E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH: Maturantët mbetës në maturën shtetërore, provime në vjeshtë

TIRANE- Ministria e Arsimit bëri me dije sot se ka vendosur t’u japë edhe një mundësi maturantëve që nuk kanë marrë notë kaluese në provimet e maturës shtetërore, duke theksuar se kjo është matura e fundit që mbështetet në programin e vjetër mësimor

“Matura 2011 është matura e fundit që mbështetet në programin e vjetër mësimor të gjimnazit. Për këtë arsye Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendosi t’u ofrojë maturantëve që kanë mbetur në një ose më tepër provime të maturës, mundësinë për t'u riprovuar në sezonin e vjeshtës, në muajin shtator të këtij viti”,- theksoi zëdhënësja e MASH, Brikena Kollcinaku.

Sipas zëdhënëses se Ministrisë së Arsimit, maturantët mbetës do të gëzojnë të drejtën t'i japin këto provime gjatë sezonit të vjeshtës, ndërkohë që nënvizoi se datat e provimeve do të bëhen të ditura më vonë.

“Data e provimit të sezonit të vjeshtës do të njoftohen në një moment të dytë, por mbetet në fuqi e drejta e maturantëve mbetës për të dhënë provime edhe vitin e ardhshëm. Drejtoria Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore do të udhëzohen për regjistrimin e maturantëve mbetës që dëshorijnë të riprovohen në sezonin e vjeshtës”, - sqaroi Kollcinaku.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›