E Diel, 1 Nëntor 2026

Tepelenë, kapen duke vjedhur në minimarket, prangosen në flagrancë maskat

Efektivat e policisë kanë ndaluar në flagrancë dy maska në tentativë për të grabitur një minimarket në qytetin e Tepelenës. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, nga ana e specialistëve të Seksionit  Kundër  Krimeve ndaj Pronës  është bërë arrestimi në flagrancë i 23 vjeçarit Ermir Pata dhe Orest Haxhiajt 18 vjeç, të dy lindur dhe banues, në fshatin Veliqot të komunës Qendër Tepelenë. Ne dispononim një informacion, se mëngjesin e djeshëm, në afërsi të qendrës së qytetit të Tepelenës dy persona po tentonin të grabisnin një dyqan kështu që morëm masa të menjëhershme për frenimin e kësaj vjedhje dhe ndalimin e autorëve të mundshëm, thonë burimet policore në Komisariatin e Tepelenës. Mbështetur mbi informaciomnet e marra pas mbërritjes në afërsi të supermarketit shërbimet e policisë së Komisariatit të Tepelenës kanë kapur në flagrancë E. Patën dhe O. Haxhiajn duke vjedhur  me thyerje një minimarket  pronë e tregtarit T. C., në lagjen Selam Musai të qytetit Tepelenë. Në momentin e kapjes brenda në minimarket  atyre iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale , një kapuç prej leshi me vrima tek pjesa e syve që shërbente për maskim, dy palë doreza plastike kirurgjikale, një çekiç, një kaçavidë dhe një levë hekuri që i përdorën për këputjen e drynave metalike dhe hapjen e derës së jashtme. Gjithashtu në momentin e kapjes iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shumë prej 20 mijë lekësh të cilat kishin mundur ti merrnin në sirtarin e banakut, thonë burimet policore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të vjedhjes kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›