E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Luzi 2008, fitore bindëse me Lushnjën

Kategoria e Parë ka nisur të premten javën e saj të 22-të, teksa janë luajtur dy ndeshjet e para. Në Stadiumin e Luzit të Vogël, skuadra vendase ka pritur Lushnjën, në duelin midis dy skuadrave që kërkonin t’i largoheshin zonës së ftohtë të “play-out”-it dhe rënies nga Kategoria. Ndeshja e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 2, ka parë vendasit të kalojnë shpejt në epërsi, teksa është Patrik Treni që gjen rrugën e rrjetës në minutën e 8-të.

Loja më pas ka vijuar me Lushnjën që mundohet të reagojë dhe i është afruar golit, por skuadra e Luzit 2008 ka vijuar të jetë i rrezikshëm në inkursionet e saj drejt portës kundërshtare, duke e mbajtur kryesisht rrjedhën e ndeshjes nën kontroll. Kësisoj, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë njëgolëshe të vendasve, të cilët, me fillimin e pjesës së dytë, do të gjejnë edhe një gol tjetër, kur Gjinaj e finalizon bukur depërtimin e tij në zonë, duke përshëndetur rrjetën.

Nuk ka më gola deri në fishkëllimën përfundimtare të gjyqtarit kryesor, Orlando Kuka, dhe Luzi 2008 mund Lushnjën 2-0 dhe ngjitet në kuotën e 29 pikëve, 9 më tepër sesa myzeqarët. Në takimin e luajtur në të njëjtën kohë në Fier, Apolonia ka pritur Burrelin, në takimin që është mbyllur me rezultatin 2-1 . Java e 22-të vijon të shtunën pasdite me duelet Flamurtari-Skënderbeu dhe Besëlidhja-Tomori, teksa Besa është pushim pas përjashtimit të Tërbunit të Pukës, dhe mbyllet të dielën me përballjet Turbina e Cërrikut-Dinamo dhe Korabi i Peshkopisë-Oriku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›