Lyrical Son: Dëgjoni muzikën e vërtetë, jo tallava
Festim Arifi, i njohur si Lyrical Son, gjatë një interviste thotë se ai nuk ka menduar kurrë t’i futet politikës, pasi nuk është i korruptuar, ndërsa këtë e ka edhe porosi nga babai i tij. “Unë jam djali i diplomatit. Asnjëherë nuk kam menduar të futem në politikë, e kam porosi nga babai, edhe pse e kam të gjallë dhe të fortë. E përshëndes shumë. Është një njeri që jam munduar të bëhem sikurse ai, as 2% nuk jam bërë si ai, por më ka thënë që të mos merrem me politikë, pasi ai është marrë më herët me atë punë”. “Është problem, pasi duhet të kacafytem me njerëzit, ata janë 90% hajna, unë nuk i duroj padrejtësitë, unë nuk jam i korruptuar dhe nuk do të mund të merreshim vesh për ndonjë ‘fore’ nëpër ambasada të huaja. Do të kisha bërë ndonjë ekces dhe do të më kishin larguar menjëherë”, ka thënë Lyrical Son. Reperi kosovar, i cili njihet si ndër kritikuesit e muzikës “Tallava”, ka thënë se kjo lloj muzike nuk është shqiptare dhe shqiptarëve nuk i nevojitet kjo muzikë. “Njerëzit duhet t’i lënë ato gjëra, sepse tallavaja nuk është as dy përqindëshi i pasqyrimit të intelektualitetit dhe asaj që quhet shqiptar. Është turp të anashkalojmë Vaçe Zelën, Eli Farën, kompozimet e Çesk Zadesë dhe të gjitha projektet e tjera të mëdha të producentëve shqiptarë dhe këngëve të dasmave që kemi ne, që janë shumë të mira dhe ta përziejmë atë muzikë, ta fëlliqim me tallavanë është turp, ne jemi shqiptarë dhe nuk na nevojitet kjo muzikë”, ka thënë reperi kosovar Lyrical Son. “Mos dëgjoni tallava, është muzikë e magjupve, dëgjoni hip-hop, dëgjoni muzikë shqip. Mos jeni të pa punë, mos qëndroni tërë ditën nëpër kafene duke kafshuar lugën e kafes, qoftë me rimorkio dilni në treg dhe fitoni paranë me të cilën mund të mburreni”, ka mbyllur intervistën e gjatë, të dhënë për mediat kosovare, artisti që premton se do të vijë me shumë krijime të reja këtë vit.