E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët shtyjnë grevën, protesta para Kryeministrisë

BULQIZE-Minatorët e Bulqizës shtynë vendimin për të hyrë sot në grevë urie dhe vendosën të vijojnë në Tiranë protestën për plotësim të kërkesave të tyre para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Energjitikës.

Edhe sot minatorët kanë protestuar në Bulqizë para zyrave të kompanisë koncesionare të austriakes ACR, ndërsa janë në pritje të rezultatit të takimit final me autoritetet e kësaj kompanie.

Nëse nuk do te arrihet një marrëveshje, minatorët kanë paralajmëruar dhe nisjen e grevës së urisë. Greva e urisë ishte parashikuar për sot, por minatorët vendosën ta shtyjnë dhe të vijojnë protesta intensive para institucioneve shtetërore ne Tiranë, si Kryeministria dhe METE.

Janë rreth 100 minatorë që po protestojnë prej 10 ditësh për plotësimin e kërkesave të tyre dhe pavarësisht kësaj, ata nuk kanë gjetur sërish zgjidhje nga krerët e drejtuesit e kompanisë ACR.

MInatorët kërkojnë rritje të nivelit të pagave, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së pensionit dhe largimit të subjekteve të tjera nga territori i ACR-së. Protesta e minatorëve mbështetet edhe nga metalurgë të uzinave të ferrokromit në Burrel dhe Elbasan, ndërsa është kërkuar që të mos ketë ndërhyrje politike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›