E Hënë, 2 Nëntor 2026

MALTË – Ministri i Jashtëm nominon Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

LA VALETA, 9 tetor /ATSH/ – Ministri i Jashtëm i Maltës, Ian Borg njoftoi se ka nominuar presidentin amerikan, Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqen, shkruan Reuters.

Ian Borg, në një postim në Facebook, përmendi suksesin e presidentit Trump në negociatat e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftërave në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen 2025 do të shpallet nesër.

Udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Armenisë nënshkruan një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, në gusht, që synonte t’i jepte fund dekadave të konfliktit midis dy vendeve, një hap i përshkruar nga Trump si “historik”.

Po sot, Izraeli dhe grupi militant palestinez Hamas nënshkruan një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, në fazën e parë të iniciativës së Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›