E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 16 shtator protesta në Prishtinë kundër protokollit

Përfaqësues të organizatave, në një konferencë për media, paraqitën arsyet e kundërshtimit të protokolleve si dhe adresuan kritika ndaj mos reagimit të institucioneve të Kosovës.  Organizatat joqeveritare në Prishtinë janë bashkuar për mbajtjen e një demonstrate në shenjë pakënaqësie ndaj protokolleve të paralajmëruara për bashkëpunim me Serbinë nga misioni I EULEX-it. Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se këto protokolle janë cenim i sovranitetit të Kosovës dhe i shkaktojnë dëme juridike dhe politike vendit, andaj nevojitet ngritja e zërit kundër këtyre veprimeve.

“Është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të dalin në rrugë dhe ti thonë jo këtyre pazarllëqeve që EULEX-i po i bën me Serbinë. Ne kemi dalë në rrugë edhe kundër gjashtëpikëshit dhe po e shohin që tani ka filluar të zbatohet, mirëpo është e rëndësishme që protestat dhe demonstratat të mos ndalen deri sa të ndryshojë kursi politik në Kosovë”, ka thënë Ymeri.

Lorik Bajrami, nga organizata “Çohu”, tha se institucionet e Kosovës i kanë thënë jo protokollit për bashkëpunim mes EULEX-it dhe Serbisë me qëllim që të blihet më shumë kohë karshi qytetarëve të vendit. “Këto tregojnë se gjashtëpikëshi nuk është i vdekur, por është duke marrë formë përmes këtyre protokolleve. Kjo tregon mungesë të sinqeritetit të krerëve institucionalë ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Një thirrje për demonstratë kundër protokollit EULEX-Serbi, e bëri edhe Igballe Rugova, udhëheqëse e rrjetit të grave të Kosovës.  “Të mërkurën me 16 shtator në ora 12:00 do të tubohemi përsëri para Bibliotekës Kombëtare, përsëri të do të dalim në rrugë, që së bashku të mbrojmë sovranitetin e Kosovës. T demonstrojmë kundër hipokrizisë së institucioneve të Kosovës karshi këtyre protokolleve”, ka thënë Igballe Rugova, e cila mori shembull nënat greviste si viktima të marrëveshjeve të ndryshme që janë bërë në Kosovë.  Në takim u tha se detaje më të hollësishme rreth demonstratës do të jepen një ditë para mbajtjes së saj. (rtk/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›