, për të parandaluar kontrabandën me migrues, nuk ka treguar sukses, megjithatë zyrtarët nga EULEX-i, nuk thonë se kanë dështuar.

Alan Eduards, shef i Njësisë së EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar, bën të ditur se momentalisht hetuesit e EULEX-it janë duke shqyrtuar 14 raste të trafikimit me persona. Sipas tij, deri më tani, gjykatësit e EULEX-it në kolegje të përziera, kanë përfunduar 8 aktgjykime në raste të trafikimit me persona.

“EULEX-i, në partneritet të plotë me Policinë e Kosovës, është aktivisht duke hetuar kontrabandimin me migrantë. Për shkak të natyrës ndërkufitare të këtij krimi, forcat e policisë punojnë së bashku për t’i prishur këto rrjete në të gjithë Evropën. Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore aktualisht janë duke kryer hetime të përbashkëta lidhur me kontrabandimin e njerëzve në të gjithë Evropën. Bashkëpunimi i ndërsjellë ka rezultuar në suksesin e arritur në janar të këtij viti, dhe sigurisht që operacionet në të ardhme do të rezultojnë në kapje të të dyshuarve”, tha Eduards, i cili kohë më parë ka qenë i stacionuar në Stamboll, ku për dy vite ka punuar në ndalimin e kësaj dukurie.

Për operacionin e muajit janar, për të cilin flet ai, ka të bëjë me një operacion të shkallës së gjërë në Evropa lidhur me kontrabandimin e imigrantëve nga Siria, Libia dhe Turqia për në Evropën Perëndimore.

Në mesin e të arrestuarve 15 kanë qenë vetëm në Kosovë dhe sipas pohimeve, disa prej udhëheqësve kryesorë të këtij rrjeti kishin operuar nga Kosova, e cila shërbente si rrugë transiti nga Siria, Libia dhe Turqia drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Ndryshe numri i imigrantëve kosovarë në Evropë vitin 2012 shënon 11 mijë e 135 azilkërkues, duke shënuar rritje në krahasim me vitin 2011, ku ky numër ishte 9 mijë e 790, ndërsa në vitin 2010 ishte 14 mijë e 310 azilkërkues.

Ndërsa vendi ku për vite kosovarët më së shumti drejtohen mbetet Franca, pastaj Gjermania, Belgjika, Suedia, Austria e të tjera, 40 për qind e të cilëve janë të moshës 18 - 35 vjeç./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›