MASH: Tashmë mësuesit jo vetëm me diplomë, por edhe me licencë
Çdo individ që synon të ushtrojë profesionin e mësuesit do t'i nënshtrohet kohë pas kohe, procesit të licencimit. Kështu do të ndodhë edhe me mësuesit që dalin nga bankat e shkollës, të cilët do të njihen me titullin "mësues fillestarë". Megjithëse profesioni i mësuesit ka parakusht një diplomë të shkollës së lartë, vetë personat që do të kërkojnë të bëhen mësues do të ushtrojnë profesionin për një periudhë kohore të caktuar dhe, pasi të plotësojnë standardin e mësuesit, do të fitojnë të drejtën të ushtrojnë profesionin, duke marrë licencën e mësuesit.
Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit ka vendosur që periudha e licencimit, më e pakta, të jetë 1 vit dhe më e larta 4 vite. Nëse mësuesi fillestar nuk aplikon për katër vjet rresht për titullin "Mësues", atëherë mësuesi fillestar humbet të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit. Për të shmangur diferencat e mëdha në paga, MASH-i ka vendosur që paga e mësuesit fillestar të jetë shumë afër atij të mësuesit të shkallës pasuese të karrierës, në mënyrë që të mos kemi defavorizim të mësuesi fillestar. Gjatë periudhës së licencimit, mësuesi fillestar ndihmohet nga një mësues i një shkalle më të lartë të karrierës, i cili njihet si mentori i tij. Mësuesi fillestar ka të drejtë të aplikojë për titullin "mësues" të paktën pas një viti të ushtrimit të profesionit të mësuesit dhe, të shumtën, pas katër vjetësh. Intervali minimal kohor ndërmjet titujve "Mësues" dhe "Mësues specialist" do të jetë 5 vite, kurse ndërmjet "Mësues specialist" dhe "Mësues mjeshtër" do të jetë 10 vjet, ndërkohë që mësuesi do të vendosë vetë nëse do të aplikojë për një titull të karrierës dhe kur. Një mësues, për të marrë titull profesional dhe për të kërkuar të ngjisë shkallët e karrierës, tani e tutje duhet t'i nënshtrohet një vlerësimi krejt të ndryshëm nga i mëparshmi, të bazuar në performancën dhe kreditet që ai do të arrijë të fitojë gjatë një viti shkollor.