STRASBURG – Këshilli i Evropës i heq imunitetin ish-sekretarit Jagland për shkak të çështjes Epstein

STRASBURG, 11 shkurt /ATSH-AFP/ – Këshilli i Evropës njoftoi sot heqjen e imunitetit të ish-sekretarit të përgjithshëm, norvegjezit Thorbjorn Jagland, i cili është subjekt i një hetimi në vendin e tij për lidhjet e tij të kaluara me shkelësin seksual amerikan, Jeffrey Epstein.
Sekretari i përgjithshëm i institucionit me seli në Strasburg nga viti 2009 deri në vitin 2019, Thorbjorn Jagland përfitoi nga imuniteti diplomatik, edhe pas përfundimit të mandatit të tij, për akte të kryera gjatë ushtrimit të detyrave të tij.
Thorbjrn Jagland, i cili shërbeu gjithashtu si kryeministër i Norvegjisë nga viti 1996 deri në vitin 1997, është nën hetim nga policia norvegjeze me dyshimin për “korrupsion të rëndë”.
Ai ishte kryetar i Komitetit të Nobelit, i cili jep çmimin Nobel për Paqen, dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës kur krijoi lidhje me Epstein në vitet 2010.
”Heqja e imunitetit të tij do t’i lejojë sistemit norvegjez të drejtësisë të bëjë punën e vet, dhe Jagland, nëse ndiqet penalisht, të mbrohet”, deklaroi sekretari aktual i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, zvicerani Alain Berset.
Sipas gazetës norvegjeze ”Verdens Gang”, e cila citon dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Jagland kishte kërkuar një garanci nga Jeffrey Epstein për blerjen e një apartamenti, megjithëse rezultati i kësaj kërkese nuk dihet.
Jagland i tha gazetës se kreditë për pasuritë e tij të paluajtshme ishin marrë të gjitha nga banka norvegjeze DNB.
Ai gjithashtu qëndroi me Epstein në Nju Jork në vitin 2018, si dhe në Paris në vitet 2015 dhe 2018, sipas të njëjtave dokumente./ a.jor.