E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratët, dhunë dhe presion psikologjik mbi socialistët për zonat e influencës

Tensionohet fushata elektorale
Historia ndërmjet socialistëve dhe demokratëve për zonat e influencës po vazhdon të bëhet dhe më e ashpër, pasi demokratët nuk i lejojnë socialistët që të vendosin posterat në shtylla. Militantët e Partisë Socialiste janë të frikësuar nga demokratët, të cilët nuk po i lejojnë për të vendosur postera në zonat e ashtuquajtura të influencës së tyre. Në zonën e Kamzës, dhe në Laprakë militantët socialistë shprehen të frikësuar nga militantët e PD, të cilët nuk i lejojnë që socialistët të zhvillojnë fushatën e tyre në këto lagje të Tiranës. Rasti më i freskët për ushtrim dhune psikologjike ndaj simpatizantëve të Partisë Socialiste ka ndodhur në lagjen e ish Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, kur militantët demokratë pasi kanë vendosur posterat e tyre elektoralë në këtë lagje dhe kanë grisur posterat e socialistëve kanë bërë roje gjatë gjithë natës, dhe në momentin që kanë ardhur militantët e PS për të vendosur posterat e tyre, demokratët kanë reaguar menjëherë duke ushtruar presion psikologjik se do i vrisnin në rast se do të vendosnim qoftë edhe një poster të PS, në atë zonë. Militantët socialistë shprehen se po ndodh e njëjta situatë e vitit 1996 kur demokratët ushtronin dhunë mbi socialistët dhe njerëzit e tyre, pasi kërkonin me çdo kusht që të vidhnin votat me forcë. Sipas tyre kjo luftë elektorale i ka kaluar të gjitha caqet e një beteje të ndershme pasi militantët e PD, po shkojnë shtëpi për shtëpi për të kërkuar votën, por ndryshe nga socialistët ata po u bëjnë presion banorëve për të marrë votën. Nuk mjafton vetëm fakti se nuk po na lejojnë që të vendosim posterat në shtylla, por po na bëjnë presion të vazhdueshëm që të votojmë Partinë Demokratike, shprehet një banor i lagjes Laprakë. Por një situatë akoma dhe më kritike është në bashkinë e Kamzës, e cila njihet si një bastion i Partisë Demokratike, në këtë lagje numri i simpatizantëve që mbështesin PS është shumë i vogël me numrin e atyre që mbështesin PD. Disa prej simpatizantëve të PS, në këtë zonë shprehen të frikësuar dhe të pasigurtë gjatë lëvizjes së tyre nëpër këtë zonë qoftë gjatë natës qoftë dhe gjatë ditës, sipas tyre njerëz të PD i provokojnë dhe i ofendojnë herë pas herë duke ushtruar presion psikologjik. Frika më e madhe është për të lëvizur natën, sepse këta po të pikasën që je duke vendosur postera të Partisë Socialiste, të kërcejnë të gjithë mbi kokë, dhe rrezikon shumë që të përfundosh edhe i vdekur, nuk u mjafton thjeshtë grisja e posterave por arrijnë deri aty sa na ofendojnë familjet dhe ushtrojnë presion edhe mbi njerëzit tanë të afërm, shprehet simpatizanti i PS, Kamëz. Një tjetër problem shqetësues që ngrihet nga simpatizantët e PS, është edhe ai i ulërimave të vazhdueshme që dëgjojnë poshtë shtëpisë së tyre, ku militantët e PD thërrasin se mbas 28 qershorit do i zhdukin nga faqja e dheut. Ata vazhdimisht vijnë poshtë shtëpive tona duke bërtitur dhe ulëritur se mbas mbarimit të zgjedhjeve, ne si socialistë nuk do ta kemi vendin më në këtë lagje. Nuk e kuptoj një reagim të tillë nga ana e këtyre lloj demokratëve, të cilët ndryshojnë si nata me ditën nga ne socialistët, sepse fushata që po zhvillojmë ne është shumë e qetë dhe e ndershme, theksoi një prej anëtarëve të shtabit elektoral të PS, në lagjen e Laprakës. Beteja ndërmjet dy kampeve, atij blu dhe atij të kuq i ka kaluar të gjitha caqet e një fushate paqësore dhe është një luftë që i kalon të gjitha aspektet politike, kjo fushatë është kthyer në një betejë të ashpër e cila na kujton luftën e dytë botërore kur partizanët ju zinin pritë ballistëve për të mos i lejuar që të futeshin në fshat, dhe e anasjelltas kur ballistët nuk lejonin partizanët që të futeshin në fshat. Kjo betejë elektorale që po zhvillohet në Shqipëri ndërmjet simpatizantëve demokratë dhe atyre socialistë po tregon edhe një herë se politika shqiptare nuk ka bërë aspak përpara në këtë aspekt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›