MASH- reformë të re financiare, rrezikohet mbyllja e disa fakulteteve
Akoma pa nisur mirë viti akademik, universitetet publike janë përballur me një paralajmërim nga ministria e Arsimit për rrezikun e mbylljes së tyre në një të ardhme të afërt. Kjo ministri ka shpërndarë nëpër dekanatet e fakulteteve publike një draft-reformë të re financiare, me anë të së cilës pretendohet të arrihet një autonomi më e madhe financiare e universiteteve publike nga shteti. Reforma e re financiare sipas burimeve nga ministria do të sjellë në një të ardhme të afërt ndoshta dhe mbylljen e disa fakulteteve që nuk do të arrijnë të përballojnë me të ardhurat e tyre, pagesat e pedagogëve dhe shpenzimet e tjera për shkak të kërkesave gjithmonë në ulje për studentë. Shteti do të heqë dorë nga mbështetja e tij financiare për universitetet publike duke vënë kushte të forta për mënyrën e funksionimit të tyre. Nuk dihet nëse kjo reformë vjen për shkak të krizës financiare dhe shkurtimeve që qeveria po bën nga të gjitha anët për të ulur shpenzimet, por të kujtojmë se vjet në këtë kohë pedagogët mbetën pa paga për shkak të konfliktit mes Universiteteve dhe MASH-it. Nga ana tjetër kjo reformë financiare parashikon subvencionimin e universiteteve private nga ana e shtetit. Për ti dhënë ndihmë financiare një universiteti privat, i vetmi kusht është që ai të jetë jotifimprurës, pra të përfshihet si një OJQ.